Dinjiteti i Parlamentit...
Ngjarjet e fundit me dekretet e Presidentit për Gjykatën e Lartë dëshmuan, pos të tjerash, se parlamentarizmi shqiptar është ende larg standardeve. Dhe jo vetëm në këtë rast, por në shumë të tjerë pararendëse, në Parlament ka shumë fjalë dhe logori politike, por nuk ka cilësi mendimi, aftësi të interpretimit politik, rrugë për zgjidhjen e problemeve. Më shumë ka zhurmë, mediokritet dhe militantizëm banal.
Parlamenti duhet të jetë vendi i politikanëve profesionistë, i politikës publike, vend nderi dhe dinjiteti, por kur ndjekim jetën parlamentare si qytetarë kuptojmë se politika profesioniste dhe parlamentarizmi shqiptar, vazhdon të jetë politikë empirike, e ditës, e momentit, pa interesa progresi dhe zhvillimi shoqëror.
Këtë defekt të njohur politika jonë e ka patur edhe kur ka qenë PS-ja apo PD-ja në pushtet. I gjithë qëllimi i politikës dhe veprimtarisë parlamentare, ka qenë dhe vazhdon të jetë pushteti si i tillë, si qëllim në vetvete, si mjet për ta përdorur atë për qëllime të ngushta të zgjidhjes materialiste të disa objektivave me natyrë militante. Nuk ka aktivitet politik ku të mos “lexohet” ky synim permanent, pas të cilit fshihet mungesa e aftësisë për të zgjidhur problemet nga një legjislaturë në tjetrën.
Nuk mund të jetë veprimtaria parlamentare eficiente, kur ajo përgjithësisht është vetëm konfliktuale, dhe zhvillohet mbi bazën e parimit të vjetër, të “mikut dhe armikut”. Brenda jetës parlamentare, ca për rutinë dhe “mentalitet luftarak”, apo për hatër të dikotomisë parlamentare, si dhe nga presionet militante brenda partive, po bëhet politikë e ashpër, intransigjente, politikë force, “inatçore”, si qëllim në vetvete - që e shëmtojnë jetën parlamentare duke e bërë atë veprimtari “pa bukë”.
Dinjiteti i politikës parlamentare nuk qëndron tek “t’i tregojmë vendin armikut të radhës”, as tek fyerjet personale. Parlamenti nuk është vendi i duhur për këtë tipologji politike.
Qytetarët presin që në zgjedhjet e ardhshme kjo kategori deputetësh, pse jo edhe e atyre që kanë aftësi të kufizuara të profesionalizmit politik, si veprimtari e paguar goxha mirë, të zvogëlohet, për shkak të reformës zgjedhore. Qytetarët nuk duan “spektakël parlamentar”, zhurmë politike, me të cilat janë të ngopur deri në neveri. Politika dhe veprimtaria parlamentare e deputetëve tanë, ka nevojë të ketë më shumë dinjitet, duke ofruar alternativa dhe zgjidhje të problemeve politike, sociale dhe ekonomike që shqetësojnë shoqërinë tonë.
Deputetët dhe politikanët tanë kanë nevojë që, së pari, të kenë “kushtetutën” e tyre. Kjo do të thotë që veprimtarinë e tyre të mos e shikojnë thjesht si rrogëtarë, apo për qëllime e përfitime të tjera pragmatiste. Misioni i tyre duhet të jetë përtej utilitarizmit të ngushtë, në se duan të lënë gjurmë dhe të mos mbeten përjetësisht anonimë, në një kohë që elektorati dhe qytetaria i ka ngarkuar që të jenë persona publikë. Kjo është sfida që qytetaria shqiptare e pret të ndodhë, si ndryshim në zgjedhjet e ardhshme, për të krijuar një “trupë parlamentare”, që ka mundësi t’i përgjigjet me përgjegjësi, profesionalizëm dhe dinjitet sfidave të zhvillimit të vendit. Parlamentit dhe politikës profesioniste i duhen njerëz që kanë aftësi të udhëheqin, jo njerëz që zvarriten pas njëri apo tjetrit bajraktar.