E Diel, 1 Nëntor 2026

Amb. hungarez: Vendi i Kosovës, në familjen evropiane

Kjo është deklarata e bërë sot nga ambasadori i Hungarisë në Prishtinë, Zoltan Imecs, gjatë një takimi me Presidentin Fatmir Sejdiu, në përfundim të mandatit të tij diplomatik në Kosovë. Kryediplomati hungarez vlerësoi mendimin pozitiv të GJND-së për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se “tashmë janë krijuar të gjitha rrethanat që shteti i ri të njihet edhe nga vendet e tjera që cilat nuk e kanë bërë ende këtë”.

Zyra e shtypit e Presidentit bëri të ditur se Sejdiu vlerësoi punën e ambasadorit Imecs, në bashkëpunim me institucionet e Kosovës në procese shumë të rëndësishme si para, ashtu edhe pas shpalljes së pavarësisë së vendit.

Edhe në këtë takim, Presidenti Sejdiu ritheksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për bashkëpunim të gjithanshëm me Republikën e Hungarisë, nga e cila, me besim të plotë, pret mbështetje të mëtejshme në procesin e sigurimit të njohjeve të reja dhe të integrimit sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›