E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk afishohen listat, emigrantët pritje me orë

24/08/2010 Dyndje për tërheqjen e pasaportave biometrike, mungon informacioni

Në radhë fëmijë e pleq, shprehen të indinjuar për shërbimin

KORÇE- Mëngjesin e së hënës para sportelit të vetëm të kompanisë “Aleat”, në Korçë, u gjend një numër i madh familjesh emigrantësh, të cilët prisnin marrjen e pasaportave biometrike, por për shkak të mungesës së çdo lloji informacioni apo edhe të mungesës së listave të afishuara për t’u bërë me dije qytetarëve se kujt i kishte dalë pasaporta dhe kujt jo, krijuan një konfuzion të madh që vazhdoi përgjatë gjithë ditës. Për këtë arsye, pati familje që pritën për orë të tëra, dhe së fundi, kur mbërritën pranë sportelit morën përgjigjen se pasaporta e tyre ende nuk ishte gati, kur një përgjigje të tillë mund ta kishin marrë që në orët e para të mëngjesit, nëse do të ekzistonte një listë vetëm për ata që u kishte dalë pasaporta. Kjo solli jo vetëm një numër të madh njerëzish para sportelit, por edhe një mundim të panevojshëm, sepse tashmë nga një familje nuk paraqitet një person i vetëm, por gjithë familja, përfshi këtu gratë dhe fëmijët, por edhe pleqtë, ku për këta të fundit ishte një torturë e vërtetë dhe një zhgënjim i madh. Veç sa më sipër, duke qenë vetëm një sportel në dispozicion të shpërndarjes së pasaportave biometrike, ritmet e shpërndarjes së tyre kanë qenë mjaft të ulëta. Nëse do të vijohet edhe në ditët e ardhshme me këtë praktikë pune, atëherë sërish do të ketë radhë të gjatë, pritje pa fund, mërzi dhe dëshpërim nga ana e qytetarëve, sepse tashmë të gjithë emigrantët presin të marrin pasaportën dhe të largohen nga vendi. Pra, mund të thuhet se fluksi i aplikimeve ka marrë fund, ndërsa ajo e tërheqjes është në pikun e saj. Të gjendur në këto kushte, kur këtë organizim nuk mund ta bëjë dot kompania “Aleat”, familjet e emigrantëve ( të paktën kështu ndodhi ditën e hënë), zgjodhën njërin prej tyre që të përpilonte listat, sipas kohës së mbërritjes pranë sportelit, me qëllim shmangien e çdo incidenti të mundshëm mes tyre, pasi ka mjaft emigrantë që për shkak të mospasjes kohë në dispozicion, sepse duhet të jenë një orë e më parë në Greqi, tentojnë të dalin të parët në radhë, duke mënjanuar kështu, gratë apo të moshuarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›