Ambasada Amerikanë në Shqipëri jep 48 mijë dollarë për restaurimin e galerisë së arteve në kalanë e Gjirokastrës

Galeria e Arteve në kalanë e qytetit muze të Gjirokastrës, në jug të Shqipërisë, do të rikonstruktohet me një fond prej rreth 48 mijë dollarë, akorduar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Përmes këtij investimi, Galeria e Arteve në kalanë e qytetit pasuri botërore e UNESKO-s do të shndërrohet në një mjedis bashkëkohor për konferenca, ekspozita, aktivitete artistike etj. “Ky projekt synon të mbështesë këtë vlerë historike dhe arkitektonike që mbart kështjella e Gjirokastrës”, tha dje në mbrëmje ambasadori i SHBA në Shqipëri, John Ëithers, i cili ndodhej për një vizitë dy ditore në qytetin në jug të Shqipërisë. Projekti për rikonstruksionin e galerisë është përgatitur dhe miratuar nga Këshilli i Restaurimit, ndërkohë që puna pritet të nisë së shpejti. Sigurimi i këtij fondi është pjesë e përpjekjeve që Organizata për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës Historike po bënë për zbatimin e projekteve të ndryshme restauruese në kala. Fondi i ambasadës së SHBA-së në Tiranë do të përdoret për restaurimin e njërës prej tre hapësirave të galerisë, që zë një sipërfaqe prej 280 metra katror dhe ka një lartësi deri në 6 metra. “Meqënëse arkitektura e kësaj galerie është në vetvete një muze, projekti ynë i restaurimit synon standardet më të larta", u shpreh për Sadi Petrela, drejtori i Bordit të Organizatës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës (GCDO). Sipas tij, "me këtë restaurim, galeria do të kete një mikroklimë të përshtatshme me parametrat e duhura të lagështirës dhe temperaturës për ruajtjen e veprave të artit dhe organizimin e aktiviteteve të ndryshme". Sipas projektit, punimet restauruese dhe rifiniturat do të përfshijnë gjithë sipërfaqen e mureve me harqe dhe kupola prej guri. Dyshemeja do të hidroizolohet, duke ulur nivelin e lagështirës dhe do të shtrohet me pllaka guri, me qëllim kthimin e saj në formën e dikurshme. Edhe sistemi elektrik do të rehabilitohet plotësisht.
...