E Shtunë, 31 Tetor 2026

Niveli i humbjeve në rrjet bien në vlerën 34% në Vlorë

Gjatë muajit shtator, niveli i humbjeve në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në qytetin e Vlorës arriti në 34 përqind, treguesi më i ulët i humbjeve në të paktën 15 vitet e fundit. Burime zyrtare të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes bënë të ditur se nveli i humbjeve ka një rënie prej 2 përqind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ai llogaritej në 36 përqind. Sipas burimeve, ky tregues pozitiv është rrjedhojë e investimeve të realizuara në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike si dhe e punës së bërë për rritjen e nivelit të arkëtimeve, përmes ndëshkimit të debitorëve, prerjes së lidhjeve të paligjshme etj. Prej pak ditësh, rrjeti i shpërndarjes së energjisë në qytetin e Vlorës është përfshirë në sistemin 20 kilovolt, gjë që është konkretizuar përmes një projekti të financuar nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore, me një vlerë financiare prej 9 milionë USD. Kjo është shoqëruar me minimizimin e defekteve dhe uljen e nivelit të humbjeve si dhe përmirësim të parametrave të furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve. Treguesit e muajit shtator pasojnë ata të arritur në 4 vitet e fundit, kur niveli i humbjeve në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike në Vlorë ka shënuar rënie të vazhdueshme. Krahas kësaj, është shënuar përmirësim i ndjeshëm edhe në nivelin e arkëtimeve, që aktualisht ka arritur në më shumë se 88 përqind. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) ka ndërmarrë aksione të vazhdueshme për prerjen e lidhjeve të paligjshme të furnizimit me energji elektrike dhe ndëshkimin e debitorëve. Gjatë muajit shtator u aplikuan sanksione ndaj 8000 debitorëve, të cilët nuk shlyenin detyrimet e energjisë së konsumuar për periudha të ndryshme kohore. Për t’u ardhur në ndihmë konsumatorëve familjarë, sportelet e arkëtimeve të OSSH funksionojnë edhe në fundjavë.  Në qytetin e Vlorës numërohen gjithsej 31 mijë abonentë, ndërkohë që në të gjithë rrethin llogariten rreth 60 mijë të tillë. Qyteti i Vlorës furnizohet pa ndërprerje, me energji elektrike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›