E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojkotimi i pacak i Kuvendit, një dënim i rëndë ndaj sovranit

Sa herë që diktatura dështonte, hakmerrej ndaj popullit. Ishte metodë e saj t’i zgjidhte problemet me dhunë. Asnjëherë diktaturat nuk e kanë kërkuar fajin te vetja. Ato gjithmonë kanë krijuar një armik, edhe kur ky i fundit nuk ekzistonte. Se diktaturat nuk jetojnë dot pa armiq. Sipas tyre, e drejta është gjithmonë me më të fortin. Kurse ato nuk pranojnë kurrë se janë të dobëta. Ashtu si dhe janë ! Për tiranitë nuk ka gjë të paarritshme. Çdo gjë ato e realizojnë duke mos i vënë kufí sakrifikimit të njerëzve. Por, për të mos u armiqësuar me të gjithë, sajojnë armiq imagjinarë. Këta të fundit kanë qënë “kurbanët”, me të cilët ato terrorizonin popullin. Se dhe terrori ka qënë një lloj ndëshkimi për masat. Natyrisht, diktatura dënonte më të pambrojturit. Me terrorin ajo “kompensonte” mungesën e mirëqënies, të lirisë, të lëvizjes së lirë, e tj. Nëse puna diku çalonte, të gjithë prisnin që aty të binte “rruféja”. Vetëm kështu mund të shpjegohet megalomanía e diktaturës për ta shpallur vendin më të varfër “fener ndriçues në botë”. 

Reminishenca të këtij mentaliteti ruhen endé nga disa lider të P.S.-së dhe veçanërisht tek Edvin Rama. Deviza “shpif, shpif, se diçka do të mbetet” atij i buron nga bindja se vetëm ai ka të drejtë. Gjithë mangësitë e veta ai tenton t’i plotësojë duke mohuar çdo meritë të kundërshtarit. Madje, atij të gjithë i duken armiq, sabotatorë, hajdutë e manipulatorë. Ndoshta prandaj nuk e njeh dhe pendesën, kritikën ndaj vetes, dorëheqjen, e tj. Edhe nga dyshimi më i vogël ai mund të sajojë fajësí të mëdha.  Dhe aq shumë e bind veten se të gjithë ia kanë me të keq,  sa gjithkush arrin të dyshojë në normalitetin e hamendjeve të tij. Dhe flet me patos për akuza të paqëna, edhe sikur gjithë bota t’ia kundërshtojë. 

Dihet që zgjedhjet e qershorit u çmuan si më të mirat e zhvilluara gjatë tranzicionit. Ato u monitoruan edhe nga miqtë ndërkombëtarë. Nga ata që të duan vetëm demokratizimin e vendit tonë. Fillimisht për këto u entusiazmua edhe vetë Rama. Kjo ndodhi sa kohë që shpresoi se do të dilte forcë e parë dhe do t’i besohej fomimi i qeverisë. Por, me të diktuar se po dilte humbës, ndryshoi qëndrim dhe u vetëbind se duhej t’ia kishin vjedhur votat. Ndaj shpalli bojkotimin e kuvendit në emër të mbrojtjes së votës së lirë. Sipas kësaj logjike, çdo subjekti që nuk do t’i pëlqente ndonjëherë rezultati i një gare, duhej të protestonte duke akuzuar për manipulim kundërshtarin. A do t’i mbetej kohë atëherë shqipërísë për t’u marrë me të ardhmen e saj ? 

Bojkoti e ka ndëshkuar rëndë sovranin duke bllokuar miratimin e ligjeve kryesore dhe realizimin e reformave madhore. Ky bojkot po bëhet në një kohë, kur pjesmarrja e deputetëve socialistë në parlament është imperative. Por egoistit Rama nuk i bëhet vonë, as për imazhin e Shqipërisë, as për progresin që duhet i duhet vendit. Atij i duhet vetëm konsolidimi i pozitave të tij dhe rritja e autoritetit fals brenda P.S., meqë e “nderiti” me filozofinë e bashkimit nëpërmjet përçarjes. Se, kur komisionerët e tij firmosën pa mëdyshje procesverbalet, kur opinioni shqiptar u entusiazmua me nivelin e arritur në këto zgjedhje; kur dhe ndërkombëtarët po na përgëzojnë për këtë nivel cilësisht të kënaqshëm të zgjedhjeve, del befas Rama dhe deklaron me mburrje që të gjithë duhet të rishikojnë qëndrimet. Dhe “argumenton” se  ky vend është larg standarteve, që i duhen për vizat, a për t’u anëtarësuar. Dhe këtë e bën, kur ai e ka të hapur portën e çdo kontestimi në kuvend, kur në votimin për rizgjedhjen e tij si kryetar shumë socialistë as që e votuan, kur shansi që i ka ardhur Shqipërísë, ndoshta, nuk përsëritet lehtë. Por Ramës nuk i duhet një sukses që do t’i atribuohej së djathtës. Ndërkohë sovranit i kujtohen vargjet e nolit :” Por, kur dimër del behari, s’ka si zjarri !”. Ndaj Rama, i mërdhihur, u thotë shqiptarëve “Ndal!”. Të ndalen, se nuk do avokati i krimit të shkohet kaq heret në Europë. Se heqjen e vizave dhe integrimin e ka kushtëzuar hajdutëría. Dhe kjo hajdutërí miliardere nuk është bindur endé se i ka siguruar pasuritë e vjedhura dhe i ka “ligjëruar” tamam pronat e grabitura. Ajo ka frikë se nuk janë fshirë endé nga kujtesa e shqiptarëve krimet e komunizmit. Endé nuk janë bindur miliarderët socialistë se me futjen në Europë dhe ballafaqimin me ligjet e saj, do të mbeten përsërí padronë të këtij “çifliku”, që ata dje e vranë, kurse sot mendojnë ta vjedhin më tej. Nuk janë endé të sigurtë gangsterët socialistë se nuk kanë për t’u përgjigjur për shkopinjtë që i vunë nën  rrota demokracisë. Se kjo është dita kur po bëhet realitet edhe ëndërra e “skllevërve modernë” të komunizmit. Ëndrra, kur dhe këta, të vetëflijuarit për demokrací, të mund të shkojnë lirisht në Europë dhe në Amerikë. Të punësohen e të shkollohen dhe këta lirisht atje, në Perëndim, si fëmijët e xhelatëve të tyre të djeshëm. 

Bojkoti i zgjatur po tregon se këtë nuk e duan as Rama, as gjithë mëkatarët socialistë.  Po bëhet e qartë se avokatit të mëkatarëve, Edvin Rama, nuk i duhet një europianizim kaq i shpejtë i Shqipërísë. Por, meqë nuk del dot haptas, ngre “flamurin” e mbrojtjes së votës së lirë. Dhe e bën këtë me klithmat e një arroganti aq të çmendur, sa shqiptarëve s’u mbetet veç të mallkojnë veten që s’qënkan të pranueshëm për vëllezërit e tyre europianë.(!) Dhe tërë ky paradoks ndodh, kur personalitetet më të larta e më serioze europiane na presin me krahët hapur në gjirin e tyre ! Ndoshta prandaj sovrani thotë :” Kur i zoti do, tellalli nuk pranon !”. Ndërkohë kusarët, e pasuruar me “ligjin” e Maliqit”, vazhdojnë këngën e qyqes, duke mos i vënë as afat këtij bojkoti vrastar, që i ngjan një hakmarrjeje primitive ndaj këtij sovrani të shumëvuajtur !...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›