E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ambasada Amerikane për vizitën e Donfried dhe Ecobar në Shqipëri: Roli i opozitës së fortë, i rëndësishëm për demokracinë

Zyrtarja e lartë e DASH, Karen Donfried dhe i dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar kanë zhvilluar një vizitë në Shqipëri, ku janë takuar me Kryeministrin Rama, ministrat dhe drejtuesit e opozitës.

Ambasada amerikane në Tiranë ka bërë me dije se gjatë takimeve të zhvilluara, Donfried dhe Escobar kanë rikonfirmuar mbështetjen e SHBA për anëtarësimin e vendit tonë në BE.

Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe Gabriel Escobar, kanë vënë theksin gjithashtu te roli i një opozite të fortë në demokracinë e vendit.

Ata kanë nënvizuar se SHBA do të vijojnë luftën kundër korrupsionit, ndërsa nxitën vijimin e reformave të nevojshme.

Postimi i Ambasadës amerikane në Tiranë:

Si pjesë e vizitës së saj në Ballkanin Perëndimor, Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar ishin në Shqipëri në 28 dhe 29 prill.

Ata u takuan me Kryeministrin Edi Rama, ministra të ndryshëm, dhe drejtuesit e opozitës. Qëllimi i vizitës së tyre ishte thellimi i partneritetit tashmë të fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë si miq, aleate në NATO dhe anëtare në Këshillin e Sigurimit së Kombeve të Bashkuara, sidomos teksa festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve tona dypalëshe. Ata rikonfirmuan mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe nxitën vijimin e reformave të nevojshme, përfshirë reformën në drejtësi; mirëpritën përpjekjet e fundit për të diversifikuar burimet, furnizimet dhe rrugët e energjisë në Shqipëri dhe më gjerë në rajon; dhe nënvizuan se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit si një interes thelbësor i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Ata theksuan gjithashtu rolin e pazëvendësueshëm të një opozite të fortë në demokracinë e Shqipërisë, theksuan rëndësinë e institucioneve të forta demokratike dhe sundimit të ligjit dhe shprehën shpresën për një partneritet të efektshëm dhe që sheh përpara me popullin shqiptar, duke përfshirë edhe partitë që i përfaqësojnë ata.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›