SHBA: Mbështesim fuqimisht integrimin e Shqipërisë në BE, reformën në drejtësi. Opozita rol të pazëvendësueshëm

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe nxisin autoritet shqiptare për vijimin e reformave të nevojshme, përfshirë reformën në drejtësi. Ky ka qenë qëndrimi i zyrtarëve më të lartë amerikanë, të cilët që nga dita e djeshme po zhvillojnë një vizitë në Tiranë, duke u takuar me autoritet më të larta shqiptare në nivel politik dhe institucional.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes një postimi në Facebook, ka dhënë detaje, në lidhje me takimet që zhvilluan në Tiranë nga Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar.
“Ata u takuan me Kryeministrin Edi Rama, ministra të ndryshëm, dhe drejtuesit e opozitës. Qëllimi i vizitës së tyre ishte thellimi i partneritetit tashmë të fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë si miq, aleate në NATO dhe anëtare në Këshillin e Sigurimit së Kombeve të Bashkuara, sidomos teksa festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve tona dypalëshe. Ata rikonfirmuan mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe nxitën vijimin e reformave të nevojshme, përfshirë reformën në drejtësi; mirëpritën përpjekjet e fundit për të diversifikuar burimet, furnizimet dhe rrugët e energjisë në Shqipëri dhe më gjerë në rajon; dhe nënvizuan se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit si një interes thelbësor i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”, thuhet në informacionin e shpërndarë nga ambasada amerikanë në Tiranë.
Sipas këtij njoftimi, zyrtarët e lartë amerikanë theksuan rolin e pazëvendësueshëm të një opozite të fortë në demokracinë e Shqipërisë, si dhe theksuan rëndësinë e institucioneve të forta demokratike dhe sundimit të ligjit.
“Ata shprehën shpresën për një partneritet të efektshëm dhe që sheh përpara me popullin shqiptar, duke përfshirë edhe partitë që i përfaqësojnë ata”, shkruan ambasada amerikane.
Edhe ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, ka reaguar pas vizitës së të dërguarës së DASH në vendin tonë, Donfried.
“E mrekullueshme për të pasur të dërguarën e DASH, Donfried, këtu për të takuar liderët e Shqipërisë, për të forcuar demokracinë, mbrojtjen dhe lidhjet e biznesit; integrimi evropian; siguria energjetike; bashkëpunim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së kundër pushtimit të Ukrainës. Shumë punë për të bërë, por do të kemi sukses nëse e bëjmë së bashku!”, shkruan Kim.
/rtsh.al/