E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasada amerikane: Qeveria të angazhojë individë kompetent në AKP

Largimi i përfaqësueses së Shteteve të Bashkuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, ka ndodhur në kërkim të një procesi transparent të privatizimit.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë i ka dërguar një përgjigje me shkrim Radios Evropa e Lirë, në ndërlidhje me largimin e Bernadette Roberts nga bordi i drejtorëve të AKP-së.

“Zhvillimi i sektorit privat dhe privatizimi janë vendimtarë për rritjen ekonomike të Kosovës dhe krijimin e vendeve të punës".

"Prandaj, është e domosdoshme që qeveria të angazhojë individë kompetentë dhe etikë për të zhvilluar një proces të drejtë dhe transparent të privatizimit nga i cili përfiton Kosova si e tërë dhe jo interesat individuale”, thuhet në përgjigjen e ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë.

Zonja Roberts është dorëhequr të hënën nga pozita e saj në AKP, ndërsa dorëheqjen ajo ua kumtoi kolegëve të vet të bordit përmes një shkrese, por, siç thonë ata, pa dhënë shpjegime të tjera.

Largimi i përfaqësuesve amerikanë nga ky institucion, është cilësuar si lajm jo i mirë për Kosovën, si nga zyrtarët shtetërorë, ashtu edhe nga forcat politike në opozitë dhe shoqëria civile.

Bordi i AKP-së kryesohet nga Blerim Rexha, ndërsa anëtarët tjerë janë: Haxhi Arifi, Skender Komoni, Dardane Peja, Maja Milanoviq, Hubert Warsmann dhe Muhammed Omran. /Indeskonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›