Ambasada e SHBA i përgjigjet Berishës: Pozicioni ynë ndaj tij mbetet i qartë dhe i panegociueshëm

Ambasada e Shteteve te Bashkuara i përgjigjet ish Kryeministrit Sali Berisha lidhur me deklaratat e dhëna prej tij një ditë më parë në një intervistë televizive. E pyetur nga RTSH, zyra e marrëdhënieve me publikun e ambasadës se SHBA u shpreh: “Pozicioni i SHBA në lidhje me shpalljet për korrupsion madhor mbetet i qartë dhe ato nuk janë të negociueshme”.
Një ditë më parë në një intervistë televizive zoti Berisha ishte shprehur se pas zgjedhjeve të 6 marsit ambasadorja amerikane Yuri Kim i kishte dërguar në zyrën një person me propozimin që të hiqte dorë provizorisht nga gara për kryetar të PD-së, duke paraqitur garanci të plotë se Basha do të largohej dhe do të pranonte vendimet.
Deklaratat e zotit Berisha erdhën po atë ditë kur zonja Kim takoi zotin Enkelejd Alibeaj, duke thënë se ishte takuar me kryetarin në detyrë të Partisë Demokratike.