Ambasada e SHBA-së:Protesta e PS mund të zgjasë disa ditë

Demostrata e Partisë Socialiste mund të zgjasë disa ditë. Të paktën ky është informacioni që vjen nga Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila ka bërë publik një njoftim zyrtar në faqen e saj në internet. Në këtë njoftim ambasada njofton qytetarët e saj të marrin masa pasi të dhënat me të fundit flasin që demostrata mund të zgjasë disa ditë. Megjithatë Partia Socialiste nuk e konfirmon këtë fakt, por kjo nuk e përjashton mundësinë që kjo të jetë edhe një nga surprizat e kësaj demonstrate. Nëse do tu referoheshim gjithë njoftimeve të fundit që ambasada ka dhënë, qoftë thirrjet për të mos pasur dhunë në 21 janar etj, kanë rezultuar të vërteta. Duhet theksuar gjithashtu se në të gjitha rastet ambasada ka pezulluar aktivitetin. Partia Socialiste rikthehet ditën e premte me datë 18 shkurt në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në një demostratë kundër mazhorancës dhe qeverisjes që ajo po i bën vendit. Në orën 16.00 opozitarët do të bashkohen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të demostruar kundër kryeministrit Sali Berisha dhe drejtimit që ai po i bën vendit. Partia Socialiste ka bërë të ditur se ndryshe nga dy herët e shkuara në këtë demostratë do të vendoset podium dhe do të ketë fjalime të drejtuesve socialiste dhe të përfaqësuesve të opozitës së bashkuar. Organizatorët kanë paralajmëruar këtë demostratë si nisjen e një vale të re përmes së cilave kërkesa e vetme ndaj kryeministrit Sali Berisha do të jenë zgjedhjet e parakohshme. Qytetarët që do të mbështesin këtë demostratë do të mblidhen nga të gjithë qytetet e vendit dhe nga pika të caktuara në kryqytet do të bashkohen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Tek stacioni i Trenit do të grumbullohen njësitë bashkiake 8 dhe 9, por edhe qytetarë e ardhur nga zonat veriore të vendit, të cilët në orën 13 e 30 do të nisin marshimin drejt bulevardit. Tek “Zogu i Zi” do të grumbullohen banorët e njësisë 11, por edhe qytetarët e ardhur nga Vora, Durrësi, Fushë Kruja ku përmes rrugës së Durrësit do të dalin në sheshin “Skënderbej” drejt bulevardit. Tek stadiumi “Dinamo” do ketë disa grumbullime të njësinvë bashkiake 5 e 7 si dhe qytetarëve që do mbërrijnë nga jugu i vendit. Tek Fakulteti Filologjik do të mblidhen njësitë 1 e 2 dhe demostruesit që do të vijnë nga qytetit i Elbasanit.