Ambasada gjermane, financim për Forumin e Lirë Shqiptar
Forumi i Lirë Shqiptar nënshkruan një marrëveshje financimi me ambasadën gjermane. Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchardt, dhe zv.kryetari i Forumit të Lirë Shqiptar, Dorian Duçka, firmosën një marrëveshje financimi. Shuma do të akordohet për projektin "Përmirësimi i mekanizmave të komunikimit deputet-qytetar". Ky projekt është një ndër nismat e shumta të organizatave të shoqërisë civile, të cilat mbështeten rregullisht nga pala gjermane me fonde të Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore. Shumica e projekteve të mbështetura do t‘i shërbejnë forcimit të shoqërisë civile. Forcimi i sektorit të drejtësisë dhe atij policor, si dhe lufta kundër korrupsionit janë pika të tjera të rëndësishme. Këtë vit nga pala gjermane do të mbështeten projekte të ndryshme në fushën e asistencës policore në arsim dhe pajisje, të cilat kapin një shifër rreth 136.000 euro. Gjithashtu, Gjermania mbështet "Transparency International" në një projekt mbi luftën kundër korrupsionit, duke vënë në dispozicion rreth 20.000 euro. Krahas kësaj Gjermania në bashkëpunim me OSBE-në mbështet më tej Qendrën e Këshillimit të Grave në Kukës, si dhe qendra të tjera për zhvillimin e shoqërisë civile. Këtë vit, Gjermania mbështet në Shqipëri me fonde të Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore projekte me një vlerë prej rreth 400.000 euro.