E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ramush Haradinaj shpallet i pafajshëm

Gjykata e Kombeve të Bashkuara për krime të luftës në Hagë shpalli të pafajshëm ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn, dhe e shfajësoi atë nga të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Haradinajt. Edhe i akuzuari tjetër, Idriz Balaj, u shpall i pafajshëm dhe u shfajësua nga të gjitha akuzat kundër tij. Lahi Brahimaj u shpall fajtor për dy akuza: trajtim mizor dhe torturë si shkelje të ligjeve të luftës. Brahimaj u shpall i pafajshëm për akuzat e tjera të aktakuzës. Brahimaj u dënua me gjashtë vjet burg, që përfshin kohën që ka kaluar në burg rreth tri vjet. Tre të akuzuarit janë ngarkuar me 37 vepra gjatë kohës kur kanë drejtuar me forcat e ish-UÇK-së, në zonën operative të Dukagjinit në Kosovën perëndimore. Prokuroria ka kërkuar një dënim maksimal prej 25 vjetësh për zotin Haradinaj, duke e akuzuar atë për krime të rënda ndaj civilëve serbë në rajonin, ku ai ka komanduar. Por pala mbrojtëse ka thënë se akuzat nuk kanë bazë dhe ka kërkuar lirimin e pakusht të Ramush Haradinajt.

Kërkesën për lirimin e zotit Haradinaj e kanë bërë edhe institucionet e Kosovës që kanë theksuar pafajësinë e tre të akuzuarve nga Gjykata e Hagës.

Deklarata

Menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Hagës, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një letër drejtuar opinionit publik thekson:

Me padurim po pres të kthehem te familja dhe qytetarët e mi të dashur të Republikës së Kosovës. Kur kam dhënë dorëheqjen në mars të vitit 2005, për t‘u ballafaquar me këtë aktakuzë, popullit të Kosovës i kam thënë se ata mund t‘i besojnë këtij procesi gjyqësor. Gjykata gjatë tërë procesit e ka shikuar me kujdes evidencën që prokuroria ka sjellë përpara gjatë periudhës nëntëmujore dhe ka konstatuar se akuzat e bëra ndaj meje dhe ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë qenë false. Ky vendim e fuqizon Kosovën. Ne jemi ballafaquar me situata të vështira në rrugëtimin tonë për liri, i cili ka marrë shumë jetë. Sot, ne jemi komb i lirë dhe sovran. Tani mund të ndërtojmë një shoqëri dinamike dhe të bashkuar, e cila bazohet në sundim të ligjit dhe në respektim të të drejtave themelore për të gjithë qytetarët e Kosovës. I shpreh falënderimet e mia më të sinqerta popullit të Kosovës dhe miqve të shumtë ndërkombëtarë, për besimin e tyre dhe përkrahjen që më kanë ofruar gjatë tri viteve të fundit".

Portreti i një heroi të Kosovës

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i shpallur i pafajshëm nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (TPI) për ish-Jugosllavinë në Hagë, është një ish-komandant i UÇK-së, që shqiptarët e Kosovës e konsiderojnë si një hero. Haradinaj drejtoi gjatë konfliktit 1998-1999 njësitë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në rajonet e Pejës, Deçanit dhe Gjakovës.

I lindur në Glloxhan, lokalitet pranë Deçanit (perëndim i Kosovës), më 3 korrik 1968 Haradinaj ka një diplomë të Fakultetit Juridik të Prishtinës, ndërsa po vazhdon studimet Master për Ekonomi në Universitetin amerikan të Prishtinës. Ai e kreu shërbimin ushtarak në radhët e Ushtrisë Federale Jugosllave (JNA) në juglindje të Serbisë, përpara se të merrte pjesë në 1989 në manifestimet e shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit të Beogradit. Më pas ai emigroi në Zvicër, përpara se të bashkohej me legjionin e huaj francez. Pas kthimit në Kosovë, në 1997 ai organizoi së bashku me dy vëllezërit e tij, Daut dhe Shkëlzen, një grup për të sulmuar policinë serbe në Kosovë. Në Glloxhan ai themeloi njësinë e quajtur "Shqiponjat e zeza", të integruar në UÇK. Në prill 2000 Haradinaj u fut në politikë. Ai u zgjodh kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në qershor 2002. Në zgjedhjet legjislative të tetorit të kaluar në Kosovë, AAK-ja fitoi 9 vende nga 120 që numëron Parlamenti dhe u bashkua me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) të Ibrahim Rugovës që ka 47 vende. Kandidatura e Haradinajt për postin e Kryeministrit nuk ngjalli asnjë kundërshtim nga ana e drejtuesve të misionit të OKB-së (UNMIK) që administron Kosovën që prej 1999. I martuar dhe baba, Ramush Haradinaj flet mirë anglisht dhe frëngjisht.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›