Parashikimi i motit, reshje shiu deri të hënën
Ulja e temperaturave dhe moti i "keq" do të shoqërojnë të gjithë fundjavën. Edhe për tri ditët në vijim, vendi ynë do të ketë ulje të temperaturave, krahasuar me ato të ditëve më parë. Madje temperaturat e ulëta do të shoqërohen edhe me reshje shiu. Instituti i Hidrometeorologjisë njofton se do të kemi vranësira, pra reshje shiu të vazhdueshme dhe në mënyrë të veçantë mot jo të qëndrueshëm. Kjo situatë do të vazhdojë deri në fund të javës dhe mund të kemi shpresa për kthjellim të motit vetëm ditën e hënë. Sipas parashikimit të Institutit të Hidrometeorologjisë, do të kemi vranësira në fundjavë, reshje shiu dhe ulje të temperaturave me pak gradë Celsius, përkatësisht 2-3 gradë Celsius. Sipas sinoptikanëve, në pjesën juglindore të vendit do të vazhdojnë vranësirat, ndërsa reshjet do të jenë lokale. Të gjitha këto ndryshime atmosferike i detyrohen presionit atmosferik të ulët. Sipas meteorologëve, vendi ynë do të ndikohet nga periferia e presionit atmosferik të ulët, me qendër në juglindje të detit Mesdhe. Masat e ajrit, që qarkullojnë janë të paqëndrueshme dhe vazhdojnë të vijnë të lagëta dhe më të freskëta se 24 orë më parë. Moti parashikohet të jetë me vranësira të dendura dhe mesatare, duke u shoqëruar me reshje shiu me intensitet jo të lartë. Era do të fryjë me shpejtësi 1-6 metra në sekondë në drejtimin jugperëndim-juglindje. Valëzimi në bregdet parashikohet të jetë 3-4 ballë. Disa nga temperaturat në vendet kryesore do të jenë: Tiranë 9 dhe 16 gradë Celsius, Shkodër, 7 dhe 16 gradë Celsius, Peshkopi 3 dhe 11 gradë Celsius, Korçë 3 dhe 10 gradë Celsius.