E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, bosh dosja për shkencën

Shqipëria është ndër të paktat vende në Evropë që nuk disponon të dhëna kombëtare mbi shkencën dhe teknologjinë. Kështu është shprehur ministri i Arsimit, Genc Pollo, dje, gjatë një seminari me temë "Strategjia për kërkimin shkencor". Sipas tij, prioriteti kryesor është hartimi i një strategjie afatmesme për kërkimin shkencor. Së dyti, integrimi i Shqipërisë në zonën evropiane të kërkimit shkencor. Një tjetër qëllim i takimit ishte dhe mundësimi i trajnimit të kërkuesve shkencorë shqiptarë në mbledhjen dhe analizën e statistikave, treguesve në shkencën e teknologjinë tonë.

Por cilat janë të dhënat e shkencës që zhvillohet në Shqipëri krahasuar me ato të vendeve evropiane apo më gjerë. Kjo është një pyetje që nuk gjen përgjigje as nga strukturat shtetërore. Ministri i Arsimit ka pranuar se këto të dhëna mungojnë dhe një ndër synimet e MASH-it është nxjerrja e këtyre të dhënave.

Fillimisht pritet të hartohet strategjia sektoriale, pjesë e Strategjisë Kombëtare për Integrim. Për këtë, ministri i Arsimit deklaroi se është kërkuar ndihma dhe asistenca e UNESCO-s dhe ekspertëve të saj, të cilët do të ndihmojnë në hartimin e politikave dhe dokumenteve strategjike.

"Paralelisht me përgatitjen e strategjisë do të ecë edhe puna për matjen e indikatorëve dhe statistikave të kërkim-zhvillimit", u shpreh Pollo. Ndërsa shtoi se jemi ndër vendet e pakta që nuk ka një sistem të mbajtjes së indikatorëve të OECD-së në këtë fushë, dhe kjo mangësi duhet të plotësohet sa më parë.

Konferenca e djeshme për kërkimin shkencor u organizua nga Zyra Rajonale e UNESCO-s për Shkencën dhe Kulturën në Evropë dhe Ministria e Arsimit.

Në të morën pjesë zv/ministrja e Arsimit, Ardiana Gjonaj, këshilltari i Kryeministrit për arsimin, Myqerem Tafaj, drejtori i UNESCO-s për kulturën dhe shkencën, Engelbert Ruoss, ekspertë të shkencës dhe politikave kërkimore dhe statistikore nga Zvicra, Franca e Greqia, rektorë të universiteteve, etj. Strategjia për shkencën 2008-2013 ishte qëllimi kryesor i takimit. Ajo synon ta integrojë Shqipërinë në Zonën Evropiane të Kërkimit Shkencor.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›