“Të largohet Rama, po sillet si Berisha”
Përmes një promemorie, 41 anëtarë të Partisë Socialiste të degës Fier kërkuan dje dorëheqjen e Edi Ramës nga kreu i PS-së. Shkak për këtë vendim është bërë qëndrimi arrogant i kreut socialist ndaj anëtarëve të asamblesë, gjatë mbledhjes së saj pak ditë më parë. “Sot ne denoncojmë qëndrimin ‘përtej të majtës e të djathtës’, duke i bërë thirrje Edi Ramës të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë, veprim i cili është në të mirë të PS e të tij. Ka ardhur momenti që ky vend të shkëputet një herë e mirë nga autoritarizmi e tipat diktatorialë si Rama e Berisha”, u shprehën dje anëtarë të asamblesë socialiste të qytetit të Fierit. Deklarata e bujshme ka ardhur nga anëtari i kësaj asambleje, Hadër Cako dhe Artan Marku. Sipas Cakos, në takimin e pak ditëve më parë, Rama tregoi edhe një herë qëndrimin e tij arrogant e të papërgjegjshëm gjë që sjell ndër mend praktika dhe qëndrime që janë ndjekur nga Partia Demokratike. “Shqetësimet tona duam t’ia bëjmë të njohura edhe simpatizantëve dhe anëtare të Partisë Socialiste, që nesër u duhet të japin verdiktin e tyre nëpërmjet votës. Gjithashtu jemi të detyruar ta bëjmë këtë, sidomos pas qëndrimit arrogant e të papërgjegjshëm të kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili risolli në mendje praktika e qëndrime që deri më sot i kemi dëgjuar e ndjekur si fenomen bashkëshoqëror tek Partia Demokratike e Berishës, që ka mbytur çdo lloj forme e metode demokratike, fjale të lirë si brenda partisë, ashtu edhe në mënyrën sesi qeveris vendin”, u shpreh Cako. Ndërkohë, kryetari i Lëvizjes për Politikë Institucionale në Fier, Artan Marku, është shprehur se përpara 4 shtatorit, mendohej se problemet brenda PS-së ishin thjesht rajonale. “Deri në datën 4 shtator, ditën e mbledhjes së asamblesë, ne mendonim që këto problematika ishin thjesht rajonale, por pas kësaj dite me dhimbje kuptuam që këto probleme fillojnë nga vete kryetari i PS-së Edi Rama, i cili siç duket vazhdon të jetë pjesë e huaj në PS dhe nuk ka as dëshirën më të vogël për ta sjellë PS-ja në pozicionin që ishte, si forca më e madhe politike në vend, pozicion të cilin vetë Edi Rama është bërë shkak që ta humbasë dita-ditës. Sipas Markut e Cakos, ka ardhur momenti që vendi të shkëputet një herë e mire nga autoritarizmi e tipat diktatorialë si Rama e Berisha. “Ne vazhdojmë të jemi anëtarë të Partisë Socialiste, të asaj partie e cila ka qenë pararojë e partive politike shqiptare, si për shkallën e demokracisë së brendshme dhe të lirisë për të cilën kanë luftuar të gjithë shokët dhe shoqet tona dhe që këtë arritje madhështore 15-vjeçare për fat të keq vëmë re që në harkun kohor të 3 vjetëve po e rrënon me praktikat dhe me idetë e tij anarkiste Edi Rama, i cili nën petkun e kryetarit të PS-së po deformon thelbin dhe po denigron vlerat e vërteta të saj dhe do ta kthejë në një parti të njëjtë me PD e Berishën, ku dëgjohet vetëm zëri i kryetarit dhe të tjerët janë të pavlerë, thjesht skllevër”. Në këtë konferencë për shtyp i është bërë thirrje anëtarëve të PS të distancohen nga këto praktika “alla Edi Rama” dhe të bashkohen në luftë të përbashkët për të ruajtur vlerat që i krijuan socialistët e vërtetë. a.r.