E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadat e Shqipërisë do përfaqësojnë edhe Kosovën

TIRANE-Në atë vend të botës, ku shteti i Kosovës nuk ka ambasadën e vet, përfaqësimi i saj diplomatik do të bëhet nga Shqipëria. Ky është thelbi i marrëveshjes së miratuar dje nga Këshilli i Ministrave mes qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e përfaqësimit konsullor. Kjo marrëveshje bën të mundur njehsimin e legjislacionit dhe praktikave mes dy vendeve dhe përgjysmon edhe shpenzimet përkatëse të secilit vend.
Kryeministri Sali Berisha vlerësoi punën e bërë nga Ministria e Jashtme për këtë marrëveshje shumë të goditur dhe shumë të domosdoshme, bazuar në një model që e kanë përdorur vende të tjera, dekada më parë. "Shqiptarët duhet ta ndiejnë veten njësoj, si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë dhe nuk ka nevojë qytetari të mendojë se ç'praktikë do t'i duhet të ndjekë në secilin vend", u shpreh Kryeministri, ndërsa theksoi se shqiptarët duhet ta shndërrojnë praninë e dy qeverive dhe administratave në mundësi më të mëdha dhe jo në pengesa dhe burokraci më të mëdha.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›