E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbytja e anijes turke, rinisin kërkimet në det për 8 të humburit

TIRANE-Tetë anëtarët e ekuipazhit të anijes tregtare turke “Reina1” konsiderohen ende të humbur. Dyshimet më të forta janë se të tetë marinarët mund të jenë mbytur.
Këtë të Premte pritet të rifillojnë kërkimet për të humburit. Pritet që një anije turke e sofistikuar për kërkime në thellësi të mbështesë anijet shqiptare në kërkim, bëri të ditur sot në mëngjes kapiteneria e Portit të Durrësit.

Trageti “Ankara”, i cili ishte nisur rreth orës 23:00 të së merkurës, me rreth 200 udhëtarë në bord, është nisur nga Porti i Durrësit drejt Barit dhe 20 milje larg portit, në ujërat ndërkombëtare është përplasur me anijen tregtare “Reina 1”, me një kapacitet 3500 ton, e cila lundronte nga një port rus drejt Malit të Zi. Si pasojë anija tregtare me ekuipazh turk, e cila ishte drejtuar për në Mal të Zi pas nisjes nga porti turk, u fundos brenda pak minutash. Anija tregtare me flamur maltez është fundosur në det për rreth 2 minuta ndërsa ne bord ndodheshin 10 pjestarëve të ekuipazhit me shtetësi turke. Trageti qe nuk pësoi dëme ka qëndruar në vendngjarje për të dhënë ndihmën e parë, ndërkohë që ka lajmëruar Portin e Durrësit për tragjedinë.
Kapiteneria e Portit bëri me dije se dy anëtarë të ekuipazhit të anijes turke janë shpëtuar, ndërkohë që 8 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Burime nga spitali Rajonal i qytetit të Durrësit thanë se, Ahmet Bau 37 vjeç dhe Ahmet Setik, 54 vjeç, të dy nga Stambolli, ndodhen në spitalin rajonal të qytetit, jashtë rrezikut për jetën. Tetë të tjerët janë shpallur të humbur. Kërkimet me mjete të shumta lundruese, por edhe me helikopterë, nuk kanë bërë të mundur gjetjen e asnjë prej trupave.

Trageti i linjës Durrës Bari, ishte afër 20 milje larg brigjeve shqiptare kur është përplasur me një anije tregtare me flamur maltez dhe ekuipazh turk. Një përplasje e fortë e cila ka rezultuar fatale për anijen tregtare e cila sipas dëshmive të ndryshme, është fundosur brenda pak minutash. Dy anëtarë të ekuipazhit, komandanti dhe oficeri i parë kanë mundur të shpëtojnë. Përsa i përket fatit të të tjerëve gjatë ditës njoftimet kanë qenë kontradiktore. Për orë të tëra u njoftua se një trup i vdekur i një prej marinarëve ishte gjetur. Por më pas nga mesdita u tha se gjithshka kish qenë një ngatërresë e lindur nga thëniet e komandantit të anijes. Në orët e para të mëngjesit, nga trageti i cili ndaloi udhëtimin pas përplasjes, u njoftua se ishin parë dy trupa, që më pas kishin humbur nga sytë, por edhe ky variant ra. Aktualisht të tetë anëtarët e tjetrë të ekuipazhit konsiderohen të humbur.

Një operacion i gjerë kërkimi nisi menjëherë pas ngjarjes së rëndë. Në det u angazhuan anije dhe motovedeta të Rojes Bregdetare shqiptare, të policisë së kufirit si dhe një mjet i Guardia di Finanza italiane, një njësi e së cilës ndodhet prej disa vitesh në Durrës dhe në Vlorë në mbështetje të autoriteteve shqiptare për parandalimin e trafiqeve në kanalin e Otrantos. Në mëngjes kërkimet nisën dhe nga ajri, ku angazhuan një helikopter. Pak pas mesditës së të enjtes kërkimet u ndërprenë, pasi sipas autoriteteve nuk ka më shpresë për gjetjen e trupave. Pjesa dërrmuese e anetarve te ekuipazhit kanë qenë në brendësi të anijes e mund të kenë mbetur të bllokuar.

Ende nuk është plotësisht e qartë dinamika e aksidentit të rëndë. Gjithshka duket se do të sqarohet vetëm nga komunikimet që mund të ketë patur në ato momente mes dy mjeteve. Sipas autoriteteve shqiptare, hetimet do të duhet të zhvillohen nga vendet ku janë regjistruar mjetet lundruese, anija tregtare në Malte ndërsa trageti në Turqi, duke qenë se përplasja ka ndodhur në ujërat ndërkombëtare. Pas mesditës, trageti i cili kishte në bord mbi 190 pasagjerë, u rinis drejt portit të Barit në Itali.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera Durrës, trageti përplaset me anijen tregtare, 8 të zhdukur, 2 të mbijetuar VIDEO: Durrës tragjedia, rrëfimi rrënqethës i njërit nga të mbijetuarve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›