E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadatkosovare për 2 vjet nëpër zyra me qira

PRISHTINE-Zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë inkurajojnë Ministrinë e Jashtme që t’i shikojë mundësitë e blerjes së ndërtesave, ku do të vendosen shërbimet diplomatike. Evropa e Lire ben te ditur se ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike/konsullore të Kosovës nuk kanë arritur ende të jenë plotësisht funksionale.

Sipas njoftimeve nga Ministria e Jashtme, ato nuk mund të ofrojnë shërbime konsullore, përderisa nuk përgatitet infrastruktura e nevojshme ligjore dhe logjistike. Këto ambasada funksionojnë ende nëpër zyra me qira, pavarësisht se për dy vjet rresht janë ndarë mjetet për blerjen e ndërtesave në ato vende ku mund të bëhet një gjë e tillë. Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, thotë se është në interesin e Kosovës dhe buxhetit të saj, që të bëhen blerjet e ndërtesave në shtete të caktuara, në mënyrë që të mos shpenzohet në pagesën e qirasë. “Mund të them që ne, në buxhetin e Republikës së Kosovës, kemi paraparë buxhet për blerjen e ambasadave. Vitin e kaluar është zotuar një shumë e caktuar, e cila fatkeqësisht nuk është realizuar. Ne kemi bërë bartjen e mjeteve për blerjen e tyre, edhe këtë vit.
Blerja, gjithsesi është një nevojë, një domosdoshmëri, pasi është duke u dhënë një qira e konsiderueshme. Në afat më të gjatë, konsideroj se më mirë do të ishte që t’i blejmë edhe ambasadat, edhe pjesët rezidenciale”, - thotë Shala. Nga Ministria e Jashtme nuk janë dhënë shpjegime në lidhje me çështjen e jofunksionimit të plotë të ambasadave dhe shërbimit konsullor. Ndërkaq, nga shoqëria civile shtohen kritikat rreth funksionit të shërbimit diplomatik.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›