E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorët: Të hetohet largimi i familjeve rome

OSBE, SHBA dhe BE nxisin autoritetet shqiptare të hetojnë largimin me dhunë të familjeve rome dhe t`u ofrojnë ndihmë të shpërngulurve.
 

Në një deklaratë për përbashkët për shtyp Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri Eugen Wollfarth, Ambasadori i SHBA-së Alexander Arvizu dhe Shefi i Delegacionit të BE-së Ettore Sequi kanë kërkuar nga autoritetet shqiptare të hetojnë ngjarjen.

"Ne u bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse të ndërmarrin veprimet e duhura për hetimin e ngjarjes shqetësuese të shkurtit, për të siguruar që veprime të tilla të mos përsëriten më. Ne i nxisim autoritetet të marrin hapat e duhura për të siguruar asistencën e nevojshme sociale, përfshirë strehimin, për ata njerëz që kanë mbetur të pastrehë" thuhet në deklaratë.
 

Më tej tre ambasadorët shprehen të bindur se shumica e qytetarëve janë kundër akteve të tilla të dhunës ndaj grupeve të pakicave duke shtuar se OSBE, SHBA dhe BE bashkohen me përfaqësuesit e shoqërisë civile në thirrjen për t`i dhënë fund diskriminimit dhe dhunës ndaj familjeve dhe fëmijëve romë.
 

Gjithashtu ambasadorët u ka kërkuar autoriteve shqiptare të zbatojnë Planin e Veprimit për Përmirësimin e Situatës së romëve dhe sintive në Zonën e OSBE-së, si dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave 2009 për Shtimin e Përpjekjeve të OSBE-së për Integrim të Qëndrueshëm të romëve dhe sintive.

“Miratimi i këtij vendimi nga Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së, përfshirë Shqipërinë, tregon angazhimin e këtyre vendeve për të luftuar diskriminimin dhe racizmin ndaj romëve dhe sintive, edhe nëpërmjet medias. Në Opinionin e tij për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim, Komisioni Evropian ka identifikuar luftën kundër diskriminimit dhe mbrojtjen e të drejtave të romëve si fusha parësore, të cilave u duhet kushtuar vëmendje e veçantë nga autoritetet" thuhet në deklaratë.
 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›