E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët USA-OSBE takim me Berishën në fund të mandatit, Wollfarth: Progresi i jashtëzakonshëm

TIRANE - Ambasadori amerikan në vendin tonë, Aleksander Arvizu zhvilloi mesditën e sotme një takim me kryeministrin në largim Sali Berisha, në selinë e Kryeministrisë. Takimi ka zgjatur disa minuta, ndërsa mësohet se gjatë paradites në Kryeministri ka qenë edhe ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth.

Burime të “News24” bëjnë të ditur se këto janë takime lamtumire të dy diplomatëve të lartë, në përfundim të misionit të tyre në vendin tonë. 

Detajet rreth takimit të Berishës dhe ambasadorit Wollfarth janë zbardhur nga zyra e shtypit e Kryeministrisë. Sipas zyrës së shtypit bëhej fjalë për një takim lamtumire, me rastin e përfundimit të mandatit të Wollfarth në vendin tonë. 

Kryeministri Berisha e falënderoi ambasadorin Wollfarth për bashkëpunimin dhe iu uroi atij sukses të plotë në detyrat e mëtejshme. Nga ana e tij, Ambasadori Wollfarth e falenderoi përzemërsisht dhe me mirënjohje të thellë kryeministrin Berisha për bashkëpunimin e shkëlqyer që qeveria shqiptare dhe Kryeministri Berisha i kanë ofruar misionit të OSBE gjatë kësaj periudhe dhe i shprehu kryeministrit vlerësimet më të larta për progresin e jashtëzakonshëm që Shqipëria ka shënuar gjatë kësaj periudhe në të gjitha fushat.

Ambasadori i SHBA-ve në Arvizu, uroi dje fituesit e zgjedhjeve të 23 qershorit, kreun e PS-së, Edi Rama dhe kreun e LSI-së, Ilir Meta. Gjatë takimeve të veçanta që ai zhvilloi në selitë e PS-së dhe të LSI-së, Arvizu u shpreh për një tranzicion të qetë.

Kreu i PS-së, Edi Rama ishte i pari që priti ambasadorin në selinë e PS-së, rreth orës 11:00. Pas takimit që përfundoi rreth orës 11:45 minuta, ambasadori tha se përcolli në këtë seli 2 mesazhe të fuqishme, që sipas tij ishin dhe arsyet e takimeve. "Filluam një diskutim të mirë dhe substancial. Dy gjërat që diskutuam ishin që të kemi një tranzicion të lehtë të butë dhe e dyta, arsyeja se përse ndodhemi këtu që të ripohojmë dhe njëherë angazhimin e fortë të SHBA-ve për Shqipërinë. Ky është mesazhi kyç, SHBA-të janë partner i Shqipërisë", - u shpreh shkurt Arvizu, pa pranuar pyetje të tjera nga gazetarët.

Menjëherë më pas, Arvizu u takua me kreun e LSI-së, Ilir Meta, në selinë e LSI-së. Pas takimit ai tha se: "I vlerësoj shumë komentet e tij dhe i mirëpres ato. E falënderoj që gjeti mundësinë të na presë dhe e falënderoj për kohën që na kushtoi, pasi ai ka pasur një fushatë të lodhshme. Dhe arsyeja pse ndodhemi këtu është që të konfirmojmë të ardhmen demokratike të Shqipërisë dhe mbështetjen për në Bashkimin Europian. Sikurse jemi në pritje për qeverinë e ardhshme, pritshmëritë janë të larta, presim një tranzicion të qetë dhe pres me kënaqësi të bashkëpunoj me z. Meta dhe anëtarët e tjerë të koalicionit", - u shpreh Arvizu pas këtij takimi.
(er.nu/ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›