E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mëhilli: “PD-ja do të firmosë çdo dokument në përputhje me Rezolutën e KiE-së”

Pas përcaktimit të tryezës së dialogut mes Ramës dhe Berishës nga Presidenti i Republikës, reagoi dje selia blu nëpërmjet zëdhënëset Erla Mëhilli. Ajo tha se PD-ja është e gatshme të firmosë çdo dokument që është në përputhje me Rezolutën e KiE-së, ndërsa i cilësoi shpifje deklaratat e PS-së, sipas të cilave Berisha po kushtëzon tryezën. “Edvin Kristaq Rama nga njëra anë jep ultimatume dhe kërcënon për protesta, nga ana tjetër shpif dhe trillon se Berisha po kushtëzon tryezën. Jam sot këtu për të deklaruar në emër të Partisë Demokratike, për të ripohuar edhe një herë atë që ka deklaruar kryeministri i vendit dhe kryetari i PD-së Sali Berisha se maxhoranca aktuale mbështet pikë për pikë Rezolutën e Këshillit të Europës dhe është e gatshme për shndërrimin e të gjitha kërkesave të saj në realitet. Pretendimet e Partisë Socialiste se Berisha kushtëzon tryezën te Presidenti, janë thjesht një formë për të maskuar interpretimin kokëposhtë të Rezolutë së KiE-së, sikur ajo përfaqëson një dokument që shpërblen bojkotin. Partia Demokratike rikonfirmon qëndrimin e saj se është e gatshme në çdo kohë të firmosë çdo dokument që jetëson kërkesat e Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës”, - është shprehur Mëhilli.

Tahiri: “Kryeministri Berisha të ulet pa kushte absurde në tryezën e dialogut”

Partia Socialiste i ka bërë thirrje kryeministrit Sali Berisha të ulet në tryezën e dialogut pa kushte absurde. Sipas deputetit Saimir Tahiri, Berisha kërkon të anashkalojë tryezën e dialogut duke nxjerrë pretekstin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese se kutitë nuk hapen. Në këtë kuadër, Tahiri argumentoi se mungesa e vullnetit për të bërë transparencën e plotë zgjedhore ka për arsye përpjekjen e maxhorancës për të fshehur manipulimin zgjedhor të 28 qershorit dhe skenarin e saj të fshehur për të vjedhur edhe zgjedhjet e ardhshme. Tahiri theksoi se tryeza e dialogut i hap rrugë zgjidhjes përfundimtare duke vendosur në themel garantimin e votës së lirë.
Duke kërkuar realizimin e tryezës së dialogut, deputeti Tahiri me ironi u shpreh se Berisha duhet të lërë xhirot e dimrit, por t’i hapë rrugë zgjidhjes së krizës. “Tashmë, në fund të karrierës së tij politike, i bëjmë thirrje kryeministrit Berisha të lërë xhirot e dimrit e lojërat me topa bore, të ulet pa kushte absurde në tryezën e dialogut e të bëjë gjithçka është e mundur për t’i hapur rrugë zgjidhjes së krizës politike dhe institucionale, krizës së demokracisë e shtetit të së drejtës, si dhe krizës ekonomike e sociale që po mbyt shqiptarët dhe sipërmarrjen private”, - u shpreh Tahiri, duke shtuar se “kryeministri të jetë i sigurt se në pensionin që po i afrohet, do të ketë kohë të mjaftueshme t’i dedikohet notit, gjuetisë, alpinizmit, lojës me borën, relaksit e çdo qejfi tjetër. Sa ka kohë në detyrë, të bëjë detyrën”. Sipas tij, kriza e demokracisë po materializohet jo vetëm me keqfunksionimin e Parlamentit, por edhe me përpjekjen e kryeministrit e maxhorancës për t’i privuar shqiptarët nga e drejta kushtetuese për të zgjedhur lirisht alternativën e tyre. “Zgjidhja më e mirë për interesin madhor të qytetarëve është rivendosja e demokracisë, duke rikthyer besimin e publikut se në këtë vend ekzistojnë të gjitha mundësitë për të bërë zgjedhje të lira e të ndershme, proces që fillon me transparencën e plotë dhe të pakushtëzuar të zgjedhjeve të 28 qershorit, për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme në të ardhmen”, - theksoi Tahiri.

9 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›