E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët e BE: Kolegji të mbyllë procesin duke respektuar ligjin

Deklarata e ambasadorëve konfirmon problemet gjatë procesit të numërimit

TIRANË- Ambasadorët e Bashkimit Evropian i bëjnë apel administratës zgjedhore të përmbyllë sa më parë procesin zgjedhor, duke theksuar edhe njëherë rëndësinë e zgjedhjeve të 28 qershorit në integrimin e vendit në Unionin Evropian. Gjatë një takimi me anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, Ambasadorët e BE-së kanë theksuar mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe interesin për një proces elektoral të besueshëm. Lajmi bëhet i ditur përmes një njoftimi të përbashkët për shtyp nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, Ambasada e Republikës Federale Gjermane, Ambasada e SHBA, e Suedisë dhe Delegacioni i Komisionit Evropian në Tiranë në të cilën thuhet se vlerësimi final i zgjedhjeve do të bëhet në bazë të trajtimit të animimeve dhe apeleve. Deklarata erdhi menjëherë pas takimit të zhvilluar në kolegjin zgjedhor ku mësohet se kanë marrë pjesë, Shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian dhe Ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar, Republikës Federalë te Gjermanisë, dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Deklarata
Në deklaratën e përbashkët citohet se duke pasur parasysh ndërhyrjet që u vunë re në procesin e numërimit të votave nga partitë politike dhe presione ndaj administratës zgjedhore, përfaqësuesit diplomatikë theksuan rëndësinë e rolit të Kolegjit Zgjedhor dhe të një procesi gjyqësor të pavarur. Sipas ambasadorëve, këto zgjedhje janë një test i rëndësishëm i pjekurisë demokratike të Shqipërisë dhe gatishmërisë për të ecur përpara drejt integrimit të mëtejshëm në BE. Me tej thuhet se Komuniteti Ndërkombëtar vazhdon të ndjekë nga afër procesin elektoral dhe se përfaqësuesit diplomatikë nxitin administratën zgjedhore dhe partitë politike të punojnë konstruktivisht për një mbyllje të suksesshme të procesit zgjedhor, drejt formimit të një qeverie legjitime. Sipas Kodit, subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankimim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë kundër vendimeve të KQZ-së kur ato cenojnë interesat e tyre të ligjshme. Ankimimet e subjekteve politike duhet të paraqiten në Gjykatën e Apelit, Tiranë, e cila ia kalon ato Kolegjit Zgjedhor. Subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankimim në Kolegjin Zgjedhor për mosmarrje të vendimit brenda afatit ligjor nga KQZ-ja. Në këtë rast Kolegji Zgjedhor nuk e gjykon çështjen në themel dhe, kur pranon kërkesën, vendos detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim.
Ankimimet
Subjektet zgjedhore duhet të paraqesin ankesën e tyre pranë Kolegjit Zgjedhor në formën e kërkesëpadisë, e cila duhet të përmbajë: të dhënat për identitetin e paditësit, tregimin e palës së paditur, tregimin e palëve të interesuara (palë të interesuara janë palët pjesëmarrëse në shqyrtimin administrativ pranë KQZ-së), objektin e kërkimit, bazën ligjore, përshkrimin e shkeljes së pretenduar dhe pikat e vendimit të KQZ-së, të cilat ankuesi kundërshton si dhe faktet, argumentet dhe dispozitat ligjore ku mbështetet ankimimi. Sipas Kodit, kërkesëpadia duhet të depozitohet në aq kopje sa është numri i palëve në proces, si dhe shoqërohet me kopjen e vendimit të KQZ-së dhe, sipas rastit, me kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit. “Palët në procesin e shqyrtimit gjyqësor të kërkesëpadisë kanë të gjitha të drejtat procedurale që parashikohen në Kodin e Procedurës Civile, përveç rastit kur parashikohet ndryshe në këtë Kod. Provat e administruara nga KQZ-ja gjatë shqyrtimit administrativ sillen prej saj në gjykim, pavarësisht nga kërkesat e palëve për to. Mungesa e njërës palë gjatë procesit nuk përbën pengesë për vazhdimin e gjykimit nga ana e Kolegjit Zgjedhor, përveç rastit kur Kolegji vendos ndryshe”, - shkruhet në Kodin Zgjedhor.

BOX
Kolegji Zgjedhor, PS fitoi dje betejën e parë për Fierin

Partia Socialiste fitoi dje betejën e parë në Kolegjin Zgjedhor pas ankimimeve të saj për parregullsi në procesin e votimit në disa zona të vendit. Kolegji Zgjedhor ka pranuar padinë e PS-së e cila kërkonte shpalljen e pavlefshme të 440 fletëve të votimit të qendrës me numër 3052 të KZAZ-së nr 19 në qytetin e Fierit. KQZ i kishte vlerësuar këto fletë të cilave u mungonin vulat e duhura si të vlefshme dhe i kishte përfshirë në tabelën e rezultateve, por me vendimin e sotëm të formës së prerë, Kolegji Zgjedhor rrëzoi edhe këtë vendim të KQZ-së duke i dhënë të drejtë pretendimeve të opozitës. Partia Socialiste kërkoi shpalljen të pavlefshme të rezultatit në qendrën e votimit 3052 në këtë KZAZ, pasi sipas kësaj force politike 440 fletë votimi janë vetëm me një vulë. Në të mungon vula e sekretarit. Çështja e kësaj qendre votimi ishte objekt vendim marrje pak ditë më parë edhe në KQZ. Kjo e fundit i vlerësoi këto kuti të ligjshme dhe përfshiu të 440 fletët në tabelën përmbledhëse të rezultateve për KZAZ 19 në Fier. Pas kësaj PS vendosi ti drejtohet kolegjit zgjedhor ku kërkon ndryshimin e vendimit të KQZ-së. Ky pretendim i socialistëve është kundërshtuar edhe sot nga përfaqësuesit e PD në seancën e Kolegjit Zgjedhor ku demokratët kërkojnë të mos ndryshojë vendimi i KQZ.

BOX
Kolegji, të paktën 10 ditë për të finalizuar gjithë procesin

Kohëzgjatja e shqyrtimit të ankimimeve nga ana e Kolegjit Zgjedhor duhet të zgjasë rreth 10 deri në 15 ditë nisur nga fakti se vendimi për një ankimim zgjat maksimalisht 4 ditë. Disa nga çështjet më të nxehta për sa i përket rezultatit të zgjedhjeve në të paktën 4 qarqe të vendit janë ankimuar pranë Kolegjit Zgjedhor. Kjo për faktin se KQZ-ja, në shumicën e rasteve, ka rrëzuar kërkesat e Partisë Socialiste dhe të partive të vogla për sa i përket rinumërimit të votave në disa KZAZ që kanë paraqitur probleme gjatë procesit të numërimit. Por, rezultati i këtyre qarqeve që janë ankimuar në Kolegjin Zgjedhor është përcaktues për sa i përket rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve dhe shpalljes së koalicionit fitues. Kështu, socialistët kanë vendosur të ankimojnë pranë Kolegjit Zgjedhor rezultatin e qarkut të Beratit, të disa KZAZ-ve në qarkun e Tiranës si dhe të disa KZAZ-ve në qarkun e Shkodrës. Socialistët pretendojnë së vota për PS-në është tjetërsuar gjatë procesit të numërimit të votave, ndaj kërkuan rinumërim të disa kutive. Por kërkesa e tyre është rrëzuar me shumicën e votave të komisionerëve të PD-së në KQZ. Për këtë arsye PS-ja do ta ankimojë këtë vendim të KQZ-së pranë Kolegjit Zgjedhor, pasi pretendon në fitoren e mandateve të deputetëve në të tria qarqet e lartpërmendura në rast se rinumërohen kutitë e votimit. Edhe Partia Demokratike ka vendosur të ankimojë në Kolegjin Zgjedhor rezultatin e qarkut të Fierit, ku PS-ja, nga numërimi i 9 kutive të votimit, fitoi mandatin e 9-të të deputetit në këtë qark. Sipas PD-së, këtë mandat socialistët ia kanë marrë partisë së çamëve, ndaj do ta ankimojnë në Kolegjin Zgjedhor. Edhe partitë e tjera, kryesisht PDK-ja dhe LZHK-ja, do të ankimojnë rezultatin e disa KZAZ-ve në qarkun e Shkodrës dhe të Tiranës. Të gjithë këto ankimime vendosin në peshore rezultatin e dy koalicioneve të mëdha dhe përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve.

22 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›