Braçe: “Ndërtimi i rrugëve është pezulluar, sepse qeveria shpërdoroi paratë në fushatë”
Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe ka akuzuar qeverinë Berisha se ka shpërdoruar në mënyrë të papërgjegjshme paratë e taksapaguesve shqiptarë gjatë fushatës elektorale. Sipas Braçes, kjo është arsyeja që ndërtimi i rrugëve është pezulluar dhe puna në kantieret e ndërtimit ka mbetur pezull. Deputeti socialist ironizoi edhe fushatën e inagurimeve të kryeministrit Berisha. Braçe e cilësoi këtë fushatë si qesharake, ndërkohë që theksoi se inagurimet kanë qenë të gënjeshtra, pasi kanë qenë të pambuluara me financime. “Prej 15 ditësh Kryeministri në detyrë Sali Berisha, po vazhdon turin e tij të hapjes së kantiereve të akseve rrugore. Kësaj here jo për të blerë vota, por për të demonstruar me dhunë, në mënyrë anti-kushtetuese, pa u mbyllur procesi zgjedhor, pa dalë rezultati se do të jetë Kryeministër i vendit. I gjithë turi i tij qesharak, po shoqërohet me përpjekje të të gjitha akseve rrugore. Vetëm në 20 ditët e para të korrikut, kanë njohur rrugët e Shqipërisë mbi 20 të vdekur dhe 35 të plagosur. Kryeministri në detyrë nuk ka përgjigje për ta dhe familjet e tyre. I gjithë turi i tij qesharak, po shoqërohet me bllokimin e të gjitha kantiereve të ndërtimit, të hapura në dhjetor të vitit që shkoi, janar të këtij viti, si dhe në prill-maj qershor, për shkak të fushatës së tij elektorale. Deklarimet tona të faktuara, se disa qindra kantiere në 6 muajt e parë të këtij viti elektoral, ishin të pambuluar me financim dhe po hapeshin thjesht dhe vetëm për të ndikuar në mënyrë të rremë sjelljen politike të votuesve, tashmë janë realitet. Sot qeveria nuk ka para, prandaj kantieret janë bllokuar në të gjithë vendin”, tha Braçe. Ndërkohë po dje ka ardhur edhe reagimi i Ministrisë së Transporteve në drejtim të deklaratave të bëra nga deputeti socialist. Sipas zëdhënëses së kësaj ministrie, Arminda Qylafku, Partia Socialiste po hedh baltë ndaj projekteve ambicioze të qeverisë. “Erjon Braçe u shfaq sot për të shprehur çudi sepse qeveria vazhdon të inagurojë rrugë dhe madje dhe të ndërtoj rrugë. I bëjmë të qartë atij dhe zotit Rama, se qeveria vazhdon të ndjekë me të njëjtin intensitet projektin e saj të ndryshimit të infrastrukturës në vend, në përputhje të plotë me programin e maxhorancës, në përputhje të plotë me kërkesat e qytetarëve shqiptarë, në përputhje të plotë me programin e vet financiar. Po ndërtojmë dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë dhe do ta bëjmë këtë me të gjitha rrugët nacionale, por do ta bëjmë edhe me rrugë të qyteteve të mëdha të vendit sa herë do të konstatojmë pamundësi apo paaftësi nga ndonjë bashki për t’i shërbyer qytetarëve”, tha zëdhënsja e Ministrisë së Transporteve.
22 Korrik 2009