Ambasadorët e BE-së: Bojkoti, rruga e gabuar, zgjidhja në Kuvend
Në ditën e 20-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, tetë ambasadorë të Bashkimit Evropian ridhanë një mesazh për opozitën shqiptare që të shkojë në Kuvend dhe të përmbushë detyrat e saj për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ambasadorët e Gjermanisë, Austrisë, Polonisë, Çekisë, përfaqësuesja e Suedisë, Presidencës së radhës së Bashkimit Evropian etj. deklaruan njëzëri se bojkoti i opozitës nuk i shërben asnjë interesi kombëtar, madje këmbëngulën se vetëm dialogu në Kuvend është e vetmja mundësi për të zgjidhur çdo kontradiktë. Diplomatët perëndimorë theksuan se politika shqiptare duhet të bashkëpunojë për të gjetur zgjidhjen e hyrjes së opozitës në Kuvend. Ata thanë se ndërkombëtarët nuk mund të ndërhyjnë në këtë pikë, e cila, sipas tyre, i takon pjekurisë politike për ta zgjidhur.
Ambasadorja çeke në Tiranë, Martjeta Fialkova, vendi i së cilës kishte Presidencën e fundit dhe që pranoi kërkesën e Shqipërisë për vendin kandidat për në BE, u tregua e drejtpërdrejtë në mesazhin e saj dhënë Partisë Socialiste. “Bojkoti i Kuvendit nga ana e PS-së nuk është në të mirë të interesave të Shqipërisë”, - deklaroi ambasadorja Martjeta Fialkova, duke shtuar: “Opozita duhet të gjejë sa më parë rrugën e dialogut politik në Parlament”. Sipas ambasadores çeke, një gjë e tillë nuk po shikohet mirë, pasi, sipas saj, kjo nuk është rruga pozitive që po ndjek opozita socialiste. Ambasadorja çeke theksoi se prania e PS-së në Kuvend është domosdoshmëri për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, pasi prania e saj në Kuvend është e lidhur drejtpërdrejt me një numër reformash të rëndësishme, siç është ajo në drejtësi. “Shqipëria, që të integrohet në BE, duhet të mbyllë procesin e reformave sikundër është ajo në drejtësi, por referendumi në drejtësi duhet fillimisht votuar në Kuvend dhe votimi nuk është i mundur pa pjesëmarrjen e opozitës”, - tha Fialkova.
Ambasadorët e tjerë theksuan rëndësinë e dialogut në politikën shqiptare. Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, deklaroi se zgjidhja duhet të vijë nga vetë pozita dhe opozita dhe jo nga ndërhyrja ndërkombëtare. “Kompromisi duhet të zgjidhë situatën dhe ky kompromis duhet dhënë nga të dyja palët”, - tha Borchardt. Ambasadori austriak, Florian Rauning, theksoi: “Që të jeni pjesë e BE-së, duhet t’i zgjidhni vetë problemet tuaja, e jo të prisni ndërhyrje nga jashtë”.
Ambasadorët organizuan një konferencë dje në kujtim të 20-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, një simbol i bashkimit në mbarë botën. Ata zgjodhën këtë ditë për të dhënë mesazhet e tyre ndaj politikës shqiptare, veçanërisht opozitës për të ndalur bojkotin e saj ndaj institucioneve kyçe të vendit.