KE: Qeveria, progres për vizat, sigurinë e kufijve dhe pasaportat
KE konstaton se Shqipëria ka bërë progres për liberalizimin e vizave dhe hapa madhorë për sigurinë kufitare dhe pajisjen e qytetarëve me pasaportat biometrike. Sipas drejtorit për Migracionin, Azilin dhe Kufijtë në Komisionin Evropian, Jean-Louis De Brouwer, Shqipëria është në rrugën e duhur për të përfituar liberalizimin e vizave. Zyrtari evropian u takua dje në Tiranë me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, ndërsa pohoi se Shqipëria gjatë muajve të fundit ka bërë progres të dukshëm në rrugën e reformave që duhet të përmbushen për t’u arritur lëvizja e lirë e qytetarëve. “Qeveria shqiptare në muajt e fundit ka bërë një përparim të dukshëm për sa i përket punës së bërë për të përmbushur kërkesat e BE-së për të bërë të mundur liberalizmin e vizave. Janë përgatitur plane veprimi, janë hartuar ligjet e nevojshme, ndërsa konstatoj se po ecet mirë edhe me procesin e prodhimit dhe pajisjes së shtetasve me pasaportat biometrike”, - deklaroi z. De Brouwer. Ai bëri të qartë se kërkohet të vijohet më tej me këtë ritëm, për këtë arsye kërkohet miratimi dhe zbatimi i legjislacionit siç është ligji për konfiskimin e pasurive. Optimist për ecurinë e deritanishme, zyrtari i Komisionit Evropian vuri në dukje se raporti të cilin qeveria shqiptare do të dorëzojë në mesin e nëntorit në Bruksel, ku janë të renditur hapat që ka ndjekur deri më tani qeveria për përmbushjen e standardeve të kërkuara, duket se do të jetë vendimtar për lëvizjen pa viza drejt vendeve të BE-së.
“Ne presim nga mesi i këtij muaji një raport tjetër nga qeveria shqiptare, lidhur me gatishmërinë e palës shqiptare në këtë drejtim. Ky raport do të shërbejë si bazë për një vlerësim të mëtejshëm të zyrtarëve të lartë, lidhur me procesin e liberalizimit të vizave. Procesi është transparent. Të dyja palët e dinë cilat janë standardet për t’u përmbushur, me plotësimin e tyre do të jemi të gatshëm të përcaktojmë dhe hapat e mëtejshëm si dhe kohën e veprimit”, - deklaroi z. De Brouwer. Në 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit për zv.kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Meta, liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë do të shënonte një rënie të 2-të të kësaj barriere me Bashkimin Evropian. "Unë i kam theksuar z. De Brouwer se sot, kur në të gjithë Evropën kujtohet rënia e Murit të Berlinit, për ne shqiptarët, arritja e kësaj marrëveshjeje për liberalizimin e vizave me BE-në është si një rënie për së dyti e këtij muri që nga ardhja e demokracisë në vendin tonë, ndaj ne e vlerësojmë shumë angazhimin e Bashkimit Evropian dhe Komisionit Evropian për t’i dhënë mundësi vendit tonë që të hyjë në këtë dialog shumë intensiv për liberalizimin e vizave. Dua të shpreh bindjen time se qeveria e konsideron këtë dialog si një aksion jashtëzakonisht të rëndësishëm, i cili ka shënuar një progres tepër të dukshëm", - theksoi z. Ilir Meta, ministër i Jashtëm.