E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani: Bojkoti i opozitës, pengesë për reformën në drejtësi



Mungesa e opozitës në Kuvend ka krijuar një ngërç për reformimin e sistemit të drejtësisë. Ky është konstatimi i ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani, i cili raportoi dje në Komisionin e Ligjeve për progres-raportin e KE-së për vitin 2009. Ministri Nishani tha se prania e opozitës në Kuvend është e lidhur me miratimin e disa ligjeve të rëndësishëm të reformës në drejtësi që kërkojnë shumicë të cilësuar. “Në lidhje me pjesëmarrjen e opozitës në Parlament dhe nevoja për miratimin e ligjeve të rëndësishme që kërkojnë pjesëmarrjen e saj, por edhe projektligjeve që janë hartuar tashmë, mungesa e opozitës në procesin e draftimit të ligjeve për drejtësinë përbën një ngërç të madh”, - deklaroi Nishani. Sipas tij, bojkoti i opozitës nuk po dëmton thjesht planin e Ministrisë së Drejtësisë për të reformuar sistemin, por integrimin e vendit në BE. “Opozita nëse nuk do t’i bashkëngjitet këtij procesi, nuk dëmton thjesht një plan të Ministrisë së Drejtësisë, por dëmton proceset integruese të vendit”, - tha më tej Nishani, duke shtuar: “Dëmtohet edhe procesi reformues i institucioneve”. Duke qëndruar në miratimin e ligjeve të reja, ndër draftet e mbetura peng, sipas ministrit, janë ai për konferencën gjyqësore dhe funksionimin e KLD-së.

Draft reforma

Gjatë seancës në Komisionin e Ligjeve ministri Nishani informoi anëtarët e këtij komisioni për punën të ministrisë që drejton si për hartimin e ligjeve për organizimin e pushtetit gjyqësor, investimet në infrastrukturën e gjykatave, rregullimin e statusit të gjyqtarit, reformat në sistemin penitenciar, çështjet e pronësisë, shërbimin e përmbarimit privat si dhe draftin e plotë për reformën në drejtësi. Nishani theksoi se është duke u hartuar një strategji afatgjatë për reformën në sistemin e drejtësisë, mbështetur në asistencën e partnerëve ndërkombëtarë. Interesit të deputetëve për këtë draft ministri iu përgjigj se në momentin e shqyrtimit ajo do të konsultohet më të gjithë aktorët e përfshirë. Nishani deklaroi se ministria po punon për hartimin e një ligji të ri për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, që do të mundësonte përcaktimin qartësisht të kompetencave të këtij këshilli si dhe përmirësimin e veprimtarisë së tij si dhe shtoi se tashmë ka ardhur koha për të hartuar një ligj të ri për këtë Gjykatën e Lartë.

Bilanci

Ministri iu përgjigj interesit të deputetëve për punën e ministrisë referuar edhe progres raportit. Ai bëri me dije se qeveria po vlerëson ofertat e bizneseve dhe firmave të ndryshme për punën e detyruar në burgje. Duke qëndruar në ligjin për përmbarimin privat, ai informoi se në vitin e ardhëm do të jenë gati licencat e para për kompanitë e interesuara që veprojnë në këtë sektor. Në lidhje me çështjet e inspektimit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, ai garantoi se inspektorët do të inspektojnë gjithçka, nisur edhe nga ankesat që vijnë nga qytetarët për vendimet e gjykatave. Ai u ndal edhe në procesin e transparencës, duke shtuar se ligjet e reja do të kenë përparësi një sistem drejtësie më transparent se ai sot. Njëkohësisht, Ministria e Drejtësisë është duke punuar për hartimin e projektligjit të ri për organizimin dhe funksionimin e Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor, i cili nga njëra anë do të synojë përcaktimin e rregullave të reja për mënyrën e organizmit dhe funksionimit të këtij institucioni dhe nga ana tjetër do të identifikojë formulat e përshtatshme për marrjen dhe shfrytëzimin e fondeve të nevojshme si për infrastrukturën e gjykatave ashtu edhe për kapacitet administrative të tyre. Një tjetër pikë ishte edhe situata në burgjet shqiptare. Hapja e burgjeve të reja, por edhe Shërbimi i Provës ka krijuar lehtësira të mëdha për burgjet si dhe ka ulur mbipopullimin në to.

Kritere të reja për emërimin dhe transferimin e gjyqtarëve

Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, deklaroi dje në Komisionin e Ligjeve se është rënë dakord me Këshillin e Lartë të Drejtësisë për ndryshimin e kritereve për sa i përket emërimit dhe transferimit të gjyqtarëve. Duke iu përgjigjur interesit të deputetëve të djathtë për transparencën në emërimet në sistemin e drejtësisë, Nishani tha se KLD do të miratojë kriteret e reja. “KLD do të miratojë kriteret e reja për transferimin e gjyqtarëve pikërisht për të rritur procesin e transparencës”, - tha Nishani, duke shtuar se është ngritur një grup pune për këtë çështje. Ministria e Drejtësisë ka draftuar një sërë aktesh ligjore dhe nënligjore të cilat kanë synuar rritjen e profesionalizmit në organet gjyqësore, si dhe realizimin e procedurave efektive në kohë nga të gjithë operatorët pjesëmarrës në proceset gjyqësore. Ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe USAID-it është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit, i cili përcakton rregulla dhe modalitete për zbatimin e një projekti pilot në 10 gjykata të rretheve gjyqësore.

Ekzekutohen 80% të vendimeve gjyqësore

Gjatë këtij viti janë ekzekutuar rreth 80 për qind të vendimeve gjyqësore, çka përbën një shifër nga më të lartat në vitet e fundit. Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, tha dje në Komisionin e Ligjeve se “janë ekzekutuar nga 75 deri në 80 për qind të vendimeve gjyqësore”. “Po të marrim si shembull vendimet e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, janë ekzekutuar 100 për qind vendimet e kësaj gjykate”, - tha Nishani. Duke folur për interesimin e deputetëve, Nishani tha se po punohet edhe për uljen e mesatares që u bie gjyqtarëve për të dhënë vendime. Sipas tij, shtimi i numrit të gjyqtarëve në Tiranë erdhi për shkak të numrit të madh të vendimeve që jep kjo gjykatë. Ai shtoi se në rrethe gjyqësore të largëta ka ende vende vakante për gjyqtarë.

Alibeaj: Progres-raporti, përgjegjësi për të gjithë

Ish-ministri i Drejtësisë, deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, deklaroi dje në Komisionin e Ligjeve se progres-raporti i KE-së për vitin 2009 përcakton qartë përgjegjësitë e të gjitha palëve dhe institucioneve. Duke folur në seancën dëgjimore ku raportoi ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, deputeti Alibeaj foli edhe për domosdoshmërinë e nevojës së opozitës për të qenë në Kuvend. Ai u ndal edhe në përgjegjësinë e institucioneve ndaj gjithë gamës së reformave në vend, veçanërisht të asaj në drejtësi. “Ky progres-raport përcakton qartë përgjegjësitë e të gjithëve. Edhe institucionet teknike duhet të jenë të ndjeshme ndaj këtij progres-raporti”, - deklaroi Alibeaj. Duke u ndalur tek procesi i liberalizimit të vizave si dhe integrimit të vendit në BE, Alibeaj tha se duhet kontributi i të gjithëve në këtë proces. “Progresi i liberalizimit të vizave, procesi i integrimit të Shqipërinë në BE na pëlqen të gjithëve dhe kërkon kontributin e të gjithëve. Do të ishte mirë që në 2010-n në këtë tavolinë të vinin të raportonin sukseset e tyre jo vetëm Ministria e Drejtësisë, por edhe të gjitha këto institucione të tjera të pavarura, si prokuroria etj., që ka pjesë edhe për kontributet e tyre, por edhe të sakrificës”, - deklaroi Enkelejd Alibeaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›