E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngujim para Kryeministrisë, Rama përgatit çadrat



Pas katër protestave në rrethe, PS ka ndërmend ta mbyllë ciklin e protestimit në rrugë, duke u fokusuar në Tiranë dhe duke e kthyer protestën “popullore” që premtoi fillimisht në një protestë të vazhdueshme të një grupi njerëzish para Kryeministrisë. Për të thithur vëmendjen dhe interesin e medias, kreu i PS-së, Edi Rama, dhe kolegët e tij të partive aleate kanë menduar mjete radikale, ngujim para Kryeministrisë me çadra. Për ju që e mësoni për herë të parë këtë gjë, nuk është aspak një imagjinatë apo një spektakël, por një projekt real që PS po përgatit kryesisht në bashkëpunim me G99. Në këtë mënyrë Rama do t’u japë fund protestave të nisura në rrethe, të cilat në fakt i rezultuan aspak entuziaste dhe me shumë pak njerëz. Burime nga PS-ja konfirmojnë për gazetën se një grup të rinjsh kryesisht nga PS dhe G99, që drejtohet nga aleati më i ngushtë i Ramës, Erion Veliaj, do të ngrenë disa çadra para dhe pas Kryeministrisë për të qëndruar aty për një afat të pacaktuar. Ky ngujim në çadra nuk do të quhet as grevë urie dhe as turizëm dimëror, por një protestë politike, e para e këtij lloji të paktën në vendin tonë. Në të vërtetë, kjo do të mundësonte copëtimin e protestës së nisur nga Rama vetëm para një muaji në një tubim jo aq shpresëdhënës në Tiranë dhe që do të përmbyllet po në Tiranë më 20 nëntor. Nga PS-ja zyrtarisht akoma nuk flitet ngritjen e çadrave në rrugë, por një deputet i saj ka pranuar se do të ketë protestë 24 orë në 24. Erion Braçe shkruan në faqen e tij në Facebook: “Opozita bëhet gati për protestën më të madhe të saj, 20 nëntor, në sheshin “Skënderbej”, në bulevard dhe para e rrotull Kryeministrisë. Edhe 10 ditë, të 11-n 24 orë në 24, derisa të dorëzohet Sali Berisha në Tiranë”. Duke marrë për bazë këtë deklaratë, duket se çadrat do të rrinë. Mjeti i gjetur për të vazhduar protestën nga PS-ja duket si një zgjidhje më shumë praktike për ta nxjerrë atë nga ngërçi i protestave të premtuara dhe të dështuara në terren. Gjithashtu, një mjet për të konsumuar vazhdimin e qëndrimit bojkotues ndaj Kuvendit. Por, në radhët e PS-së ka shumë debate për këtë rrugë të zgjedhur prej Ramës. Burime nga PS-ja bëjnë të ditur se shumë njerëz pranë Ramës po e këshillojnë atë që të mos e ndërmarrë një hap të tillë, pasi, sipas tyre, ekziston mundësia që të japë efektin e kundërt. Nëse nuk bëhen qesharakë duke mbajtur një grup njerëzish, megjithëse ka zëra në PS që pretendojnë se do të jenë me qindra, më e keqja do të vijë me limitin kohor të qëndrimit në trotuare. Kjo ide ka disa muaj që po piqet në debatet brenda PS-së, por shumica nuk mendonin se do të kthehej në realitet. Në fakt, më shumë u ngjan protestave që bëjnë grupimet shoqërore sesa një qëndrimi mirëfilli politik. E aq më shumë kur këtë lloj proteste e ideon Edi Rama, i cili ishte krejtësisht i pandjeshëm kur rreth një vit më parë deputetë të LSI-së u ngujuan brenda Parlamentit në grevë urie për të ndalur miratimin e Kodit Zgjedhor, të propozuar nga PS-ja. Ai u tregua krejt indiferent në këtë rast dhe i dha urdhër grupit parlamentar që të miratonin Kodin në prani të kolegëve të tyre që kishin me ditë të tëra në grevë urie.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›