E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorët e NATO-s: Ftesa për Shqipërinë, e pakthyeshme

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me ambasadorët e Belgjikës, Sllovakisë, dhe Lituanisë në NATO, përkatësisht Franciskus Baron van Daele, Igor Slobodnik dhe Linas Linkevicius. Në fillim të takimit, ambasadorët i shprehën kryeministrit Berisha ngushëllimet e sinqerta për humbjen e jetëve njerëzore në tragjedinë e Gërdecit, si dhe shprehën solidaritetin e vendeve të tyre ndaj qeverisë shqiptare dhe familjeve të viktimave të tragjedisë. Ambasadorët vlerësuan angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për vënien nën kontroll të situatës dhe më pas përballimin me sukses të emergjencës. Duke i falënderuar për mbështetjen e tyre, Kryeministri Berisha i njohu ambasadorët me përpjekjet e qeverisë shqiptare dhe masat konkrete që po ndërmerr ajo për t’u ardhur në ndihmë të prekurve nga tragjedia. Si një problem madhor, Kryeministri cilësoi ekzistencën e stoqeve të municioneve të vjetra, për të cilat qeveria do të marrë masat për shkatërrimin sa më shpejt dhe të plotë të tyre. Kryeministri Berisha u shpreh se dy janë projektet madhore për Shqipërinë dhe shqiptarët, integrimi në NATO dhe në BE, për të cilat qeveria shqiptare po punon nëpërmjet ndërmarrjes të një sërë reformave në fusha me rëndësi jetike për vendin. Në këtë kontekst, kryeministri u shpreh se në sajë të klimës shumë të mirë të bashkëpunimit me opozitën, reforma në fushën e drejtësisë po ecën me sukses, si dhe po punohet intensivisht për reformën elektorale, duke i konsideruar këto reforma të një rëndësie të veçantë për procesin e integrimit. Në këtë kuadër, Kryeministri u shpreh është në rrugë të mbarë procesi i përfundimit të pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit, të cilat do të përmbajnë të gjitha parametrat bashkëkohor. Ndër të tjera, kryeministri i njohu ambasadorët me ecurinë e punës për hartimin e regjistrit elektronik të gjendjes civile. Më tej, kryeministri Berisha bëri një ekspoze të ecurisë së reformave në fushën ekonomike, ku i njohu bashkëbiseduesit me një sërë masash të ndërmarra si digjitalizimi i shumë procedurave, të cilat shmangin burokracinë dhe lehtësojnë bizneset. Duke falënderuar për mikpritjen, Franciskus Baron van Daele, Igor Slobodnik dhe Linas Linkevicius, vlerësuan arritjet e qeverisë shqiptare në procesin e reformave integruese, si dhe zhvillimet pozitive në fushën ekonomike. Ata e siguruan Kryeministrin Berisha se Belgjika, Sllovenia dhe Lituania përkrahin përpjekjet e Shqipërisë për integrim në NATO dhe BE. Ambasadorët vlerësuan rolin konstruktiv dhe moderues të Shqipërisë në rajon, në shërbim të forcimit të stabilitetit dhe sigurisë, si dhe shprehën mirënjohjen e NATO-s për përfaqësimin me dinjitet të Shqipërisë në misionet paqeruajtëse përkrah NATO-s, në Afganistan, Irak, Bosnje. Ndër të tjera, gjatë takimit personalitetet diskutuan edhe për zhvillimet në rajon, dhe kryesisht në Kosovë. Kryeministri Berisha theksoi se pavarësia e Kosovës është kusht themelor për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Edhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli priti dje në takim Ambasadorin e Belgjikës, Franciskus van Daele, Ambasadorin e Lituanisë, Linas Linkevicius dhe Ambasadorin e Sllovakisë. Igor Slobodník në NATO, të cilët ndodhen në Shqipëri, për t’u njohur me zhvillimet e fundit, progresin në reforma, dhe hapat e ndërmarra në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kryetarja Topalli vlerësoi mbështetjen që Belgjika, Sllovakia dhe Lituania po i japin Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në NATO, ndërsa i njohu shkurtimisht ambasadorët me reformat e ndërmarra nga qeveria dhe parlamenti shqiptar, duke u ndalur në fushën ekonomike, në forcimin e shtetit të së drejtës dhe në reformën zgjedhore. “Shqipëria tha zonja Topalli po punon fort dhe me seriozitet maksimal në reforma të cilat kërkojnë kurajo dhe vullnet të fortë. Në sajë të reformave fiskale Shqipëria është bërë një vend me ne klimë entuziaste, shumë të favorshme dhe të sigurt në investime. Po ashtu lufta kundër krimit dhe korrupsionit ka dhënë rezultate të dukshme dhe jemi të vendosur në vijimin e reformave që i shërbejnë jo vetëm integrimit në BE dhe NATO por edhe zhvillimit të vendit”. Nga ana e tyre ambasadorët u shprehën të impresionuar nga ndryshimet e bëra në Shqipëri, nga investimet e mëdha dhe nga reformat e ndërmarra. Ata vlerësuan rezultatet e dukshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionin gjë që, siç u shprehën ata, i shërben ndryshimit pozitiv të imazhit të Shqipërisë. Ata thanë se Shqipëria ka mbështetjen jo vetëm të vendeve të tyre por edhe të vendeve të tjera anëtare të Aleancës në perspektivën e anëtarësimt në NATO ndërsa inkurajuan vijimin e reformave të ndërmarra nga shteti shqiptar. Ambasadorët e Belgjikës Sllovakisë dhe Lituanisë në NATO përgëzuan edhe për hapat e bëra në plotësimin e standardeve zgjedhore, si kartat e identitetit, pasaportat biometrike apo regjistri elektronik i gjendje civile. Ata vlerësuan rolin e rëndësishëm moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon në shërbim të paqes së qëndrueshme dhe shprehën mirënjohje për angazhimin e Shqipërisë në misionet paqeruajtëse në Afganistan dhe Irak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›