E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita refuzon të divorcohet nga nekropolitika, bojkoton punimet e Kuvendit të Shqipërisë

Kuvendi miratoi dje me shumicë votash disa projektligje të rëndësishme, si dhe projektrezolutën “Për vlerësimin e punës së Këshillit Kombëtar të Radio-Televizionit për vitin 2007”. Gjatë debatit të lirë në seancë plenare deputetët e opozitës vijuan me diskutimet për ngjarjen e 15 Marsit në Gërdec, ndërkohë që kërkuan vazhdimin e diskutimeve edhe pas kohës së përcaktuar në rregulloren e Kuvendit. Duke argumentuar se koha e parashikuar për debate nga Konferenca e Kryetarëve lidhur me ngjarjen e Gërdecit, është ezauruar gjatë seancës plenare të së mërkurës, Kryetarja e Kuvendit vijoi me rendin e ditës së punimeve të ditës. Kjo solli edhe reagimin e deputetëve të opozitës, të cilët braktisën punimet e parlamentit. Në vijim të rendit të ditës, Kuvendi miratoi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8934, datë 5.9.2002, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, si dhe projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 9649, datë 27.11.2006 “Për përcaktimin e formës dhe të formulës së privatizimit të INSIG Sh.a.”. Gjithashtu, në seancën e djeshme plenare u miratua edhe projektligji “Për ratifikimin e ndryshimit të marrëveshjes së rishitjes së aksioneve të INSIG Sh.a. ndërmjet Ministrisë së Financave që vepron në emër të shtetit shqiptar, Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim”. Ndërkohë, Kuvendi shtyu miratimin e projektvendimit “Për një ndryshim në vendimin nr. 101, datë 17.05.2007 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore” të ndryshuar”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›