Berisha: Mercenarët mediatikë të mafias manipuluan me tragjedinë e Gërdecit
Kryeministri Sali Berisha falënderoi mediat, që me një përgjegjësi të veçantë dhe guxim të madh, kanë bërë raportimet dhe transparencën e zhvillimeve në Gërdec. Sipas Kryeministrit, ditën e parë, gazetaret kanë qenë nën breshërinë e predhave. “Por dhe qeveria ka bërë çdo përpjekje për të bërë transparencën e plotë, orë pas ore, të zhvillimeve dhe vendosi me mediat një raport më të mirin të mundshëm, gjë e cila i shërbeu shumë përpjekje të mëdha dhe të gjithanshme për kapërcimin e situates”, tha Kryeministri ne mbledhjen e Këshillit të Ministrave. “Megjithatë, shpreh habi ndaj disa zëdhënësve, mercenarëve të mafies, gazetarë, që duke shkelmuar në mënyrën më të turpshme mbi moralin njerëzor, kërcenin nga gëzimi në ekranet e tyre dhe manipulonin me fatkeqësinë e viktimave. Këtë ma thanë edhe familjarët”, tha Kryeministri, duke shtuar se ishte e pabesueshme sesi këta mercenarë ‘non stop’ bërtisnin “Rroftë vdekja, poshtë qeveria”. “Edhe kjo është pjesë e diversitetit të një shoqërie, por jashtë të gjitha caqeve të një morali njerëzor. “Ti mund të mos ta duash apo ta urresh një qeveri, mund ta sulmosh e shpifësh në çdo kohë, por të shtrosh darka e dreka gëzimi, kur ende kemi familje që i kanë varret e hapura se nuk i kanë akoma viktimat e tyre, kjo është makabritet moral. Si njeri i dashuruar pas medias, siç jam dhe i tillë do të mbetem, këtë here kam ndjerë dhimbjen e dytë më të madhe, kur shihja këta mercenarë, që jo të shumë, por ekzistojnë, gazetarë e gazetare që hidheshin nga gëzimi e harronin se i shihte një zonë që vërshonte në lot mjerimi dhe dhimbjeje. Kishin marrë në studio të dehur që flisnin përçart, gjëra të cilat nuk i bëjnë nder një vendi të qytetëruar”, shtoi më tej Kryeministri. Kryeministri Berisha përcolli me këtë rast mesazhin se mediat kanë qenë, do jenë e do vazhdojnë të mbeten të lirë. “Jam i betuar e i vendosur të bëj çdo gjë për lirinë e tyre, edhe sikur lakuriq të dalin në ekranet e tyre. Liria e tyre është e shenjtëë, tha Kryeministri, duke shtuar se megjithatë njeriu duhet të ketë një kufi moral, sepse mund të jesh privat, por nuk duhet të harrosh se je në funksion publik. “Në këtë funksion nuk mund të brohorasësh e të kërcesh nga gëzimi nga karrigia, nuk mund të sjellësh të dehur në studio për të folur përçart, nuk mund të bësh kurrë moralin e atij që thotë “Rroftë vdekja, poshtë qeveria”, sepse kjo tejkalon çdo gjë”, tha Berisha. Sipas tij, kur je në zi, ajo ka kodin më të thellë e më të lashtin e njerëzimit, ndaj dhe nuk mund të pranohen ata që kishin vendosur të intervistonin mbi bazën e parave të paguara me paradhënie për të përdhosur fatkeqësinë e të tjerëve. “Sërish nuk do të kenë asnjë lloj intimidimi. E theksoj se edhe në rast se do të dalin lakuriq në ekranet e tyre, le ta bëjnë, ne do të respektojmë linjën e tyre”, përfundoi Kryeministri.