E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët e NATO-s vlerësojnë progresin e reformave në vend

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në Konferencën  përpara ambasadorëve të NATO-s, në Bruksel.

Kryeministri Berisha, në fjalën e mbajtur përpara ambasadorëve të NATO-s, bëri një panoramë të sukseseve të Shqipërisë në implementimin e reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, në kuadër edhe të ftesës për anëtarësim në Samitin e Bukureshtit.

Kryeministri Berisha u ndal në prioritetin që qeveria shqiptare ka treguar në zbatim të luftës së pa ndërprerë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në bindjen e tij se këto reforma janë të pakthyeshme dhe mbi baza të qëndrueshme.

Kryeministri Berisha u shpreh gjithashtu për një klimë të re bashkëpunimi mes forcave politike, në dobi të progresit të vendit dhe integrimit në NATO, kjo e faktuar edhe nga prezenca në delegacionin shqiptarë të përfaqësuesve të lartë të opozitës shqiptare.

Pas fjalës së Kryeministrit Berisha, në këtë konferencë e morën fjalën një nga një ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s.

Ata theksuan mbështetjen dhe përkrahjen e tyre për zhvillimin dhe implementimin e reformave në Shqipëri, vlerësuan qëndrimin e moderuar të Shqipërisë si dhe maturinë e treguar në rajon, por edhe promovimin e bashkëpunimit rajonal të marrdhënieve të fqinjësisë së mirë. 

Gjithashtu, ambasadorët shprehën vlerësimin e tyre për arritjet shumë të mira në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe bënë thirrje për një ecuri konstante të hapave në drejtim të reformës elektorale dhe reformës në drejtësi.

Përgëzime dhe vlerësime Kryeministri Berisha mori edhe për sinergjinë politike të shprehur së fundmi, nëprmjet rezolutës së Parlamentit shqiptar për integrimin në NATO, duke vlerësuar gjithashtu praninë në delegacionin shqiptar të pjesëtarëve të lartë të opozitës.

Ambasadorët e NATO-s theksuan rëndësinë që reformat të jenë të pakthyeshme dhe mbi baza të qëndrueshme.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›