Fjala e Kryeministrit Berisha në Konferencën e Këshillit të Atlantikut të Veriut me Shqipërinë
"I nderuar Sekretar i Pergjithshëm,
Shkëlqesi ambasadorë!
Jam shumë i kënaqur që ndodhem këtu sot dhe ndaj me ju rezultatet dhe arritjet e reformave të ndërmarra nga vendi ynë gjate ciklit të 9-të të Planit të Veprimit për Anëtarësimin (MAP). Në këto tetë muaj, Shqipëria ka shënuar progres në çdo fushë. Por, më e rëndësishme është se ne ndihemi më të sigurt se kurrë se procesi i reformave është i pakthyeshëm dhe i qëndrueshëm dhe do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm, edhe pas Samitit te Bukureshtit. Ne besojmë se reformat makro-strukturale që kemi ndërmarrë janë mënyra më e mirë e vendit tonë për të ecur përpara, si edhe do të na ndihmojë në realizimin e dy projekteve tona kombëtare më madhore, anëtarësimin në NATO dhe BE.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, për ne do të thotë, mbi të gjitha, një demokraci efektive dhe shtet ligjor, një ekonomi tregu funksionale dhe një reformë e thellë dhe e përgjithshme në Forcat e Armatosura. Unë jam shumë krenar të deklaroj përpara këtij auditori të nderuar se Shqipëria qëndron në pragun e Aleancës, si një demokraci funksionale që respekton të drejtat e njeriut dhe lirinë e minoriteteve.
Gjatë dy viteve të fundit ne kemi kaluar tre prova të rëndësishme politike: ndërrimin normal të pushteteve, në korrik 2005; zgjedhjet lokale të shkurtit 2005; ku sipas raporteve ndërkombëtare nuk është regjistruar asnjë problem politik, por vetëm probleme teknike.
Në takimin tonë të fundit këtu, në 24 maj, çeshtja e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Shqipërisë, u ngrit me një shqetësim të madhe. Sot, unë mund t’ju siguroj se Presidenti i Republikës së Shqipërisë është zgjedhur nëpërmjet një procesi në perputhje të plotë me Kushtetutën e vendit.
Gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar u zhvillua një partneritet i sinqertë mes pushtetit qendror dhe lokal, si edhe një klimë bashkëpunimi dhe besimi reciprok, që nuk kishte ekzistuar më parë.
Mbështetja për anëtarësimin në NATO nga të gjitha partitë politike në parlamentin shqiptar, por edhe nga partneriteti i pushtetit lokal dhe qendror, ka mundësuar ndërmarrjen e hapave konkrete për realizimin e reformave të nevojshme, që lidhen me procesin e anëtarësimit.
Jam krenar t’ju informoj ju, sot, lidhur me Rezolutën e iniciiuar nga opozita dhe aprovuar unanimisht nga parlamenti shqiptar, që konfimon mbështetjen e synimit të Shqipërisë për marrjen e ftesës historike për t’u bërë një anëtar i NATO-s në samitin e Bukureshtit dhe që garanton angazhimin e parlamentit dhe vendosmërinë për të përmbushur të gjitha detyrimet e këtij procesi.
Forcat politike shqiptare që janë përfaqësuar në parlament, konfirmojnë vullnetin e tyre të mirë për të krijuar një klimë besimi dhe bashkëpunimi për të kryer të gjitha reformat ligjore, që në bazë të Kushtetutës sonë kërkojnë një konsensus të gjerë.
Eshtë një kënaqësi e madhe të prezantoj para jush sot këtu, si pjesë të delegacionit tonë, z.Ylli Bufi nga Partia Socialiste, Nenkryetar i Parlamentit shqiptar dhe ish-kryeministër, si edhe Kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, gjithashtu një ish-Kryeminister, tani kryetar i Komisionit për Integrimin, në Parlament. Ata ndodhen sot këtu për të rikujtuar kontributin që kanë dhënë forcat e tyre politike në këtë proces, gjatë kohës së qeverisjes së tyre, për të ripërsëritur angazhimin e forcave politike shqiptare për anëtarësimin në NATO, si edhe për të konfirmuar se kjo politikë është e qëndrueshme dhe e pakthyeshme.
Në këtë atmosferë pozitive, ka përvijuar puna e komisionit parlamentar për reformën gjyqësore dhe komisioni ad hoc i reformës elektorale.
Komisioni i Ligjeve në Parlamentin e Shqipërisë shqyrton çdo ditë nene të projektligjit “Mbi organizimin e Gjyqësorit”. Deri tani janë hartuar 70 % të dispozitave të projektligjit të ri të gjyqësorit dhe Komisioni po diskuton kapitullin e fundit të projektligjit, lidhur me përgjegjësitë disiplinore dhe masat për gjyqtarët.
Në javët e ardhshme ne do të prezantojmë projektligjin organik për miratim në një seancë plenare në Parlament.
Komisioni dypalësh për reformën elektorale po vazhdon punën për të zbatuar rekomandimet e OSBE/ODHIR.
Një dokument i vetëm u hartuar dhe iu dërgua ODIHR-it për shqyrtim. ODIHR u përgjigj dhe sugjerimet e tyre, së bashku me diskutimet e mëtejshme me partitë politike mbi sistemin elektoral kushtetues, do të jenë subjekt i mbledhjeve të ardhshme të Komisionit.
Dy projekte të rëndësishme jane hartuar në bashkëpunim me ekspertët e huaj. Projektet mbi “Prodhimin dhe Shpërndarjen e Kartave të Indentitetit dhe Pasaportave Elektronike për Qytetarët Shqiptarë” dhe “Modernizimi i Shërbimit të Gjendjes Civile”, të cilat u miratuan nga Këshilli i Ministrave dhe ndodhen në fazën e zbatimit.
Ne po marrim oferta ndërkombëtare për projektin e Kartave të Identitetit, të cilat priten të shqyrtohen brenda 28 shkurtit të këtij viti. Projekti për modernizimin e zyrës së gjendjes civile pritet të përfundojë hedhjen e të dhënave të gjendjes civile në qershor të këtij viti dhe, pas përfundimit të projektit, i gjithë sistemi i gjendjes civile do të kompjuterizohet, si pjesë e një rrjeti.
Sot, ekonomia shqiptare është një ekonomi e re, e vogël por dinamike, e lirë dhe e mbushur me entuziazëm. Raportet e fundit të Komisionit Europian tregojnë se qeveria nuk ndërhyn direkt apo indirekt në sektorin privat, por respekton standardet dhe parimet liberale. Organizata të tjera serioze vënë re se liria ekonomike dhe fiskale në Shqipëri është mbi 90%.
Ekonomia shqiptare vazhdon te zhvillohet me ritme të qëndrueshme prej afro 6%, duke e mbajtuar inflacionin nën kontroll në 2.9% dhe me indekse shitjeje 20.7%. Në dy vjet, eksportet janë rritur në 27%, industria e minierave me 150%, turizmi me 74%, treguesit e transportit janë rritur me 77%, ndërkohë që kursimet e shqiptarëve janë rritur me 25%.
Investimet e huaja në Shqipëri janë rritur me 87%, krahasuar me vitin 2006, vit në të cilin këto investime direkte u rritën tre herë, në krahasim me mesataren e 10 viteve të fundit. Lufta kundër korrupsionit ka vazhduar me një vendosmëri të fuqishme.
Qeveria dhe administrata janë reduktuar. Kështu, është zvogëluar numri posteve zyrtare me 33%, nëpunësve civilë me 16%, shpenzimet operative të administratës kanë rënë nga 3% në 2.1% të GDP-së.
Politikat e qeverisë, ndërthurur me luftën pa kompromis kundër korrupsionit, kontrabandës dhe evazionit fiskal, mundësuan një rritje te ardhurave te buxhetit me afro 1 miliard dollarë, krahasuar me vitin e kaluar. Ky është një rezultat akoma më i prekshëm, nëse marrim në konsideratë faktin se gjatë vitit të kaluar ne kemi zbatuar politikën e reduktimit më të madh të taksave, që ka patur deri tani, si edhe faktin se që prej janarit 2008, Shqipëria është vendi me një taksë të sheshtë të vetme prej 10%, për të ardhurat personale dhe të përbashkëta.
Qeveria ka ndërmarrë hapa për reduktimin e burokracisë për bizneset, zbatuar në politikën e regjistrimit “one stop shop”, është krijuar Agjencia për Fondin e Garancisë së Eksporteve, janë përgjysmuar kërkesat burokratike për marrjen e licensave dhe janë lehtësuar proceduarat e tyre. Të gjitha këto kanë tërhequr kompani të njohura, edhe të vendeve tuaja dhe këto kompani po planifikojnë të investojnë miliona dollarë në fushën e turizmit, energjisë, minierave, ndërtimit, etj. Kompani të tjera janë në procesin e miratimit në kuadër të nismës “Shqipëria një Euro”, në zona me interes për vendin dhe rajonin. Viti që sapo ka filluar do të shënojë privatizime të mëdha të ndërmarrjeve të rëndësishme dhe do ta çojnë vendin drejt moshës dixhitale. Gjatë vitit 2008, do të privatizohen kompani të tilla si KESH, INSIG dhe ARMO.
Që prej dhjetorit 2006, Shqipëria ka nisur të zbatojë Marrëveshjen e Ndërmjetme (pjesë e Tregtisë së Lirë të MSA-së) me BE-në dhe vlerësimi i BE-së ka qenë se zbatimi i kësaj marrëveshjeje është i suksesshëm.
Parimi “tolerancë zero” në luftën kundër korrupsionit ka dhënë rezultate gjatë kësaj periudhe. Rreth 206 grupe kriminale janë goditur dhe 850 persona janë vënë para drejtësisë. Hartimi i Ligjit të Policisë Shtetërore është shoqëruar me një strukturë funksionale. Ky ligj mundëson depolitizimin e plotë të policisë dhe respekton parimet e policimit në komunitet. Arritjet e vitit të kaluar në luftën kundër trafikimit janë një shembull i mirë i progresit të reformave në këtë fushë. Rreth 36 grupe janë goditur dhe 149 individë të përfshirë në trafikun e drogës, janë ndjekur penalisht.
Në fushën e krimit ekonomik, krijimi i grupit të punës për luften kundër korrupsionit dhe krimit financiar dhe ekonomik mundësoi ngritjen e rreth 100 akuzave dhe vënien para ligjit të 48 grupeve të përfshira në aktivitete korruptive dhe krime ekonomike. Rreth 220 persona, përfshirë zyrtarë të lartë, janë vënë para drejtësisë.
Në lidhje me masat a marra për të rritur kontrollin dhe sigurinë në kufi, janë hartuar të gjitha aktet përkatëse bazë, si dhe është bërë përshtatja e tyre me standardet e BE-së. Parlamenti miratoi një ligj të ri mbi Rojen Bregdetare që ka të bëjë me kontrollin dhe mbikqyrjen e kufijve dhe ligjin për të huajt. Sistemi i menaxhimit te informacionit total është instaluar në 15 pikat kryesore kufitare; një marrëveshje është nënshkruar me Malin e Zi për hapjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar. Ndërkohë, po vazhdon trajnimi dhe modernizmi i pajisjeve.
Sipas të dhënave statistikore, gjatë vitit 2007 kalimet në kufi u rritën me 30% krahasuar me 2005. Mes të tjerash, një gjë e tillë ka sjellë rritjen e kapaciteteve përpunuese të strukturave të policisë kufitare dhe efikasitetin e veprimeve të tyre.
Lidhur me sigurinë e informacionit të klasifikuar të NATO-s, Shqipëria tashmë e ka plotësuar kuadrin ligjor dhe e ka harmonizuar atë plotësisht me kërkesat e NATO-s. Shqipëria ka rritur edhe kapacitetet njerëzore dhe burimet financiare për të plotësuar kërkesat e Aleancës.
Ushtria shqiptare ka bërë progres të rëndësishëm drejt përmbushjes së objektivave të ciklit të Plan Veprimit të Anëtarësimit 9-të dhe në zbatimin e kërkesave për anëtarësim. Tani, Forcat e Armatosura janë shumë më të përgatitura dhe zyrtarisht të lidhura me forcat e NATO-s.
Në 1 Janar 2008, buxheti i mbrojtjes ka arritur nivelin e 2.01% të GDP. Pjesa më e madhe e tij do të shpenzohet për të modernizuar Forcat e Armatosura.
Duke punuar së bashku me vëndet partnere të NATO-s, ne hartuam Strategjinë Kombëtare Ushtarake dhe Planin afatgjatë të Zhvillimit dhe Modernizimit.
Deri në fund të vitit 2010, tre vjet përpara afatit, si një sfidë, ne do të kemi krijuar një ushtri tërësisht profesionale, të bazuar në përvojat, konceptet dhe mbështetjen e anëtarëve të NATO-s.
Z. Sekretar i Përgjithshëm,
Ne besojmë se kontributi jonë përkrah ushtrive të NATO-s i shërben paqes dhe lirisë për të cilën Shqipëria është përpjekur për më shumë se gjysëm shekulli. Në anën tjetër, pjesmarrja në misione të tilla ka rritur profesionalismin e Forcave tona të Armatosura.
Ne e dime se lufta kundër terrorizmit është një betejë e gjate. Ne, shqiptarët i dimë vlerat e lirisë dhe demokracisë dhe jemi të gatshëm të kontribuojmë për to. Në këtë kontekst, ne do të vazhdojmë të kontribuojmë në Afganistan (ISAF), si dhe në misione të tjera paqeruajtëse të drejtuara nga NATO.
Gjate periudhës të ciklit të 9-të të Plan Veprimit për Anëtarësim, kontributi i Shqipërisë në operacionet ndërkombëtare u dyfishua, duke arritur një personel prej 340 vetësh, që i korrespondon 5.4% të komponentit të këmbësorisë në ushtri. Në bashëpunim me Qëndrën Supreme të Forcave Aleate në Evropë (SHAPE), ne po punojmë për të përgatitur kapacitetet këshillimore dhe të ndërlidhjes (OMLT) në mënyrë që në gjysmën e dytë të vitit ato të mund të jenë të gatshme për misione të përbashkëta me anëtarët a NATO-s. Ne do të vazhdojmë me një ekip në operacionin ALTHEA. Ne gjithashtu po shikojmë mundësinë për të kontribuar në mënyrë modeste në operacionin e BE-së në Çad.
Në 5 Shkurt 2008, ne do të nënshkruajmë në Tiranë një memorandum me komandën e Forcave të Bashkuara në Napoli për përfshirjen tonë në operacionin ‘Active Endeavour” në rajonin e Mesdheut.
Sa here që merr një ftesë, Shqipëria, pa humbur kohë, përshtat legjislacion e saj për të përmbushur të gjitha detyrimet e nevojshme që rrjedhin nga Traktati i Atlantikut të Veriut.
Shqipëria do të vazhdojë të ndjekë politikën e fqinjësisë së mire dhe konstruktive si dhe rolin moderator në rajon.
Ne besojmë në zgjidhjen më të shpejtë të statusit të Kosovës, të bazuar në planin Ahtisari, si zgjidhjen më të mirë, që do të garantojë paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në Kosovë, që garanton respektimin e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në Kosovë dhe vullnetin e popullit të Kosovës për pavarësi. Pavarësia e Kosovës është gjithashtu mënyra më e mire për të realizuar tranzicionin në Beograd. Ajo do ta ndajë Serbinë nga e kaluara e saj dhe nga ideja e Serbisë së Madhe dhe do ta fusë në rrugën e integrimit evropian që e meriton.
Zonja dhe zotërinj,
Raportet ndërkombëtare konfirmojnë se Shqipëria respekton të drejtat njerëzore dhe të minoriteteve, si dhe liritë e shtetasve dhe është një vend me marrëdhënie të shkëlqyera mes besimeve dhe etnive. Një nga vlerat që Shqipëria i jep Aleancës është tolerance e shlëlqyer fetare dhe etnike që karaktizon njerëzit e saj. Një shëmbull i mire do të ishte se numri i hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte më i madh në fund se në fillim të luftës.
Ne besojmë se ndajmë të njejtat vlera, ide dhe qëllime me Aleancën. Shqipëria është bërë eksportuese e sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më tej.
Aleanca është përfshirë, prej një kohe të gjatë në rajonin tone, në përpjekje për ta stabilizuar atë. Pa praninë e Aleancës do të ishte e vështirë të imagjinohej faza aktuale e zhvillimit të Ballkanit Perendimor. Eshtë koha që Aleanca të ftojë Shqipërinë që gjithashtu të bëhet pjesë e saj edhe institucionalisht. Kjo do të ishte një ngjarje e madhe për Shqipërinë dhe vlerësimi më i mirë për performancën tonë individuale. Në të njëjtën kohë, do të përfundojë një marrëveshje lidhur me investimet e Aleancës në rajonin tonë, por gjithashtu në rrugën e saj Euro-Atlantike.
Rajoni jonë ka nevojë për një prani më të madhe të NATO-s në të, vecanërisht në periudhën kur Kosova po shkon drejt statusit final. Zgjerimi i Aleancës do t’i dërgonte një mesazh të fuqishëm orientues vendeve të rajonit që ende hezitojnë në zgjedhjet e tyre lidhur me të ardhmen. Ne besojmë se pavarësisht nga vështirësitë aktuale e ardhmja nuk mund të jetë në vend tjetër përveç se në komunitetin trans-Atlantik.
Z.Sekretar i Përgjithshëm,
Shkëlqesi
Vendimi që do të merrni në 2-4 Prill 2008 do të jetë nje vendim politik, që natyrisht do të bazohet në parimet e Aleancës për performancën individuale. Ky vendim do të pasqyrojë përmbushjen e stadardeve të kërkuara dhe arritjet tona në të ardhmen. Ne besojmë se me Shqipërinë vend anëtar, Aleanca do të bëhet më e fortë. Do të dëshiroja të rikonfirmoja se busalla drejtuese e vendit tim është në drejtim të Perëndimit. Eshtë koha që Shqipëria të rikthehet plotësisht dhe institucionalisht në komunitetin e vendeve Euro-Atlantike që i përket.
Faleminderit për vëmendjen!"