Shkupi gati të kthejë cisternat me karburante nga Hani i Elezit
SHKUP – Drejtoria e Doganave të Maqedonisë njoftoi sot se janë të gatshëm të kthejë pas cisternat e bllokuara nga pala kosovare në vendkalimin kufitar Bllacë. Drejtori i doganës, Vanço Kargov deklaroi se së shpejti do të arrihet një zgjidhje për të evituar radhët e gjata të mauneve në vendkalimin kufitar me Kosovën, pasi që u bllokuan mbi 100 cisterna me karburante.
Ministri i Ekonomisë në Maqedoni, Fatmir Besimi deklaroi se me këtë vendim të autoriteteve kosovare nuk është shkelur marrëveshja për bashkëpunim dypalësh, sepse sipas tij, OKTA është kompani private, ndërsa Kosova ka ligjet e saj.
“Unë kam vënë kontakte me palën kosovare në Prishtinë , por megjithatë vendimi përfundimtar varet prej tyre”, ka deklaruar ministri Besimi, i cili është angazhuar në zhbllokimin e situatës.
Mbi 100 cisterna me karburante nga rafineria e OKTA-s në Shkup u bllokuan ditë më parë nga pala kosovare, me arsyetimin se ato janë të ngarkuara me naftë të cilësisë së dobët.
(a.s/Balkanweb/INA)