Derens: Serbia nuk humbi betejën, por ndoshta luftën!
Serbia e humbi betejën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) të Hagës, megjithëse “gjenerali” Jeremiç e zhvilloi mirë fushatën. ç’është e vërteta, kishte një taktikë të shkëlqyer, por, për fat të keq, Serbia kurrë nuk ka pasur ndonjë strategji për Kosovën dhe çështja është se si ajo do të mund të bisedojë me Prishtinën për statusin. Si fillim, Serbia duhet ta dijë vetë se çfarë do dhe kjo nënkupton jo vetëm debat në Parlament, por një debat të përgjithshëm civil. Këto janë disa nga konsideratat që analisti politik e historiani i njohur francez, Zhan Arno Derens, autor i librit “Kurthi kosovar”, i shprehu këto ditë gazetës së përditshme serbe “Danas”. Në përgjigje të pyetjes së parë se si i vlerësonte ai lëvizjet më të fundit diplomatike të Beogradit, përfshi paraqitjen së fundmi nga ajo të projektrezolutës për Kosovën në OKB, Derens, që drejton edhe uebsajtin e vetëm për Ballkanin në gjuhën franceze, vuri në dukje se “Serbia u përcaktua për mbrojtjen juridike e diplomatike të Kosovës dhe e humbi betejën, ndoshta madje edhe luftën. Tani vetëm se mund të humbasë kohë dhe para. Ofensiva e re diplomatike, duke dërguar më shumë se 50 emisarë diplomatikë nëpër botë, është tmerrësisht e shtrenjtë, ndërkohë që qeveria e Serbisë nuk ka më as para për ‘kontributet financiare’ që u paguan njerëzve që punojnë për të në Kosovë. Serbia nuk do të mund të bëjë gjë tjetër, veçse ta ngadalësojë pak procesin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës. Asgjë më tepër. Për këtë arsye, Beogradi duhet të fillojë një debat demokratik të vërtetë në Kosovë për çështjet bazë dhe më të rëndësishme: çfarë do Serbia në Kosovë dhe nga Kosova, si do të jetë e ardhmja e serbëve dhe e banorëve të tjerë jo-shqiptarë që jetojnë atje, çfarë mund t’u ofrojë e duhet të kërkojë ajo nga shqiptarët dhe sa do të mund të paguante për Kosovën, e kam fjalën për çmimin politik dhe ekonomik”, konsideron politologu i njohur francez. Sa u përket disa konsideratave të përhapura se nisma më e re diplomatike e Beogradit do të mund të përfundonte me pranimin e Kosovës në OKB, Derensi pyetjes përkatëse të gazetës së lartpërmendur iu përgjigj shkurt: “Ky është një opsion shumë i mundshëm. Ndoshta, jo këtë vit, por shpejt”. Kurse lidhur me atë nëse mendimi konsultativ i GJND-së kishte hapur “kutinë e Pandorës” sa u përket përpjekjeve secesioniste (shkëputëse) në botë, apo se Serbia e kishte shtruar gabim çështjen e Kosovës në GJND, z.Derens theksoi: “Ndoshta, edhe njëra, edhe tjetra. Të gjitha shtetet dhe popujt secesionistë, që nga Katalonja deri në Abhazi, e kanë ndjekur me vëmendje të madhe mendimin e GJND-së që, në fakt, ishte një kthesë e vërtetë në të drejtën ndërkombëtare. Ka mundësi që Serbia, ndoshta, nuk e shtroi mirë çështjen, por gabimi i saj më i madh është ai se ajo në GJND nuk përdori argumente ekskluzivisht juridike, por politike dhe historike”.
#