Ambasadorët zbusin Berishën dhe Ramën. Në negociata hyn edhe OSBE-ja

Prapaskenat
Montobjo dhe Lohan “zbarkojnë” te Kryeministri. Withers ndërmjetëson te Rama. Detajet e takimeve
“Zoti Berisha ka konfirmuar pjesëmarrjen në tryezën e Presidentit. Edhe z. Rama ka rënë dakord që nuk do të vendosë kushte paraprake për dialogun me mazhorancën”. Këto kanë qenë fjalitë që janë shpërndarë me “shpejtësinë e erës” në mjedisin diplomatik të Tiranës, vetëm 40 minuta para mesditës së djeshme. Kur dyshja diplomatike e Bashkimit Europian, Montobjo dhe Lohan, ishin përcjellë nga Kryeministri Berisha dhe ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, John Withers, sapo ishte larguar nga selia e Bashkisë së Tiranës, ku ka takuar për më shumë se gjysmë ore liderin e opozitës, Edi Rama. Nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë, ekspertët kanë filluar menjëherë punën për të përgatitur disa variante draft-marrëveshje që mund të ndihmonin palët në dialogun e pritur te tryeza e thirrur nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Kjo ka qenë vetëm një atmosferë e zhvillimeve të vrullshme diplomatike që janë zhvilluar gjatë ditës së djeshme, të cilat kanë pasur një rezultat pozitiv, pranimin e Kryeministrit Berisha për të marrë pjesë në tryezën që do të thirret në një nga dy javët e ardhshme prej kreut të shtetit shqiptar. Gjithçka është zhvilluar në koordinim të plotë dhe me një precizon kohor absolut. Mesdita e djeshme ka shënuar dhe ofensivën më të fortë diplomatike për zgjidhjen e krizës politike në vend e ndodhur që nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Ambasadorët që përfaqësojnë Bashkimin Europian kanë takuar Kryeministrin Sali Berisha, ndërsa ambasadori amerikan ka marrë përsipër negociimin me liderin e opozitës, Edi Rama. Por kjo nuk është gjithçka, pas orës 13.00 te dy liderët kryesorë politikë në vend kanë kërcitur telefonatat nga Brukseli dhe Strasburgu prej krerëve të grupeve parlamentare popullore dhe socialiste për të konfirmuar lajmet e marra po nëpërmjet telefonit. Një rezultat është arritur: të dy liderët janë dakord të ulen në tryezën e Presidentit. Baza e fillimit është që të mos ketë kushte paraprake, kjo e artikuluar nga Berisha. Dhe nga Rama është lëshuar qëndrimi: hetim pa vënë kushte në këmbim të një komisioni që do të bashkëdrejtohet si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita. Ndërkaq, në ditët e ardhshme pritet të takohen ekspertët e dy partive kryesore për të diskutuar mbi vijat e përgjithshme të bisedimeve në Presidencë.
BE
Në orën 12.00, “çifti” diplomatik i Bashkimit Europian në Tiranë, përkatësisht ambasadori i Spanjës në Tiranë, Manuel Montobjo, vend i cili ka presidencën e radhës së BE-së dhe kreu i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, ka mbërritur në zyrën e Kryeministrit shqiptar Sali Berisha. Nuk ka pasur asnjë njoftim paraprak, por gjithçka është zhvilluar nga telefonatat konfidenciale. Takimi ka qenë i mbyllur, por burime diplomatike bëjnë të ditur për “Shqip” se bisedimet kanë rezultuar nga më pozitivet që janë kryer gjatë këtyre dy javëve të fundit, kur Montobjo e Lohan kanë vizituar më se tri herë zyrën e Kryeministrit. Mësohet se në takim është diskutuar protokolli i takimit që do të zhvillohet në Presidencë, si edhe formula e marrëveshjes së negociuar për kthimin e PS-së në Parlament. Berisha ka rënë dakord për të marrë pjesë në Presidencë, por ka kërkuar garanci për paktin me Ramën, duke bërë të ditur se nuk do të firmosë një komision, ku PS-ja të ketë kryesimin.
SHBA
Në të njëjtën kohë me vizitën e ambasadorëve europianë te Berisha, kryediplomati i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, John Withers, ka takuar kreun e opozitës, Edi Rama. Por takimi nuk është zhvilluar në selinë rozë, siç ishte parashikuar më parë, por në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Bisedimet kanë zgjatur më shumë se 40 minuta dhe janë zhvilluar pa praninë e mediave. Pas daljes nga takimi, ambasadori Withers ka theksuar se ka folur me Ramën për vizitën e tij në SHBA të zhvilluar pak kohë më parë. Por burime diplomatike mësojnë se misioni i zotit Withers ka pasur si objektiv marrjen e konfirmimit nga liderit të opozitës për heqjen e parakushtit për komisionin hetimor. Por Rama ka bërë të ditur se opozita do të kthehet vetëm nëse ka një marrëveshje të qartë, e cila vendos me ligj të Kuvendit transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, ndërkohë që është shprehur i hapur për modalitetet pa vënë kufizimet.
OSBE
Një tjetër organizëm i rëndësishëm ndërkombëtar që po aktivizohet me zgjidhjen e krizës shqiptare është edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë. Në mes të muajit mblidhet në Vjenë Këshilli i Përgjithshëm i OSBE-së, i cili do të përcaktojë delegacionin që do të sjellë në Tiranë, ditët kur do të vijë edhe misioni special i Këshillit të Europës. Ndërkaq, mësohet se Prezenca e OSBE-së në Tiranë ka ofruar asistencën për draft-marrëveshjen që do të negociohet mes mazhorancës dhe opozitës në tryezën e Presidentit Topi. Pritet që të hartohen disa variante të kësaj marrëveshje, e cila do të përcaktojë edhe hetimin e zgjedhjeve, por edhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
#