Ambasadori Arvizu: Përgatitjet për 8 majin po ecin në rrugën e duhur

Diplomati amerikan vlerëson masat e marra nga prefektura dhe bashkia e Shkodrës për zgjedhjet e muajit të ardhshëm
Të dyja kampet politike kanë bërë një punë cilësore për zhvillimin e zgjedhjeve vendore të 8 majit. Kështu është shprehur sot ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Aleksandër Arvizu, gjatë një vizite të zhvilluar në qytetin e Shkodrës. Diplomati amerikan u prit në takim nga kryetari i bashkisë së Shkodrës Lorenc Luka dhe prefekti Maxhid Cungu, të cilët Arvizu i përgëzoi për përgatitjet e marra deri më tani në kuadër të zgjedhjeve vendore. “Të dyja kampet kanë bërë një punë të mirë. Kam takuar kandidatë për kryetar bashkie të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste në shumë rrethe. Jam i kënaqur nga puna që kanë bërë të dyja kampet pasi i kam vëzhguar nga afër”- u shpreh Arvizu.
Ai vuri në dukje se zgjedhjet kanë dhe karakterin e tyre politik, ku do të shihet impakti që ato do të kenë në rang kombëtar. “Disa njerëz pyesin se si mendojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëse ky është një referendum kombëtar apo thjesht çështje vendore dhe përgjigja ime ka qenë se çfarëdolloj zgjedhje të zhvillohet do të ketë një impakt kombëtar. Mua më duket se qytetarët kanë të njëjtën pyetje kudo që janë në Shkodër, Vlorë, Sarandë apo Tiranë: dhe ajo është: Çfarë do të bëni për mua, që të jetoj në këtë qytet. Mendoj që ky është mesazhi më i rëndësishëm dhe mendoj që kandidatët do të bënin një punë më të mirë nëse do të shpjegonin se çfarë do të bëjnë ose çfarë do të vazhdojnë të bëjnë ndërsa kërkojnë të kenë sukses”- deklaroi ambasadori Arvizu.
Gjithashtu, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu vlerësoi se falë punës së kryebashkiakut Lorenc Luka qyteti Shkodrës ka pësuar një ndryshim të madh. Ai nënvizoi se ishte hera e tij e dytë që vizitonte qytetin e Shkodrën.
“Kjo vizita ime e dytë në Shkodër. Po shoh ndryshim të madh falë punë së bashkisë, të bërë nga zoti Lorenc Luka”- tha Arvizu.