Ambasadori Bosh: “Zgjidhja e krizës politike kërkon vetëm vullnet politik”
Në përfundim të mandatit të tij si ambasador i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Robert Bosh ka shprehur bindjen se zgjidhja e ngërçit politik në vend është shumë pranë. Sipas tij, mjafton që palët të tregojnë vullnet politik për të zgjidhur krizën. Ambasadori Bosh komenton punën e tij në Shqipëri gjatë tre viteve të mandatit të tij në krye të OSBE-së. Ai kritikon tejzgjatjen e krizës politike, ndërsa sugjeron politikën shqiptare të arrijnë sa më parë një marrëveshje. Bosh gjithashtu zbulon detaje nga raporti që ai do të paraqesë në OSBE për Shqipërinë.
Zoti ambasador, ju po largoheni në një moment kur ende nuk është zgjidhur kriza politike në Shqipëri. Si e vlerësoni situatën, a pritet të ketë kompromis mes palëve?
Unë jam një optimist i lindur edhe për këtë situatë, kështu që nuk shoh absolutisht asnjë arsye se pse nuk mund të gjendet shumë shpejt një zgjidhje. Kjo, sigurisht, varet, si zakonisht, nga një gjë e vetme: vullneti politik. Në fakt, ka qenë vërtet zhgënjyese që deri tani nuk ka pasur vullnet të mjaftueshëm për t’i dhënë fund këtij ngërçi. Aktorët vendas e dinë që të gjithë se ka kaq shumë objektiva kombëtarë strategjikë që duhen arritur, saqë nuk mund ta vazhdojnë edhe aq gjatë këtë ngërç. Sa i përket Prezencës, ne do të ndihmojmë, nëse na kërkohet, por, kësaj radhe do të më pëlqente të shihja klasën politike të marrë përsipër autorësinë e veprimeve të saj, pa ndonjë përfshirje të jashtme, në përputhje me atë çka ka thënë edhe BE-ja. Do të habitesha shumë nëse Prezencës i kërkohet së shpejti të ndërmjetësojë për ndonjë marrëveshje. Kjo nuk do të thotë se po të na kërkohej diçka e tillë, ne do të refuzonim. Megjithatë, një argument bindës është se, po të përfshihemi, siç kemi bërë më parë, nuk do ta ndihmonim shumë klasën politike vendase për të marrë përsipër autorësinë e veprimeve të saj. Shqipëria është anëtare me te drejta të plota në NATO dhe me aspirata shumë të forta e të njohura për t’u bërë anëtare e BE-së. Një marrëveshje përfundimtare e pranueshme për të gjitha palët do ta forconte së tepërmi pozicionin e vendit në arenën ndërkombëtare.
Të enjten ju do të mbani raportin e radhës para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së mbi situatën politike në Shqipëri dhe mbi veprimtaritë e OSBE-së. Ku përqendrohet kryesisht raporti?
Raporti im do të bëjë një përmbledhje të ngjarjeve kryesore politike dhe programatike të vitit të kaluar. Kësaj radhe i kemi lënë ndoshta pak më shumë hapësirë shqyrtimit të situatës politike dhe, sigurisht, klimës politike që lidhet me situatën pas zgjedhjeve të vitit 2009 dhe shtetit të së drejtës, të cilat janë pasqyruar në mënyrë të plotë. Sa u përket zgjedhjeve, pavarësisht gjithçkaje tjetër që po ndodh, do të nevojitet një vullnet më i madh politik për t'u siguruar se zgjedhjet e ardhshme për qeverinë vendore do t'i plotësojnë plotësisht standardet ndërkombëtare. Bazuar në rekomandimet e raportit të fundit të OSBE/ODIHR-it, duhet të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur e të përfundojë një proces konsensual reforme, pas zhvillimit të një procesi të përshtatshëm konsultimi, një proces me një qasje gjithëpërfshirëse.
Ju jeni dëshmitar i zhvillimeve politike në Shqipëri. Si i vlerësoni punimet e Kuvendit të Shqipërisë?
Megjithatë, ngërçi politik e ka penguar miratimin e një sërë ligjesh shumë të rëndësishme për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe ne do të donim të shihnim një parlament që punon me të gjithë kapacitetin e tij. Sa i përket punës së deputetëve, besoj se seancat plenare të Kuvendit përbëjnë përfaqësimin e dukshëm të institucionit dhe kur publiku sheh se disa nga të zgjedhurit e një viti më parë sillen, si ta them, si “të lodhur apo të ngarkuar emocionalisht”, kjo nuk ndihmon shumë për rritjen e prestigjit të institucionit të Kuvendit. Deputetët e të gjitha ngjyrave politike kanë një përgjegjësi të rëndësishme për të ngritur nivelin e debatit politik. Në pjesën më të madhe të rasteve kjo ndodh vërtet dhe ne nuk duhet ta harrojmë, por shpesh gjuha e përdorur në debate lë shumë vend për përmirësime. Në shumicën e parlamenteve të Europës Perëndimore njerëzit nuk e ofendojnë tjetrin në mënyrë të drejtpërdrejtë, por flasin me më shumë elegancë dhe e vërteta del në një mënyrë shumë më të pranueshme, duke i dhënë një model më tërheqës sjelljeje atyre që i kanë zgjedhur.
Ju jeni shprehur hapur për një gjyqësor të pavarur dhe për emërimet e reja që duhet të bazohen te kriteret profesionale. Si i konsideroni sulmet e fundit të PD-së ndaj presidentit Topi lidhur me këtë çështje? A i keni mbështetur nismat për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve?
Po, ne kemi rekomanduar që të ketë më shumë transparencë në procesin e përzgjedhjes në gjykatat e nivelit më të lartë, madje edhe në procesin e ngritjes në detyrë të gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit. Pa një transparencë të tillë, është e vështirë të vlerësohet nëse emërimet kanë qenë të drejta apo jo. Sa u përket sulmeve ndaj të emëruarve nga Presidenti, kemi vënë re se ka mendime të ndryshme pikërisht lidhur me shkallën e autoritetit që duhet të ketë Kuvendi në shqyrtimin e këtyre kandidatëve. Megjithatë, ka pasur të paktën një rast kur një kandidat u hodh poshtë pa pasur plotësisht mundësinë që të shpjegohej, gjë që ne e konsiderojmë për të ardhur keq. Heqja e imunitetit të gjyqtarëve është një temë e vështirë dhe një çështje rreth së cilës ka argumente të forta nga të dyja palët. Nga njëra anë, imuniteti i Gjyqësorit mund të shërbejë si një instrument për të mbrojtur pavarësinë e Gjyqësorit nga ndërhyrjet e pushtetit ekzekutiv. Me këtë imunitet, nga ana tjetër, mund edhe të abuzohet për qëllime korruptive. Ne kemi konstatuar se Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka filluar së fundi ta heqë imunitetin në disa çështje që janë në proces e sipër, në vend që të heqë nga puna gjyqtarët, dhe kjo është një lëvizje e shëndoshë, pasi i lejon prokurorisë ta përfundojë punën e saj para marrjes së një vendimi të formës së prerë mbi fatin e gjyqtarit. Ne e mbështesim plotësisht atë çka ka thënë publikisht Këshilli i Europës për këtë çështje vitin që shkoi, domethënë për heqjen e pjesshme të imunitetit. Sa i përket Presidentit, unë e kam thënë herë pas here se e mbështesim Zyrën e Presidentit si mbrojtësen kyçe të shtetit të së drejtës në këtë vend, por sigurisht që kjo zyrë ka gjithmonë vend për t’u bërë më e fortë.
Si do ta konsideronit punën e Prokurorisë së Përgjithshme gjatë këtyre viteve?
Është e qartë se Prokuroria e Përgjithshme ka pasur një punë shumë të vështirë. Dihet se që të dy prokurorët e Përgjithshëm të mëparshëm janë hequr nga puna pas procedurave të kritikuara nga Gjykata Kushtetuese, kështu që kjo prokurorja aktuale e Përgjithshme ka ardhur në detyrë duke qenë e ndërgjegjshme se të tilla sulme nuk janë të pamundura as kundër saj. Kemi parë disa hapa të guximshëm të ndërmarrë nga Prokuroria e Përgjithshme në ndërmarrjen e disa ndjekjeve shumë të njohura penale. Megjithatë, do të doja ta shihja këtë institucion edhe më të konsoliduar për të bërë të mundur një qasje edhe më energjike ndaj hetimit të çështjeve që lidhen me krimin e organizuar, korrupsionin dhe proceset zgjedhore.
Marrë me shkurtime nga “Albanian Daily News”
8 Shtator 2010