E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngjela: “Beteja të ashpra do të vijnë nëse nuk realizohet transparenca”

Kreu i PLD-së: “Nuk ka reformë zgjedhore pa u kryer transparenca e plotë”. Spartak Ngjela deklaron se Ilir Meta e ka derën të mbyllur në “Opozitën e bashkuar”

Intervistoi: Eneida Jaçaj

Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, në një intervistë për gazetën “Albania”, deklaroi se “Opozita e bashkuar” do të ndërmarrë të tjera beteja të ashpra nëse nuk realizohet transparenca e zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar.
Ngjela theksoi se transparenca e zgjedhjeve është domosdoshmëri dhe opozita nuk cedon nga ky aspekt. Sipas tij, pa transparencë nuk mund të ketë më zgjedhje në Shqipëri, pasi tashmë Shqipëria ka rënë përfundimisht në tirani.
Përsa i përket reformës zgjedhore, kreu i PLD-së nënvizoi se pa u realizuar fillimisht transparenca, opozita nuk do të ndërmarrë asnjë hap tjetër. Por Ngjela nënvizon se në Kodin Zgjedhor ndryshimet duhet të prekin gjithçka, si sistemin zgjedhor, mënyrën e votimit, kompozimin e KQZ-së, kompozimin e komisioneve të qendrave të votimit dhe ato zonale. Pra, sipas tij, duhet një reformë e thellë. Përsa u përket ndryshimeve në qeverinë “Berisha”, Ngjela tha se Ilir Meta e gjeti Saliun të trembur dhe në fije të perit, duke i marrë një ministri që ai mendon se “ka para”. “Por, në fakt, Meta do ta shohë se atje nuk ka aq para sa i kanë thënë dhe do të zhgënjehet për të ikur fare nga maxhoranca. Por pyetja është kjo: ku do të shkojë? Në Opozitën e Bashkuar mendoj se e ka derën e mbyllur”, - u shpreh Ngjela. Kreu i PLD-së dënon aktin tentues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të djegur fletët e votimit. Ai paralajmëroi se nëse KQZ-ja do të djegë fletët e votimit, ajo do të digjet bashkë me të.

Si ju duket situata aktuale politike? Së fundi, nga Partia Demokratike u largua një deputet, lëvizje e cila u alternua me largimin e një deputeti tjetër nga Partia Socialiste. Mendoni se këto lëvizje dëshmojnë një paqëndrueshmëri të politikës shqiptare?

Mendoj se e gjithë kjo gjendje është refleks i një krize të gjatë në të gjitha aspektet e jetës politike në Shqipëri. Kjo krizë është e pranishme në Parlament; është e pranishme në administrim; është gjithashtu e prekshme në të gjithë raportin midis asaj dhe shoqërisë shqiptare dhe, më në fund, kuptohet qartë se politika shqiptare është e shkëputur nga ndjesia shoqërore. Shqiptarët janë të shkëputur nga politika sepse zëri i tyre nuk ndihet fare në drejtimin e shtetit. E gjithë kjo gjendje e ka sjellë situatën në atë pikë ku opozita duhet të zgjedhë mirë: me popullin dhe kundër kësaj maxhorance me veprime force, apo kundër popullit dhe e heshtur kundrejt abuzivizmit shtetëror. Pikërisht, një situatë e tillë, kur duket se opozitën po e rreshton dukshëm në anë të popullit, ndodhi edhe ajo që ju i thatë “largime në Parlament”. Së pari, largimi i z. Sterkaj është refleks i krizës së maxhorancës në raport me gjendjen, kurse largimi i z. Tavo është presioni i qeverisë dhe i Berishës që i kanë bërë këtij. Të shohim se si do të vijojnë ngjarjet, por për të gjitha ato që thashë më lart, kriza do të vijojë dhe do të sjellë ngjarje të reja në Parlament dhe jashtë tij.

Çfarë hapash të mëtejshme do të ndërmarrë koalicioni opozitar nëse nuk bëhet transparenca e zgjedhjeve?

Transparenca e zgjedhjeve është domosdoshmëri dhe opozita nuk cedon nga ky aspekt. Pa atë transparencë, nuk mund të ketë më zgjedhje në Shqipëri dhe Shqipëria ka rënë përfundimisht në tirani. Opozita nuk duhet ta lejojë këtë dhe nuk do ta lejojë. Pa transparencën e zgjedhjeve në Shqipëri, do të ketë edhe më shumë beteja përpara, madje shumë më të ashpra sesa këto që kanë kaluar.

Nga ana ligjore, sa e drejtë është që KQZ-ja të ekzekutojë fletët e votimit në kohën kur pritet të ngrihet komisioni parlamentar hetimor?

Nuk e bën dot këtë akt. Nëse do ta bënte, zjarri që do të përdornin birbot e KQZ-së nuk dihet se kë do të digjte: fletët e votimit, apo selinë e KQZ-së bashkë.

Përsa i përket reformës zgjedhore, parimisht çfarë sugjeroni se duhet të ndryshojë?

Kjo është një çështje e komplikuar sepse ka shumë gjëra që nuk janë mirë në Kodin Zgjedhor. Unë mendoj se duhen prekur të gjitha, edhe sistemi zgjedhor, edhe mënyra e votimit, edhe kompozimi i KQZ-së, edhe kompozimi i komisioneve të qendrave të votimit dhe ato zonale. Duhet një reformë e thellë. Të shohim, sepse jemi ende te transparenca e zgjedhjeve të vitit 2009 dhe, pa bërë këtë, asgjë nuk mund të diskutohet për reformën zgjedhore.

Me cilën forcë politike do të bëni koalicion për zgjedhjet vendore dhe a keni hyrë në marrëveshje paraprake?

Ju e dini se Partia Ligj dhe Drejtësi, që unë drejtoj, e ka bërë marrëveshjen me Partinë Socialiste dhe partitë e tjera të koalicionit opozitar. Sot ajo quhet “Opozita e Bashkuar”.

11 Tetor 2010

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›