Ambasadori Dell, zgjedhjet kane patur parregullsi
Ambasada e SHBA-ve ka përgëzuar popullin e Kosovën për mbajtjen e zgjedhjeve të para të përgjithshme pas shpalljes së pavarësisë, por gjatë ketij proçesi ka patur dhe parregullsi.
“Zgjedhjet ishin shprehje e demokracisë dhe ne ishim të ngazëlluar që pamë aq shumë kosovarë që treguan përkushtimin e tyre me daljen në votime anekënd vendit. Kosova tashme ka përpara saj një test ndersa numërohen votat. Institucionet e Kosovës duhet t`i tregojnë opinionit publik se ato janë të gatshme për të mbrojtur integritetin e të drejtës për të votuar”, thuhet në një deklarate të Ambasadës amerikane.
Sipas deklarates, ambasadori Christopher Dell ka vëzhguar zgjedhjet në 17 vendvotime në 12 qendra votimi në komunat e Drenasit, Gjakovës, Deçanit, Pejës, Klinës dhe Skenderajt. Ambasadori Dell ka vëzhguar numërimin e votave në shkollën e mesme “Hamëz Jashari” në Skenderaj. Aty pati parregullsi gjatë numërimit të cilin e vëzhgoi ambasadori, duke kundërshtuar dhe raportuar për rastin.
“Fletëvotimet në kuti tejkalonin numrin e të nënshkruarve në regjistrin e votuesve. Ne kemi kuptuar se ka pasur edhe raste tjera të parregullsive që kanë ndodhur në Skenderaj dhe në Drenas”.
Në deklarate thuhet se vëzhgimi i zgjedhjeve është i rëndësishëm dhe opinioni publik do të kthehet kah vëzhguesit që ishin të pranishëm më 12 dhjetor për të dhënë mendimet e tyre të sinqerta te KQZ-ja dhe te Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.