Thaçi, të respektohet vendimi përfundimtar i KQZ-së

Kryeministri në largim i Kosovës nëpërmjet një deklarate për media, ka përgëzuar qytetarët e Republikës së Kosovës për përfundimin me sukses të plotë të zgjedhjeve parlamentare të 12 dhjetorit 2010.
Ai tha se “bazuar në vlerësimet e gjithanshme, të bëra nga misionet e ndryshme të vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë këtu edhe deklaratën zyrtare të Bashkimit Evropian nga zyra e baroneshës Catherine Ashton dhe të komisionerit të BE-së për zgjerim, Stefan Fule, proçesi zgjedhor është vlerësuar shumë i qetë, i përgatitur mirë dhe pa deformime serioze teknike, që do të mund të vënin në dyshim rezultatin zgjedhor”.
“Prandaj, përfitoj nga rasti që të falënderoj qytetarët e Republikës së Kosovës për maturinë e treguar dhe për pjesëmarrjen shumë të kënaqshme në proçesin e votimit.Gjithashtu, dua të uroj edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për përgatitjen e këtyre zgjedhjeve në këtë afat të shkurtër zgjedhor. Për me tepër, sot, është obligim ligjor i KQZ-së dhe i Panelit për Ankesa dhe Parashtresa që të adresojnë të gjitha ankesat e mundshme, që me profesionalizëm t`i adresojnë të gjitha vërejtjet e mundshme dhe me vendimet e tyre t`a përmirësojnë ndonjë parregullsi të mundshme” theksoi Thaci.
Këto veprime janë të domosdoshme për të siguruar se vullneti i shprehur i qytetarëve të Republikës së Kosovës, i shprehur përmes votës së lirë, të respektohet dhe të implementohet në tërësi.
Në të njejtën kohë, falënderoj të gjitha partitë politike të Kosovës për kontributin e tyre në mbarëvajtjen e këtij procesi zgjedhor.
Thaci theksoi se është jetike që të tregohet pjekuri politike, andaj kerkoi qe te gjitha partitë politike të angazhohen për t`ia mundësuar organeve kompetente kushtetuese që te japin vlerësimin e tyre përfundimtar për mbarë procesin zgjedhor.
“Cilido që të jetë vendimi përfundimtar i KQZ-së dhe Panelit për Ankesa dhe Parashtresa, ai duhet të respektohet nga të gjitha partitë politike”, deklaroi në fund Thaçi.