Ambasadori Lohan vlerëson arritjet e Shqipërisë

Ambasadori i Komisionit Europian në Shqipëri, Helmuth Lohan, i dorëzoi sot Kryeministrit Sali Berisha Strategjinë e BE-së për Zgjerimin, si dhe Progres-Raportin për vitin 2008 në Shqipëri. Lidhur me Strategjinë e Zgjerimit të KE-së, Ambasadori Lohan vuri në dukje para mediave, se ajo "nënkupton faktin se ecuria përpara e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE, mund të përshpejtohet nëse këto vende do të plotësojnë kushtet e nevojshme. Kjo do të thotë se vendet potencialisht kandidate për BE, mund të arrijnë statusin e vendeve kandidate. Po ashtu, ky dokument thotë se nëse këto vende të Ballkanit Perëndimor arrijnë të përmbushin disa kërkesa të caktuara, atëherë komisioni mund të propozojë që të hiqen detyrimet e vizave gjatë vitit 2009", informoi Ambasadori Lohan për mediat, në selinë e qeverisë shqiptare. Për sa i përket Progres-Raportit të vitit 2008, Ambasadori bëri të ditur se ai përmban tre ndarje kryesore që kanë të bëjnë me kriteret politike, ekonomike dhe standardet europiane. Duke u ndalur te kriteret politike, z.Lohan vuri në dukje se "raporti vlerëson ecurinë e deritanishme për sa i përket konsolidimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës dhe kjo në bazë të konsensusit partiak. "Po ashtu në raport thuhet se Shqipëria ka vazhduar të luajë një rol konstruktiv në ruajtjen e stabilitetit të rajonit si dhe ka nxitur marrëdhënie të mira me fqinjët”, tha më tej ai. Për sa i përket luftës kundër korrupsionit, Ambasadori Lohan vlerësoi se në Progres-Raport vihet re se ka patur një përmirësim të perceptimit të publikut lidhur me këtë fenomen, si dhe janë vënë re edhe të gjitha përpjekjet që janë bërë në këtë luftë. Raporti, sipas tij, thekson faktin se "zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, duhet të zhvillohen në përputhje me standardet ndërkombëtare". Lidhur me kriteret ekonomike, Ambasadori Lohan theksoi se "në progres-raport vihet re fakti se ekonomia shqiptare ka pasur rritje në mënyrë të shpejtë si dhe ka mbajtur nën kontroll inflacionin". Po ashtu, ai u shpreh se "raporti vlerëson ecurinë në fushën e privatizimit, si dhe përmirësime të tjera në klimën e biznesit". "Po ashtu, në Progres-Raport vihet re se në të ardhmen do të ketë nevojë për reforma të konsiderueshme, në mënyrë që ekonomia shqiptare të përballet me trysnitë e konkurrencës së tregut të BE-së", tha Ambasadori Lohan. Ndërsa për sa i përket standardeve europiane, Ambasadori i KE-së e konsideroi Progres- Raportin "tepër realist në përcaktimin e ecurive që janë bërë në disa fusha të caktuara, si dhe në përcaktimin e atyre që duhet të bëhen në të ardhmen"....