Berisha: Raporti vjetor i KE-së është një program pune për qeverinë time
Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se "Qeveria shqiptare do ta shndërrojë në një program pune, Progres-Raportin vjetor të KE-së për Shqipërinë". Ambasadori i Komisionit Europian në Shqipëri, Helmuth Lohan, i dorëzoi sot Kryeministrit Sali Berisha, Strategjinë e BE-së për Zgjerimin si dhe Progres-Raportin për vitin 2008 në Shqipëri. Gjatë deklaratës së përbashkët për shtyp në selinë e qeverisë shqiptare, z. Berisha vuri në dukje se "raporti vjetor i KE-së për Shqipërinë përbën vlerësimin më objektiv për zhvillimet në vend, gjatë këtij viti. Kjo nuk është një marrëveshje bilaterale, por nëse do të ishte e tillë do ta firmosja pa i ndryshuar asnjë gjë, sepse i tillë është objektiviteti i këtij raporti në vlerësimin e zhvillimeve të gjithanshme të vendit", tha z.Berisha.
Në këtë drejtim, ai u shpreh se "raporti përbën një dokument të shkëlqyer si program pune për qeverinë, por edhe si një program elektoral për sa i përket kërkesave që shtron dhe problemet që duhet të zgjidhen në vitin e ardhshëm".
Duke u shprehur dakord me të gjitha vlerësimet dhe kërkesat objektive të raportit, Kreu i Qeverisë shqiptare siguroi se "stacioni në të cilin ka arritur vendi, për këtë qeveri përbën një bazë shumë të fuqishme për të arritur më shpejt objektivat e shumta që duhen realizuar".
Kryeministri Berisha e konsideroi këtë raport si "një hartë rruge shumë të qartë, pasi çdo kërkesë apo vlerësim që ai bën është në interesin e procesit të integrimit të Shqipërisë". Në këtë kuadër, Kryeministri garantoi se "Qeveria nuk do të ketë të ndalur me reformat për konsolidimin e mëtejshëm të demokracisë dhe institucioneve shqiptare", pasi siç nënvizoi ai, "kjo është rruga e vetme e zgjerimit të lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë".
"Raporti njeh dhe vlerëson me nota të qarta pozitive përpjekjet tona në reformat ekonomike, por ato që janë arritur janë thjesht një burim frymëzimi për ne, për të rendur pas niveleve, kritereve dhe praktikave të tjera të lirisë ekonomike dhe të lirisë fiskale", tha Kryeministri.
Lidhur me luftën kundër korrupsionit, Kryeministri ritheksoi edhe njëherë se "në rast se Shqipëria ka dalë në gjysmën me dritë të hënës, një rrugë e gjatë dhe plot vështirësi fillon përpara". Z. Berisha shprehu angazhimin se qeveria dhe gjithë agjencitë e saj do ta kenë këtë një program të vërtetë pune dhe kjo, siç u shpreh ai, “është në detyrimin e të gjitha institucioneve të vendit, për të cilat integrimi europian, së bashku me anëtarësimin në NATO, janë dy projektet e shekullit".
...