E Diel, 1 Nëntor 2026

Koha për t’i shëruar plagët shpirtërore që kanë trashëguar shqiptarët

Shqipëria ka jetuar e varfër e izoluar, aty ku marshimet dhe kundërmarshimet e
Lindjes dhe Perëndimit e kanë shkelur pothuajse aksidentalisht, kryeneçe me një kod të lashtë dhune hakëmarrëse. Kur gjithë këtij konstatimi të Richard Ederit ia shtojmë edhe sundimin gjysmëshekullor nga një sistem me pamje dhe brendi horrori orvellian,ku viktimë reale ishte vet qytetari shqiptar, ndersa personazh i konvertimit të një parajse planetare, malësori dhe natyra e tij epike si në kënget e moqme të Gjergj Elez Alisë. Të përpiqesh që malësorin i cili të gjitha i duronte përveq fytyrës së vrugosur,
ta shëndrrosh atë në komunist proletar t'i besoj kultit mbi njeriun e jo zotit,
është më shumë se sa donkishotizëm, më shumë se sa tallje me historinë.
Të takosh në krye të rrugëve e në ballë të shesheve, qoftë si emra institucionesh apo edhe të derdhur në bronz heronjtë me të dyshimtit e historisë e edhe me armiqët e saj, është
sikur të provosh të bësh hajgare me kodet e vlerave njerëzore. Zor se mund të takosh dikë tjetër pos shqiptarit që ka provuar lëndime aq të mëdha në shpirtin e tij të ndjeshëm kolektiv. ''... Malësori shqiptar, - do të konstatonte Kadare, që s'e kishte për
gjë të shkatërronte jetën e tjetrit dhe vetëm për një fyerje ose një thyerje
rregullash kanunore mbetej si i mpirë, si i '' shituar nga zana'' përpara hijes së nëpunësit''. Më bëhet sikur që nga koha e Dovletit, gjer në kohën e betimit palaçollëk ''pasha nerën e
e partisë'', ecëm zbathur mbi shkëmbinjtë e thepisur aziatikë.
Paj, siç duket edhe sot sikur jemi mjaft të lodhur nga kjo ecje e gjatë. Mjaft ecëm në binarët e kokëkrisjes së kapërdisur. Mjaft me rrugët e shtruara enveristo-titiste. Mjaft, bile tepër. Edhe sot dikush dëshiron që zjarrit t'i hedhë benzinë. Populli e di, se çfarë
ishin të parët e kush të dytët. Ç'bënë ata e ç'farë bënë këta, duhet të jesh apo të bëhesh naiv për të mos e ditur!? Kot së koti mundohet t'i ngatërrojë dikush.
Të burgosurit politik të Kosovës punuan dhe luftuan për çlirimin e Kosovës. Ata ishin patriotë nacionalistë që në përmbajtje te përpjekjeve të tyre kishin çlirimin e popullit nga kallaçina serbe. Kujtesa kolektive ende i ruan ''maricat'' e zeza që silleshin si xhelatët e gijotinës nëpër rrugët tona .Kohë të rënda ishin atëherë. Qoftë për një fjalë, për një varg apo për një këngë të pinte e zeza.
E sot çfarë? Gjithë kësaj t'i bëjmë sehir!? Jo, sepse sot duhet të veprojë shteti, si arritja më kulmore e politikës (kështu e quante shtetin filozofi i njohur Friedrich Hegel). Sot duhet të veprojë Kosova. Kushtrimet, thirrjet, inatët dhe veprimet e
ndara anarkike, doemos duhet t'i lëshojnë udhë institucioneve kombëtare dhe shtetë-rore. Se duhet të merremi më shumë me të ardhmen, më shumë siç do të thoshte në një intervistë pak para se të vdiste albanologu i njohur Bajram Krasniqi ''...me jetën se me vdekjen'', sepse, konstatonte ai qysh tëherë, ''do të jenë të lumtur ata të
cilët e presin fundin e bizantizmit para qytetërimit evropian''.
Mëkat i madh që ai nuk e priti. Shkoi shumë i ri. Atë ditë kur na la, 9.nëntor. 1990, ishte vetëm 39 vjeç. Shkuarja e tij ishte një nderprerje e madhe. Nderprerja e tij ishte e njejtë me atë të Migjenit për të cilën Kadare do të thoshte në librin për Migjenin, Nolin e Lasgushin: ''...ndërprerja e tij nuk qe e zakonshme, përderisa ajo është ndërprerja e një uragani...''. Para 18 vjetëve, në korrik të 1990-s i bëra Bajramit një vizitë në spitalin e Zagrebit. Atje, ai po bënte betejën e fundit për jetë. Stoik si personazhet në kritikën e tij letrare të romanit historik, përballej me sëmundjen e rëndë, me atë të keqen e shkretë
që i thotë populli, por në shpirt i fortë si gjithëherë. Edhe në ato orë mjaft të rënda brengosja për Shqipninë dhe shqiptarët ishte përmbajtja alfabetike e shpirtit dhe mendjes së tij. E shihni se ç'po ndodh në Shqipni..!? Ja, si po bëhemi gazi i botës! E patë trishtimin e tandur të atyre që mësynë ambasadat e vendeve përendimore!? Kështu qortues në zë dhe fjalë, i ndjeshëm dhe kryengritës në shpirt filloi së gjykuari realitetin shqiptar dhe të kaluarën e tij jo fort të largët, për të vazhduar më tej shkurt e shqip ashtu siç dinte dhe mundëte vetëm ai: ''....Gabime të rënda... Sistem i stërmbushur me gjëra të këqija. Kohë që ka trandur rëndë psikën dhe shpirtin shqiptar...Historia padyshim se do ta thotë fjalën e vet”.
Tronditja e trishtimi, edhe sot pas sa vjetësh po kalërojnë mallkueshëm mbi
shpirtin tonë. Shqiptarët janë ende ndër popujt më të palumtur në botë. Më të lumtur se ne janë edhe irakianët janë. Të dëshpëruar dhe pesimistë (sipas Institutit për Kërkime
Shoqërore të Universitetit të Michiganit) si ne janë: armenët, moldavët e zimbabvianët. Por kushtet ekonomike, sociale dhe politike i kemi disa herë më të mira se disa vende të cilat sipas hulumtimit në fjalë gjenden në pozitë shumë më të mirë të lumturisë shpirtërore. Ligështimet e shpirtit kolektiv kombëtar nuk shërohen me kujtimin e dhunuesve dhe ksperimentuesve të tij. Shthurjet dhe krizat shpirtërore kanë lënë në harresën e historisë popuj, gjuhë e perandori. Nuk ka urgjencë më të madhe se kjo. Situatë e jashtëzakonshme i thonë kesaj.
Prandaj, Qeveritë e dytë shteteve shqiptare kanë mbi shpinë misionin e lartë kombëtar dhe historik. Intelegjencë shqiptare, bashkojuni për të shëruar shpirtin e lënduar shqiptar.
sepse siç do të thoshte Erich Fromm: ''...Qyqarët nuk mund të jenë të lirë''.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›