E Diel, 1 Nëntor 2026

Katolikët dhe myslimanët po kalojnë nga dialogu i njohjes tek dialogu teologjik

Çelet në Vatikan Forumi katoliko-mysliman, një tryezë dialogu, e përbërë nga 29 ekspertë katolikë e po aq ortodoksë. Kardinali Zhan Lui Tauran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar flet në një intervistë mediatike për objektivat e këtij dialogu

Filloi dje e do të vazhdojë deri më 6 nëntor, seminari i parë i organizuar nga Forumi Katoliko-mysliman, i themeluar nga Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar e nga eksponentë myslimanë, pas letrës së hapur së 13 tetorit 2007, drejtuar Papës Benedikti XVI dhe krerëve të tjerë të Kishës e të Bashkësive të krishtera nga 138 personalitete myslimane. Kujtojmë se përgjigjia e Atit të Shenjtë u dha më 19 nëntor 2007. Seminari ka për temë “Dashurinë e Zotit; dashurinë për të afërmin”. Dita e djeshme iu kushtua bazave teologjike dhe shpirtërore të kësaj teme, ndërsa dita e nesërme do t’i kushtohet “dinjitetit të njeriut dhe respektit të ndërsjelltë”. Ditën e tretë, më 6 nëntor, pjesëmarrësit do të priten në audiencë nga Ati i Shenjtë, ndërsa pasdite, në orën 16.30 do të zhvillohet një sesion publik në Universitetin Papnor Gregorian, gjatë të cilit do të bëhet e njohur edhe Deklarata përfundimtare. Në seminar marrin pjesë 29 ekspertë nga ana katolike dhe po aq nga ana myslimane. Mbi rëndësinë e këtij takimi, flet në një intervistë për Radio Vatikanin, kardinali Zhan-Lui Turan, kryetar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar: “Është rrjedhojë e letrës, që 138 personalitete myslimane u drejtuan, vitin që shkoi, krerëve fetarë të krishterë e në veçanti Papës. Është një takim i parashikuar. Por gjëja më e rëndësishme është se ai na bën të mundur ta rilexojmë Islamin përmes dy urdhërimeve: dashurisë së Zotit dhe dashurisë së të afërmit. Është diçka që s’është bërë më parë. Tani, kujdes, të mos e shndërrojmë këtë letër e këtë forum katoliko-mysliman në diçka të jashtëzakonshme, sikur ta kishim filluar dialogun nga kjo e letër e 138-ve. Jo, ne dialogojmë me Islamin që prej 1400 vjetësh. Kemi gjithashtu Koncilin, me dokumentin “Nostra Aetate”, që ka përvijuar një rrugë edhe më të saktë për dialogun. Prandaj, unë do të thosha se është një kapitull i ri i një historie të gjatë. Temat e seminarit u zgjodhën gjatë një mbledhjeje, që patëm në marsin e kaluar, ndërmjet një delegacioni të 138-ve dhe Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar. Temat u zgjodhën sëbashku. Në takim, katolikët paraqesin pikëpamjet e tyre, myslimanët të vetat e më pas do të dialogojmë mbi to. I lihet kohë e mjaftueshme dialogut, në mënyrë që palët të njihen mirë, të shpjegohen. Mendoj se do të kemi mjaft kohë gjatë këtyre dy ditëve për t’u thelluar në temat, që janë argument i reflektimeve tona. Në fund, parashikohet një deklaratë e përbashkët. Në seminar flasim pak nga të gjitha, vijon kardinali më tej. Por, për shembull, nuk mund të themi se kemi një dialog teologjik. Dialogu teologjik është baza, por akoma nuk është përcaktuar e realizuar teknikisht. Nga ana tjetër, bashkëpunojmë në nivelin e etikës, në nivelin shpirtëror, kur veprojmë bashkërisht, në rastet e katastrofave të mëdha humanitare. Për të qenë realistë, sipas meje, gjëja më e rëndësishme është se pavarësisht nga vështirësitë, pavarësisht nga krizat, ne flasim. Urat ndërmjet nesh nuk janë prishur e mendoj se kjo është e rëndësishme. Marrëdhëniet ndërmjet katolikëve dhe myslimanëve varen shumë nga gjendja politike në ato vende ku Islami është feja e shumicës. Besoj se ajo që i tendos marrëdhëniet është edhe se për botën myslimane, Krishterimi është Perëndim. Është një përzierje tepër e rrezikshme, pasi sa herë që përgjegjësit e shoqërive perëndimore marrin vendime politike, që myslimanët i konsiderojnë kundër interesave të tyre, atëherë thonë: këta janë të krishterët që na sulmojnë, këta janë të krishterët që na provokojnë. E marrëdhëniet mbeten të ndera”. Pyetjes nëse Selia e Shenjtë vepron për të përmirësuar situatën e të krishterëve në shtete me regjime myslimane, kardinali Toran i përgjigjet kështu: “Së pari, i duhet të veprojë për të përmirësuar gjendjen e tyre. Është detyrë e Selisë së Shenjtë të mbrojë të drejtat themelore, kur ato kërcënohen ose mohohen. Si vepron Selia e Shenjtë? Së pari, duke u kujtuar bashkëbiseduesve të drejtat themelore të njeriut: e drejta për jetën, e drejta për lirinë e ndërgjegjes e të fesë e çdo të drejtë tjetër, që lidhet me to. Pastaj, ajo ka pa dyshim, kanalet diplomatike. Selia e Shenjtë ka marrëdhënie diplomatike me shumë vende arabe. Ky është një kanal i privilegjuar. Gjithashtu, dialogu ndërfetar na lejon të kërkojmë të drejtat dhe përmbushjen e aspiratave legjitime të vëllezërve tanë në fe, që janë objekt persekutimesh e dhune. Unë besoj se, siç them shpesh, ne jemi të dënuar të dialogojmë. Nuk kemi zgjidhje tjetër, përveç asaj që na lejon të ecim sëbashku, me ndihmën e Zotit. Jemi të gjithë në rrugë drejt së vërtetës. Kur gjendemi në situata të vështira, nuk duhet të kemi frikë të themi që besojmë, se është Ai në të cilin besojmë. Nuk duhet të kemi frikë për të denoncuar dhunimin e të drejtave të njeriut, sido që të jenë, në mënyrë që e vërteta të ngadhnjejë mbi forcën e forca e së drejtës të ngadhnjejë mbi të drejtën e forcës”.
Ipeshkvijtë e Orisës, në Indi u japin zemër të krishterëve viktima të persekutimeve dhe kërkojnë drejtësi/Një letër baritore e nënshkruar nga të gjithë ipeshkvijtë e Orisës u lexua dje në të gjitha kishat e këtij shteti indian. Siç dihet që nga fundi i gushtit e deri më tash dhuna kundër të krishterëve ka shkaktuar më se 60 të vdekur, 50 mijë të shpërngulur, 180 kisha të shkatërruara dhe dëmtime në banesa, kuvende, spitale dhe qendra mikpritjeje. “Kishim nevojë t’i jepnim zemër popullit tonë të sfilitur nga këto sulme mizore e barbare - tha për agjencinë Azianjuz Imzot Raphael Cheenath, kryeipeshkëv i Kutak-Bubanesvar, një nga nënshkruesit e letrës së hapur. “Në të njëjtën kohë - tha ai, - deshëm t’u shpjegonim se historia e Orisës hyn tek historia e Kishës së përbotshme, në të cilën vëmë re se të krishterët janë persekutuar nëpër shekuj.”
Në letër prelatët thonë se “përkulen përvujtërisht përpara besimit të fortë” që treguan të krishterët dhe janë krenarë që ata “ditën t’i bëjnë ballë çdo forme kanosjeje dhe kërcënimi.” Letra mbyllet me një falenderim për të gjithë ata “persona, shoqata të shoqërisë civile, gazetarë, organizata joqeveritare, aktivistë politikë, qytetarë të ndërgjegjshëm” në Indi e në botë, për mbështetjen që iu kanë dhënë të krishterëve.
18 vjetori i Meshës që shënoi rifitimin e lirisë e të demokracisë në Shqipëri/Më 4 nëntor, Kisha katolike në Shqipëri e Kryeipeshkëvija e Shkodrës përkujtuan 18 vjetorit e kremtimit të Meshës së Shenjtë ndër varreza të qytetit (04.11.1990) nga dom Simon Jubani, që shënoi rënien e regjimit të diktaturës ateiste komuniste dhe rifitimin e lirisë e të demokracisë në Shqipëri. Shkodranëve u takon merita e rivendosjes së demokracisë në Shqipëri. Pas dekadash të tëra të ndalimit të fesë në Shqipëri nga regjimi ateist e komunist, dom Simon Jubani, meshtar katolikë para 18 vjetësh kremtoi meshën e parë në Shkodër duke përuruar rifitimin e lirisë e të demokracisë në Shqipëri. Dom Simon Jubani njihet si një nga njerëzit e meshtarët që ka vuajtur gjithë jetën në burgje komuniste dhe që sfidoi regjimin komunist duke kremtuar të parën Meshë më 4 nëntor 1990 para në kapelën e varrezave të Rrmajit, duke u bërë kështu nismëtari i rihapjes së Kishës në Shqipëri kur komunizmi nuk ishte rrëzuar ende.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›