Cilat janë sfidat dhe perspektivat e krizës energjetike globale?

Që nga fillimi i këtij shekulli kriza e shkaktuar energjetike, energjinë e ka kthyer në skenë dhe e ka vënë në qendër të interesimit global në rrafshin ekonomik, politik dhe ekologjik. Në rrafshin ekonomik, për shkak të ngritjes së fuqishme dhe befasuese të çmimit të naftës në bursat botërore të mallit. Javën që shkoj ka arritur rekord të rij çmimi prej 142,26 dollar për barel. Gjer te shtrenjtimi i ri ka ardhur kur një nga udhëheqësit e OPEC-ut. tha se gjer në fund të vitit, për shkak të dollarit të dobët dhe jostabilitetit gjeopolitik, një barel naftë e papërpunuar do të arrij në 170 dollar. Ky çmim realisht po i përgjigjet maksimumit historik të arritur gjer me tani, sipas të gjitha gjasave gjerë në fillim të vitit të ardhshëm të arrij në nivelin prej 200$ për barel. Në këtë rritje po ndikon zvogëlimi i pabarazisë ekonomike globale në mes të Veriut-Jugut. Për pasojë, kemi rritjen e jashtëzakonshme të kërkesave për energji, kurse në anën tjetër pamundësinë e ofertës që t’i përgjigjet në mënyrë adekuate. Tërë kjo në kontekstin ndërkombëtar po shkakton gjithnjë e më shumë tensione politike. Çdo rritje e çmimit të naftës prej 10 dollarëve për barel, rezulton në shpenzime vjetore direkt në më shumë se 300 miliardë dollarë për ekonomin globale. Rrafshi i dytë i kësaj krize energjetike është politike. Kjo po përcillet me tensione dhe keqësim të situatës politike. Ka ndodhur bashkimi i madh i kapitalit të prodhuesve në tregun global dhe forcimi i tyre i jashtëzakonshëm ndërkombëtar. Jo stabiliteti i çmimeve përsëri është në rendin e ditës të shumë qeverive nacionale dhe organizatave ndërkombëtare. Përpjekjet e tyre janë që të sjellin siguri energjetike, si në anën e ofertës agregate (për vendet konsumuese) po ashtu edhe në anën e kërkesës agregate (për vendet prodhuese). Rrafshi i tretë i krizës është ekologjik i cili është shkaktuar me rritjen e kërkesës agregate për energji dhe frikës nga rreziku që po i kanoset njerëzimit nga ndryshimet klimatike. Këto ndryshime po shkaktohen nga emisioni i gazrave të serës, të cilat seriozisht kanë atakuar “gjendjen shëndetësore të planetit tonë” dhe mirëqenën e pasardhësve tonë. Rasti i jashtëzakonshëm i katastrofës ekologjike në nivel botëror që po i shkakton ekspansioni ekonomik industrial kinezë, të cilin e ka pranuar edhe vetë Qeveria e këtij vendi e ka vënë në rrezik këtë vend me pasoja shkatërruese për të ardhmen. Për këtë të gjitha qeveritë e vendeve të pasura në programet e tyre të zhvillimit i kanë vënë dhe po i jetësojnë ligjet për ruajtjen e ambienti duke i zvogëluar konsumin e energjisë nga burimet e fosileve (hidrokarbureve: nafta, gazi, thëngjilli). Sepse këto janë shkaktar kryesor të lirimit të dyoksid karbonit (CO2) në atmosferë. Politika, ekonomia dhe ekologjia po paralajmërojnë për sfidat e krizës energjetike me të cilat e tërë bota po ballafaqohet, të cilat me kalimin e kohës po bëhen gjithnjë më komplekse. Kur dihet se për një pjesë të këtyre fenomeneve janë gjetur zgjidhje, kurse për një pjesë të tyre, ende kanë mbetur të pazgjidhura dhe mjaft kontradiktore.
Cilat janë perspektivat energjetike globale?/Para se të shihen se cilat janë perspektivat energjetike globale. Gjithsesi është e nevojshme të identifikohen disa rrethana të përgjithshme të cilat po ndikojnë edhe po e sfidojnë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik global. Këto janë: nxehja globale dhe ndryshimet klimatike; marrëdhëniet gjeopolitike dhe konfliktet kryesisht në rajonet e pasura me naftë dhe gaz natyror ; mandej fakti se më tepër se dy miliard e gjysmë njerëz nuk kanë mundësi dhe as qasje në format moderne të energjisë; rritja e pritur e popullatës në botë - gjer në vitin 2050, prej 9-11 miliardë; trendi i përhershëm i rritjes së konsumit të energjisë (gjer në vitin 2030-të në më shumë se 55%), tërë kjo do të shkakton edhe më shumë ndryshime ekologjike me pasoja të katastrofave për jetën në planetin tonë. Duke u bazuar në tërë këtë që u tha shtrohet pyetja e ekzistencës së zhvillimit të qëndrueshëm global. Për zhvillimin e qëndrueshëm duhet të analizohen këta faktorë: energjentë, gjegjësisht energjia në përgjithësi e cila në periudhën e ardhshme do të jetë gjithnjë e më e shtrenjtë dhe do të jetë mjaft vështir të vijmë gjerë te ajo; ushqimi i cili është bërë i cenuar dhe mjaft i shtrenjtë, duke pasur për bazë zvogëlimin e mundshëm të sipërfaqeve bujqësore për shkak të prodhimit të bionaftës dhe për shkak të përmbytjeve globale dhe dukurisë së vërshimeve. Mandej problemet me ujin e pijshëm, për të cilin do të ketë kërkesa gjithnjë e më të mëdha, gjithashtu mund të cenohet nga përmbytjet globale dhe pamundësia e pastrimit të rrethinës. Është e ditur që energjentët me prejardhje nga fosilet (nafta, gazi, thëngjilli) mbulojnë 80% të nevojave për energji primare. Për këtë do të përqendrohemi në potencialet, rolin dhe shekullin jetësor të tyre. Sot kudo, po diskutohet për shekullin jetësor, edhe për sa kohë do të konsumohen rezervat e naftës, gazit dhe thëngjillit. Duke u bazuar në këtë thuhet që në gjysmën e parë të këtij shekulli e ndoshta i tërë ky shekull do të ketë vështirësi në gjetjen dhe zëvendësimin adekuat të këtyre burimeve energjetike. Shekulli jetësor varet nga sasitë e potenciale të rezervave të fituara të energjetikëve në raport me konsumimin e tyre global. Sipas analizës së ekspertëve, thuhet se shekulli jetësor i naftës do të jetë vetëm edhe për 40 vjetët e ardhshme, kurse gaz do të ketë vetëm edhe për 64 vjet, kurse tek thëngjilli shekulli jetësor do të jetë edhe për 300 vjet. Këtu është fjala për burimet konvencionale ku energjetiket mund të prodhohen me teknologjinë e tanishme të rëndomtë. Për çdo rast, shqyrtimi i shekullit jetësor për naftën dhe gazin na paralajmëron që lufta dhe koncesionet për pushtimin e hapësirave të pasura me rezerva, do të jetë e jashtëzakonshme dhe i pa kompromis. Kur e kemi parasysh që ardhja gjer tek këto rezerva potenciale është e vështir, sepse të gjithë janë të interesuar që sa më shumë të investojnë në veprimtarin më fitimprurëse të kohës. Sipas kësaj, mund të thuhet, koha e emergjentëve të lirë, ka mbet larg mbrapa nesh. Tërë kjo situatë ka krijuar nervoz në mesin e prodhuesve, kurse në mënyrë të veçantë tek konsumatorët. Kjo ndodh nga fakti që tek vendet prodhuese të naftës po parashtrohet çështja e rregullave dhe e kontrollit të nxjerrjes (sepse pyetja është - çka pas naftës). Duke i shtuar kësaj edhe rrethanat e luftërave lokale, spekulimeve rreth psikozës të mungesës së naftës dhe gazit , për shkak të rritjes së konsumit në vendet aziatike (Kina, India etj). Krejt kjo situatë po rezulton në ngritjen e përhershme të çmimit të naftës dhe gazit natyror.
Duhet theksuar që shumica e rezervave botërore të naftës (më shumë se 70%) gjenden në hapësirën nga Lindja e afërt gjerë te regjioni i Kaspikut. Është e kuptueshme që edhe më tutje në këto rajone do të dominojnë interesat gjeopolitike, gjendjet turbulente dhe konfliktet luftarake. Mirëpo duhet gjithashtu të kemi parasysh konstatimin e ekspertëve që rezervat e hidrokarbureve nga burimet jo konvencionale (burimet e naftës së rëndë, vajrat e rërës, gurorët bituminoz; hidratet metanike të cilat janë të koncentruar pran brigjeve të oqeaneve dhe të hapësirave të gazit që gjenden në rezervat e thëngjilli etj), është disa herë më e madhe nga burimet konvencionale. Për shfrytëzimin e tyre janë të nevojshme teknologji të përsosura dhe shumë të shtrenjta, çka në të ardhmen do të rezultojë me ngritjen edhe me të lart të çmimeve të energjetikëve. Gjithsej, rezervat konvencionale dhe jo konvencionale të burimeve të hidrokarbureve janë mjaft të respektuara, kurse shekulli jetësor i tyre është mjaft më i gjatë. Kështu p.sh. për naftën afër 200 vjet, për gazin natyror më tepër se 450 vjet, kurse për thëngjillin më tepër se 1000 vjet. Në bazë të asaj që u tha mund të përfundojmë, që nga aspekti energjetik, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik i duhet zhvillimi i teknologjive të reja për prodhimin racional të hidrokarbureve nga burimet komplekse jo konvencionale. Fjala është për potencialet e burimeve nën oqeane, mandej të zhvillohen teknologji të reja për rritjen dhe nxjerrjen e hidrokarbureve (nafta ,gazi) nga basenet ekzistuese të zbuluara (nga 20-40% të sotmet në 60% e më tepër në të ardhmen). Gjithashtu është e domosdoshme të zhvillohet teknologjia e prodhimit të gazit natyror nga hidratet metanike, më herët gjerë në vitin 2020-të dhe më së voni gjer te viti 2030, për arsye sepse në to fshihen rezerva të mëdha. Mandej të zhvillohet dhe të përkryhet aplikimi i teknologjive për fitimin e energjisë nga burimet plotësuese ripërtrirëse. Do t’i kushtohet vëmendje teknologjisë për fitimin e energjisë mbi bazën e hidrogjenit. Do të zhvillohet teknologjia e fitimit të energjisë me procesin nuklear të fuzionit (procesi i kundërt nga fisijoni i cili sot po dominon), i cili pritet të funksionon tek pas vitit 2050). Gjithashtu po i kushtohet mjaft ndërtimit të infrastrukturës transportuese globale në mes të prodhuesve dhe qendrave të kërkesës me qëllim që furnizimi të jetë efikas dhe i sigurt. Të gjitha këto i paraqesin mundësit reale të daljes nga kriza energjetike globale e cila po e sfidon dhe po e ngadalëson zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik global.
Autori është ekspert i marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare dhe ligjërues universitar
...