Ambasadori Rus të flasë për marrëdhënie të mira, kur të njohin Kosovën
Në fakt, gjithmonë e kam pyetur veten pse shteti ynë është kaq i paaftë sa nuk mund të menaxhojë asgjë, por vetëm shet e shet... Kemi shumë toka në Shqipëri, kërkohen blerës të huaj, kemi shumë naftë në Shqipëri, kërkohen privatizues… Hajde politikë, hajde!
Kjo më erdhi në mendje, duke lexuar intervistën me Ambasadorin Rus në “Shekulli”. Dakord jam për gazsjellësin dhe linjat direkte të aeroplanëve midis Shqipërisë dhe Rusisë, po për vizat duhet të jemi të kujdesshëm… Nuk mundet të kemi vetëquajtje të njëanshme të marrëdhënieve të mira midis dy vendeve. Duhet të kemi marrëdhënie të mira të dyanshme dhe kjo vjen në saje të bashkëpunimit të suksesshëm në të gjitha degët, duke mos u krijuar pakënaqësi nga asnjëra palë.
Tani për tani rusët kanë pakënaqësi për çështjen e Kosovës, kështu që nuk mundemi të quajmë marrëdhënie të mira me rusët, përderisa ata nuk do njohin Kosovën si shtet sovran. Kur të përputhen të gjitha ato çka na ndajnë, atëherë duhet të vazhdojmë të bëjmë hapa drejt marrëdhënieve më të mira.
Sa për turizmin sasia nuk ka të thotë. Shumë turistë shkojnë edhe në Kubë, por ajo vazhdon të jetë e varfër, kështu që për turizmin ka të bëjë më tepër cilësia dhe qëllimi që kanë turistët që hyjnë në vend.