Skaner i panevojshëm
Maqedonia është përfshirë nga ethet e zgjedhjeve shtatanike (të parakohshme). Në këtë kontekst vazhdoj të mbroj idenë fillestare që ndërprerja e procesit është jashtë çdo logjike elementare. Po ashtu, kam bindjen e thellë se këto zgjedhje kryekëput janë modeli më i keq që adaptohet në një kohë pa kohë. Megjithatë, përkundër vërejtjeve objektive, data e zgjedhjeve dihet, sikundër dihen edhe partitë që do të garojnë në këtë eveniment certifikues. Jo vetëm kaq. Gjykuar apriori, dihen edhe lëvizjet dhe taktizimet e subjekteve politike në raport me elektoratin, nuk është fshehtësi as oferta dhe projekti i tyre. Nëse vazhdojmë me këtë frymë, nuk ka nevojë as për skaner partiak veç e veç, për shkak se qëllimi i këtyre zgjedhjeve dihet në krye të herës. Bashkimi Demokratik për Integrim nxitoi ta promovojë veten si provokuese e zgjedhjeve duke injektuar formulën e stopimit të proceseve. Është ndoshta rasti i vetëm që zgjedhjet iniciohen të karikuara nga frikërat e humbjes së kredibilitetit politik.
Në kushte të tilla, vështirë se mund të ketë përfundim tjetër përveçse presion për ta shndërruar ecurinë e procesit në një hapësire boshe. Në këto kushte, këto zgjedhje janë produkt i mendësisë së vjetër, si të thuash, të bësh prova teknike do e fitoj një vend të pamerituar në piedestalin e pushtetit, apo jo. Për të krijuar një ide të saktë dhe precize për manovrën e zgjedhjeve shtatanike, mjafton ta hedhësh shikimin tek partitë politike dhe të dalësh në konkluzionin: shih e shkruaj. Në kushtet aktuale, po shohim dy partitë maqedonase që përvijojnë politikat e tyre antagoniste, që herë pas here mundohen të vendosin disa principe që ngjajnë me kullat e rërës. Pra, dy subjekte me orientime dhe përcaktime diametralisht të kundërta, dy mentalitete që nuk ka forcë magnetike t’i puqë dhe më kryesorja, dy parti që dallojnë në aspektin e kurbës së autoritetit dhe prestigjit në elektorat.
Sigurisht, në rrethanat aktuale kanë edhe një dallim esencial, VMRO-DPMNE ka motivim në këto zgjedhje, ndërkaq LSDM-ja është e demoralizuar. Në gjuhën e pragmatizmit, përparësia e partisë së Gruevskit qëndron në atë se nuk është konsumuar dhe ezauruar në pushtet. Dy vite janë shumë pak, për të neutralizuar kundërshtarin. Në këtë pikë Sheqerinska e ndjen humbjen që në start. Kjo është njëra anë e medaljes, sepse analizuar dhe shikuar nga pikëpamje shtetërore, dy partitë më të mëdha maqedonase hyjnë në këto zgjedhje me një problem që u rri si shpata e Demokleut në kokë: ngërçi i negociatave për emrin, është sa problem shtetëror, po aq edhe politik.
Për të qenë koherentë, në një shkrim të kahershëm, shkruaja: NATO, larg dhe afër! Ky togfjalësh është aktual edhe në ditët dhe muajt e ardhshëm. Kjo është beteja me e madhe që ka të bëjë me mendësinë shtetformuese maqedonase dhe atë të kushtit shqiptar, pra, është me e rëndësishme sesa vetë zgjedhjet.
***
Meqë në shtete të tilla si Maqedonia, vlera e gjykimit mekanik zhvlerësohet, meqë përbërja strukturale e shtetit multietnik është e tillë që fenomenet dhe proceset nuk duhen parë ndaras, kampi politik shqiptar veçohet përmes dy karakteristikave. Ndërsa njëra parti mendon dhe gjykon se pa dëshirën e saj erdhën deri tek zgjedhjet shtatanike, partia tjetër, e cila nuk arriti të adaptohet për asnjë sekondë në opozitë, kërkon të shpëtojë barkën e cila po shkonte drejt fundosjes. Në këtë rast, skaneri është i panevojshëm. Këto zgjedhje, përveç negativitetit, nxjerrin sheshit ambiciet për pushtet, përparësinë e njërës ndaj tjetrës në kuptimin e ofertës, dallimet thelbësore në orientim dhe përcaktim. Ta konkretizojmë: PDSH-ja është e orientuar dhe e përcaktuar për implementimin e kërkesave kruçiale të shqiptarëve, ndërkaq BDI-ja ishte e orientuar dhe e përcaktuar për të rrokur pushtetin. Jo vetëm kaq. Bashkimi Demokratik për Integrim si iniciuese e zgjedhjeve shtatanike, bëri një hap fals meqë politikisht endet në një hapësirë boshe, pra, pa ofertë. Kësaj i thonë papjekuri politike, nga njëra anë dhe nga ana tjetër, një taktikë tallëse me kushtin shqiptar. Kjo lëvizje taktike, është si të thuas, të vendosësh shkopin në rrotat lëvizëse të implementimit të kërkesave shqiptare. Edhe të budallepsurit e kanë të qartë skemën dhe vizatimin e skicës së këtyre zgjedhje.
BDI-ja luan kartën e fundit, e cila është e bazuar katërcipërisht tek niveli i ulët i kulturës politike të elektoratit, mirëpo ndërkaq, harron se vlerat e qytetarisë në këto hapësira nuk është se duhen neglizhuar. Është e vërtetë se ende nuk është fituar pjekuria politike në elektorat për të bërë diferencën e retorikës shterpe ndaj ofertës reale. Megjithatë, PDSH-ja e ka shfrytëzuar pushtetin e saj duke instaluar frymën e racionit. Nuk ka hapësirë ku banojnë shqiptare, përfshirë edhe aty ku minoranca është e dukshme që të mos ketë investime. Thënë në mënyrë figurative, ngado që ta rrotullosh kubin e orientimit politik, dalin figura investimesh, ndërtime dhe themelime institucionesh, ulje drastike të kriminalitetit, vendosjen e standardeve në arsim, betejën e luftës kundër korrupsionit, klimën e sigurisë dhe të stabilitetit, inkurajimin e rinisë duke u hapur shtegun e punësimeve e kështu më radhë. Në këto zgjedhje, dallimi mes dy partive shqiptare është i madh: PDSH-ja hyn në garë me shlyerjen e kontratës me elektoratin, ndërkaq BDI-ja provon shansin duke u vërtitur rreth hapësirës boshe dhe duke pretenduar tek karakteri emocional dhe periferik. Fatkeqësisht kjo parti politike nuk merr në konsiderate se shkon drejt elektoratit me stofin e korrupsionit, krimit, kaosit, paaftësisë dhe të stopimit të proceseve. D.m.th., hyri në valle pa marrë në konsideratë dështimet në qeverisjen katërvjeçare. Shikuar nga ky rrafsh, matematika është fare e thjeshtë: PDSH është favorizuese sepse këtë luks ia krijon bilanci pozitiv në rrafshin shumëdimensional, ndërkaq BDI i ka varur shpresat tek populizmi dhe retorika boshe.
Një tjetër karakteristikë është se PDSH-ja garon në ketë eveniment certifikues përmes doktrinës së saj politike me bazament etnik, BDI-ja vazhdon të vërtitet rreth reliktës së integrimit utopik. PDSH-ja hyn në vallen zgjedhore e motivuar me ofertë konkrete dhe me libër, fletët e të cilës janë të verifikueshme arritjet ne aspektin shumëplanësh, ndërkaq “integristët” hyjnë kuturu vetëm e vetëm që të shpëtojnë barkën e cila dita-ditës fundoset. Me një fjalë gjashtë kërkesat e PDSH-së, trullosën dhe zbehën logjikën e veprimit të mëtejshëm politik të opozitës shqiptare. Në këtë kontekst vjen gabimi taktik i radhës. Me kamerdare nuk mund të shpëtohet një ekuipazh i tërë. Si përfundim, skaneri është i panevojshëm: zgjedhjet u provokuan thjeshtë dhe vetëm nga frika e fundosjes së një projekti sa konfuz dhe të sajuar politik. Por, në fund, edhe pse nuk besoj tek mrekullitë profetike, megjithatë Maqedonia ka gjasa të dalë nga këto zgjedhje më e pjekur politikisht. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak, sepse bazuar tek oferta, konfiguracioni qeverisës do të jetë ky që është.