E Diel, 1 Nëntor 2026

Punët e Kuvendit dhe papunësia

 

Vëzhgues të politikës dhe të medieve, po konstatojnë çdo ditë një presion të paparë të çmimeve të artikujve kryesorë mbi qytetarët e këtij vendi; përkeqësimi i nivelit të jetesës së shtresave që konsiderohen të varfra apo në kufijtë e varfërisë, është i dukshëm. Përpjekje për indeksimin e pagave e të pensioneve (edhe pse u fol për një 3% qesharak) nuk duken asgjëkund në horizont. Nëse kësaj tabloje i bashkohen edhe shifrat e larta të papunësisë, një realitet për të cilin shteti gënjen qytetarët e vet, atëherë pamja bëhet edhe më dramatike. Dhe janë pak a shumë këto rrethanat, në të cilat Kuvendi i Shqipërisë u përfshi nga polemika të ashpra dhe ku u evidentuan moskuptime të reja e të vjetra, në lidhje me një paketë ndryshimesh të Kushtetutës; (gjithaq edhe për një borxh të konsiderueshëm për rrugën Durrës-Kukës, që gjithashtu do të përkeqësojë treguesit e ekonomisë shqiptare). Dhe, le të themi, tamam në kohën që vlojnë polemikat e, natyrisht, shtohet varfëria dhe pasiguria për jetën, në një qytet të njohur të Gjermanisë - në Koblenz - zhvillohej një spektakël krejt i veçantë nga sa mund të thotë termi në fjalë. Kjo ishte “Festa e Mjeshtrave të Dhomës së Zejtarëve”. Në vijim të një tradite tashmë 100-vjeçare, Dhoma e Zejtarëve e Koblenz-it i jep tonin jetës ekonomike e sociale në Rhineland Palatinate, një prej landeve më të rëndësishme të Gjermanisë. Zejtaria (që për ta nënkupton të gjitha mjeshtëritë dhe punët që kryhen me dorë) konsiderohet një nga degët më të rëndësishme të ekonomisë, krahas industrisë, tregtisë, bujqësisë e degëve të tjera. Kualifikimi i punonjësve dhe i nxënësve të shkollave profesionale, është një nga fushat ku Dhoma e Koblenz-it konsumon shumë energji. Festa që vjen në këto radhë si një krahasim (aspak për t’u dëshpëruar) me atë çka ndodhte ndërkohë tek ne, u organizua në Pallatin e Rehn-it, në prani të mbi 2 mijë pjesëmarrësve. Në njëfarë mënyre, ajo ishte kurorëzimi i një veprimtarie të ngjeshur, që midis të tjerave i ofron tregut të punës - çdo dy vjet - rreth 1000 specialistë të fushave të ndryshme, mjeshtra, siç i quajnë ata. Edhe tek ne zhvillohen shumë spektakle, herë-herë me njëlloj klasi, herë-herë groteske. Por skena e Pallatit të Rehn-it, ishte këtë herë vetëm për ata që mund t’i quajmë “zotër të punës”. Dy grupe me nxënësit më të përzgjedhur, ishin vendosur në ballë të skenës, ndërkohë që një bandë muzikore i jepte festës hera-herës ngjyrat e një shfaqjeje të vërtetë. Lule. Monitorë të mëdhenj, ku shfaqeshin pamje nga puna e “Mjeshtrave”, pastaj emrat e tyre të nderuar sipas fushave përkatëse.

Pa u druajtur se po dalim nga tema, përkundrazi, duhet vënë në dukje, këtu është vendi për një detaj të rëndësishëm të asaj feste. Diplomat, apo certifikatat, iu dorëzuan “Mjeshtrave” në dorë, njëri pas tjetrit, nga vetë Kryeministri i landit dhe njëherësh Kryetari i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë - një nga pretendentët për postin e Kancelarit të ardhshëm të vendit - Kurt Beck. Ky gjest ishte mjaft domethënës. Përpara se të dorëzonte diplomat, zoti Kurt nuk foli për politikë, nuk bëri komente, nuk sulmoi ndonjë kundërshtar. Ai tha prerë (e në sintoni të plotë me emrin dhe mbiemrin e tij të shkurtër) se ekonomia gjermane kishte shumë nevojë për këta “Mjeshtra” dhe se ata i japin tonin ekonomisë gjermane. Zoti Beck theksoi gjithashtu nevojën e kombinimit të traditës me novacionin. Ndërkohë, dhënia e diplomave u përcoll me shumë entuziazëm dhe duartrokitje nga publiku në sallë. Mes të diplomuarve, ishte një vajzë që titullohej mjeshtre zdrukthëtare dhe këtë profesion e kishte trashëguar nga prindërit e saj. Ndër të intervistuarit, një i sapodiplomuar me kombësi turke tha se e kishte patur ëndërr të fliste para dy mijë njerëzve në këtë pallat. Mes të diplomuarve, ishte gjithashtu edhe një djalosh kosovar. Dhe ndërsa zoti Beck kthehej me modesti në vendin e vet në sallë, “yjet” e këtij spektakli vazhdonin t’i gëzoheshin suksesit të tyre, sa edhe shkollimit e diplomimit; ky “udhëtim” konkret drejt punës, përfshin të gjitha fushat, nga profesionet më të thjeshta deri tek shitblerja, komunikimi, drejtimi i ndërmarrjeve, teknologjia e mjedisit, restaurimi i ndërmarrjeve dhe godinave, etj.

Edhe pse për lexuesin e nderuar, pranëvënia është e kthjellët, argumente të tjerë meritojnë njëlloj shpjegimi. Për fat të keq, gjatë viteve të gjata e të vështira të tranzicionit, tek ne është prodhuar shumë egjër. Këso prodhimesh ka mjaft edhe në Kuvendin e Shqipërisë, edhe në administratën e saj, edhe nëpër partitë dhe sindikatat e shoqatat e pafund. Në mënyrë parazitare, njerëz me dhe pa merita, prej kohësh që s’mbahen mend, të kapur pas atyre organizmave të paqena që u zunë goje më lart, hanë nga buxheti i shtetit dhe i qytetarëve; dhe sikur kjo të jetë pakogjë, bëjnë edhe spektakle, por jo si ai për të cilin rrëfyem më lart dhe ku në monitorët gjigantë shfaqej një djalosh i thjeshtë, që kontrollonte gomat e një makine, kurse në skenë, një nga figurat e mëdha të politikës evropiane, Kurt Beck, i jepte atij diplomën e punësimit dhe i shtrëngonte dorën. Në spektaklet e politikanëve tanë “të vjetruar”, listën e të cilëve e kryeson Kryeministri i këtij vendi, ka vetëm mburrje, narcizëm dhe demagogji. Është pikërisht politika “e vjetërsuar” që në vend të punës ka nderuar papunësinë, që në vend të përpjekjes e shkollimit të ndershëm, ka inkurajuar trafikun, sekserllëkun, profesione shumë të pëlqyera në Shqipëri. Shumë prej qytetarëve shqiptarë, duke vështruar se si abuzon dhe nuk ndëshkohet politika “e vjetërsuar” dhe politikanët aso, janë bërë edhe ata pjesë e “lojës tranzicionale”, që mund të përmblidhet në fjalët trafik dhe sekserllëk. Këto praktikohen për lëndë narkotike, për barut e armë (që bëjnë gjëma), për toka (të tjetërkujt), për zhdukjen e kundërshtarëve, (si i ndjeri Remzi Hoxha), për emërime dhe çemërime (shpeshherë të turpshme), patjetër edhe për vota. Askush nuk mund të mohojë se ka edhe një pamje tjetër ndërkaq: biznese të ndershme, ndërtime me lejë, ligje dhe vendime të duhura, marrëveshje të vlefshme, hapa inkurajues për integrimin e vendit në NATO dhe BE. Por sa, sa larg jemi ende nga ai gjesti (gjerman) i zotit Beck, që shoqëron aq natyrshëm sloganin e njohur “Mirëmëngjes, Mjeshtër!”. Ne shpeshherë kemi thënë e themi: “Mirëmëngjes, Trafikant!” ose “Mirëmëngjes, Sekser!”. Qofshin sa më jetëshkurtra këto slogane! Për ta përmbyllur, po sjell ca vargje të njohura të një punëtori të madh, Migjenit: “Gjeli këndon dhe thotë se asht afër drita/ Gjel, rren a s’rren? Cila asht fjala e jote?” (Nji natë pa gjumë)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›