Ambasadori Wollfarth: Konsensus për reformën zgjedhore, Presidenti sipas Kushtetutës

Kreu i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth i bën sërish thirrje klasës politike, të përfundojë brenda 24 majit reformën zgjedhore.
“Për sa i përket reformës së Kodit Zgjedhor, unë do të thosha që të dy bashkëkryetarët e reformës zgjedhore kanë bërë deri tani një punë shumë të mirë. Mbetet tani vetëm milja e fundit e cila duhet të vendoset në një nivel politik, por unë jam i bindur se një zgjidhje mund të gjendet”, tha ambasadori.
Fryma e bashkëpunimit ndërmjet partive politike sipas Wollfarth, deri në 24 maj do të çojë në arritjen e konsensusit për reformën zgjedhore.
“Unë që shoh që dialogu për presidentin po vazhdon, shoh se kemi gjithmonë e më tepër biseda serioze për identifikimin e një ose disa kandidatëve të mundshëm. Shoh edhe një lloj dialogu mes partive politike e liderëve të tyre. Unë shpresoj që të kemi një proces dinjitoz dhe një zgjidhje të mirë në frymën e konsensusit. Një mesazh shumë i rëndësishëm që mund të japë Shqipëria për komunitetin ndërkombëtar në kuadrin e aspiratave të saj kombëtare, do të ishte pikërisht gjetja e një zgjidhje konsensuale, pra gjetja e një ose disa kandidatëve që do të gëzonin konsensusin”, theksoi Wollfarth.
Diplomati Wollfarth shprehet skeptik në lidhje me numërimin elektronik, pasi sipas tij koha e mbetur para zgjedhjeve nuk mjafton për të instaluar teknologjinë e re dhe as për trajnimin e personave që do të menaxhojnë këtë proces.
Duke iu referuar zgjedhjes së Presidentit, Wollfarth u shpreh shkurt se, kushtetuta është baza e procesit, ndërsa inkurajon liderët politik në gjetjen e një figure konsensuale. “Me rëndësi do të ishte zgjedhja e një presidenti konsensual. Vlerësoj në procesin e zgjedhjes së presidentit nismën për dialog të liderëve politikë”, tha më tej ai.